Ndërlidhjet

KOSID: Jo ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”


Ilustrim
Ilustrim
Shoqëria civile në Kosovës kërkon që të ndërpritet procesi përgatitor për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Përfaqësues të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë për Energji, (KOSID) që janë marrë vazhdimisht me çështjet energjetike, konsiderojnë se në Kosovë ekzistojnë alternativa tjera energjetike që sigurojnë rrymë të mjaftueshme.

Kushtrim Puka, nga Forumi për Iniciativë Qytetare, organizatë kjo pjesë e konsorciumit, thotë se KOSID-i është kundër ndërtimit të termocentralit të ri ”Kosova e Re”.

“Parimisht, ne jemi kundër ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe i kemi bërë shumë qartë arsyetimet tona. Ne mendojmë, nëse Qeveria do të kishte qenë seriozisht e përkushtuar për zgjidhje (të problemeve) në sektorin energjetik, ajo ka mundur të arrihet me një kombinim shumë më të mirë të përdorimit të efiçiencës së energjisë dhe përdorimin e burimeve alternative të energjisë”, thotë Puka.

E, përgatitjet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” kanë filluar për më tepër se një dekadë. Aktualisht, në garë për ndërtimin e këtij termocentrali, gjenden katër konsorciume ndërkombëtare.

Zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, thonë se nga mesi i këtij viti do të zgjidhet kompania fituese, në mënyrë që vitin e ardhshëm të fillojë ndërtimi.

Por, ndërtimi i këtij projekti do të sjellë shumë probleme për banorët e disa fshatrave të komunës se Obiliqit, thotë Kushtrim Puka.

“Kjo do të shkaktojë një numër të madh të familjeve të zhvendosura dhe problemet që kemi pasur me fshatin Hade dhe Dardhishte, mund të përsëriten prapë. Pastaj, ndikimet në shëndetin publik dhe ndikimet mjedisore. Për këtë arsye ajo që KOSID ka sugjeruar më herët, ka qenë të merren masa të menjëhershme sa i përket efiçinencës së energjisë, sidomos në sektorin e amvisërisë, që janë konsumatorët më të mëdhenj, pastaj edhe në sektorin privat”, shpjegon Puka.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se projekti i Termocentralit “Kosova e Re” duhet të fillojë së ndërtuari sa më shpejt, në mënyrë që në fund të vitit 2017, të mbyllet Termocentrali “Kosova A”, pasi konsiderohet ndotësi më i madh në vend.

Eksperti për këtë çështje, Palokë Berisha, shprehet se Kosova të vetmin burim të sigurt të energjisë ka thëngjillin, por duke mos anashkaluar as burimet tjera alternative.

“Kosova, paralelisht duhet të zhvillojë edhe burimet e veta alternative që nuk janë të shumta, por megjithatë ekzistojnë dhe si të tilla të bëjnë një kombinim. Por, gjithsesi projekti i ri duhet të fillojë sa më parë, të mbyllet ‘Kosova A’, të ndërtohet termocentrali i ri që plotëson kushtet bashkëkohore sa i përket teknologjisë”, konsideron Berisha.

Por, cilat janë burimet alternative për sigurimin e mjaftueshëm të energjisë elektrike, pa ndërtuar termocentralin Kosova e Re, sipas KOSID-it?

Kushtrim Puka, jep më shumë hollësi:

“Qeveria duhet të punojë në retrofit komplet të Termocentralit ‘Kosova B’, i cili mund të përmirësohet dhe të ngrihen kapacitetet prodhuese dhe të zvogëlojmë ndotjet që shkaktohen me instalimin e teknologjive më të reja në këtë termocentral”.

“Përveç kësaj, Qeveria, nëse vazhdon me masa agresive në aspektin e programeve të efiçiencës dhe në kombinim me programe praktike për përshpejtimin dhe promovimin e investimeve në energji të ripërtërishme, do të të siguronte energji të mjaftueshme për Kosovën që të mos kemi nevojë të ndërtojmë një termocentral të ri”.

Ndërkaq, zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomi, thonë se Termocentrali “Kosova e Re” synon të zëvendësojë prodhimin e energjisë elektrike nga Termocentrali “Kosova A” dhe të plotësojë kërkesën e konsumit vendor, respektivisht synon të arrijë sigurinë e furnizimit.

Ky projekt ka pësuar shumë ndryshime. Në radhë të parë termocentrali kishte 2100 megavat, pastaj projekti riemërohet nga Termocentrali “Kosova C” në “Kosova e Re”, ku prapë ulet kapaciteti prodhues në 1000 megavat.

Ndërsa, ndryshimi i tretë bëhet kur shpallet tenderi për ndërtimin e termocentralit me 600 megavat, pastaj nga pakoja tenderuese hiqet ndërtimi i Termocentralit “Kosova B”.

Kurse, vitin e kaluar po nga pakoja tenderuese hiqen minierat e qymyrit.
Ndryshe, Termocentrali “Kosova e re” llogaritet të jetë një ndër projektet më të mëdha në Kosovë, ndërsa kostoja për ndërtimin e tij, vlerësohet të jetë 1.5 miliard euro.
XS
SM
MD
LG