Ndërlidhjet

Maqedoni: Përfundojnë votimet në zgjedhjet presidenciale


Zgjedhjet në Maqedoni
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:28 0:00

Zgjedhjet në Maqedoni

Në Maqedoni janë mbyllur të gjitha vendvotimet në zgjedhjet për president të shtetit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka njoftuar se pjesëmarrja e votuesve deri në ora 17 ka arritur në 41.23 për qind.

Procesi për zgjedhjen e presidentit të shtetit në Maqedoni ka kaluar në një atmosferë të qetë dhe me disa probleme të vogla të natyrës teknike, ka theksuar për Radion Evropën e Lirë, nënkryetari i Komisionit Shtetëror të zgjedhjeve Subhi Jakupi.

“Në bazë të asaj që ne kemi ndjekur procesin zgjedhor gjatë tërë ditës, procesi ka ecur shumë mirë me disa anomali të vogla në disa vendvotime. Deri te ne kanë ardhur informacione për probleme në komunën e Orizarës, të cilat do t`i cilësoja më shumë të natyrës teknike. Në komunën e Negotinës në Maqedoninë lindore, gjithashtu në një vendvotim nga një person jo i ndërgjegjshëm është thyer kutia e votimit. Mund të them se në të gjitha komunat e tjera procesi është zhvilluar mirë dhe pa probleme”, ka thënë Jakupi.

Nënkryetari i KSHZ-së ka shtuar se dalja në zgjedhje në viset e banuara me popullatë shqiptare është më e ulët.

“Në komunat e banuara me shqiptarë është regjistruar një dalje jo e mjaftueshme për të votuar. Në Strugë jehona është 21për qind, Tetova 20 për qind , Gostivari me 18 për qind, Tearca me 16 për qind, Cairi i Shkupit me 13 për qind. Kështu është dhe në komunat e tjera shqiptare që krahasuar me komunat maqedonase është shumë më e vogël, sepse në disa qytete të Maqedonisë lindore dalja në votime është mbi 50 për qind ”, ka bërë të ditur Jakupi.

Derisa ndihmësministri për komunikim me media, Ivo Kotevski, ka theksuar se procesi zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, është realizuar pa incidente më serioze, të cilat janë eliminuar në një afat shumë të shkurtër, duke mos ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, organizata joqeveritare “Civil” gjatë një konference për shtyp, ka prezantuar një numër të caktuar të parregullsish gjatë realizimit të procesit zgjedhor, me theks të veçantë vërejtjet kanë të bëjnë me votuesit fiktiv, si dhe faktin se ngjyra për të lënë shenjë në gishtin e votuesve, fshihet vetëm me letër të lagur.

”Kemi vërtetuar se vetëm me një letër të lagur është fshirë ngjyra e markerit. Kjo është një mangësi serioze dhe një çështje me të cilën duhet të merret Komisioni Shtetëror Zgjedhor”, është shprehur Xhabir Deralla, nga “Civil”.

Ai ka theksuar se një numër i caktuar i personave nga Pusteci nga Shqipëria, kanë arritur në Shkup për të votuar me letërnjoftime që i kanë marrë një vit më parë. ”Civil” ka theksuar dhe problemin me mosspastrimin e listave zgjedhore.

Edhe organizata joqeveritare “MOST”, e cila procesin zgjedhor e ndjek me 1.790 vëzhgues, të dielën ka informuar për shkelje të procesit zgjedhor në disa vendvotime.
Heqja e ngjyrës me ujë pas votimit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:28 0:00



Zgjedhjet presidenciale të së dielës janë bojkotuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e Qeverisë së deritashme për shkak të refuzimit të kërkesës së saj nga VMRO DPMNE-ja, për një kandidat konsensual, të pranueshëm nga dy komunitetet më të mëdha në vend.

Ndërkaq, kandidatët, të cilët kanë garuar për president të shtetit, janë shprehur se procesi i votimit është realizuar në një frymë demokratike, duke theksuar se shpresojnë që këto zgjedhje të hapin perspektiva të reja për vendin.

“Sa e shoh unë, këto zgjedhje shkojnë mbarë, mirë, në atmosferë të qetë, besoj se kështu do të shkojnë zgjedhjet deri në orën 19 kur edhe do të mbyllen kutitë e votimit. Andaj, besoj se qytetarët do të kenë mundësi në mënyrë të lirë, në mënyrë demokratike të dalin dhe të japin, të shprehin vullnetin e tyre përmes votës. U dëshiroj gjithë të mirat, sukses dhe shëndet qytetarëve”, ka theksuar kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare, Iljaz Halimi.

“Pres që në këto zgjedhje të dëshmojmë se Maqedonia funksionon si shtet në mënyrë demokratike me tërë kapacitetin dhe kredibilitetin e saj”, është shprehur Gjorgje Ivanov, kandidat i VMRO DPMNE-së

“Shpresoj se zgjedhjet e sotme do të përfundojnë në frymë demokratike, se do të respektohen të gjitha procedurat dhe nuk do të përballemi me disa veprime që i pamë ditëve të fundit, në veçanti gjatë votimit në diasporë”, ka theksuar kandidati i opozitës maqedonase LSDM-së, Stevo Pendarovski.

Nikolla Gruevski, lider i VMRO DPMNE-së, është i shprehur i kënaqur meqë zgjedhjet kanë kaluar në një atmosferë të qetë:

“Sot realizova të drejtën time të votës. Jam i kënaqur që deri tani nuk janë regjistruar kurrfarë shkeljesh të ciklit zgjedhor. Shpresoj se kështu do të mbetet deri në fund të ditës dhe se qytetarët do ta thonë mendimin e tyre dhe të votojnë për atë që besojnë se cili është më i miri për Republikën e Maqedonisë për 5 vitet e ardhshme të jetë kryetar i shtetit”.

Ndërsa, lideri i opozitë maqedonase, Zoran Zaev, ka theksuar se këto zgjedhje paraqesin kthesë për të ardhmen e vendit.

“Dëshiroj që sot të fitojmë të gjithë për shkak se do të kemi zgjedhje fer dhe demokratike. Vetëm në këtë mënyrë të gjithë qytetarët e Maqedonisë po edhe ne politikanët do të kremtojmë fitoren për Maqedoninë tonë. Shpresoj që sot i gjithë procesi zgjedhor ashtu siç edhe ka filluar ashtu edhe do të vazhdojë, në mënyrë të qetë dhe atmosferë demokratike. Të gjithë qytetarët e vendit tonë do të vendosin se cilin do të dërgojnë në rrethin e dytë zgjedhor si kandidat për president të Maqedonisë”, është shprehur Zaev.

Ndërkohë, Menduh Thaçi, i cili drejton partinë shqiptare në opozitë, PDSH, është shprehur i bindur se zgjedhjet presidenciale do të përfundojnë siç duhet, meqë, sipas tij, në këtë proces nuk është e përfshirë partia shqiptare në pushtet.

“Është pak e çuditshme, ka 12 vjet që kemi zgjedhje me tension dhe problematike, por si duket sot është më qetë për shkak se BDI-ja nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Kemi informacione për tensione të ndryshme në Zajaz, në Shipkovicë, në disa zona të Shkupit ku bëhet presion ndaj votuesve. Ne jemi realisht në pozitë shumë të rëndë dhe të vështirë, si PDSH, për shkak se bojkotimi i BDI-së e bën votën e hapur të shqiptarëve, kjo nuk është votë e fshehtë dhe nuk respektohet parimi themelor i demokracisë. Megjithatë, kam shumë shpresa se në mbrëmje do të bëjmë një rezultat pozitiv”, ka deklaruar Thaçi.

Meqë procesi zgjedhor për zgjedhjen e presidentit nuk është i komplikuar si ai për zgjedhjen e deputetëve, rezultatet e para nga KSHZ-ja pritet të bëhen të njohura vetëm disa orë pas mbylljes së kutive të votimit.

Nëse askush nga kandidatët nuk ka arritur të sigurojë 50 për qind të votave, atëherë gara do të zhvillohet ndërmjet dy kandidatëve të cilët do të arrijnë të sigurojnë më së shumti vota më 27 prill, për kur janë caktuar edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Fushata për zgjedhjet parlamentare është në vijim, por për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, sipas vendimit të KSHZ-së, të dielën dhe të hënën është ndërprerë.

Deri më tani janë mbajtur katër zgjedhje për president të Republikës së Maqedonisë në vitin 1994, 1999, 2004 dhe 2009.
XS
SM
MD
LG