Ndërlidhjet

Separatistët vazhdojnë uzurpimet në lindje të Ukrainës


Ukrainë...
Ukrainë...
Automjete të blinduara, që mbanin flamurin rus, janë parë sot duke udhëtuar në lindje të Ukrainës, përkatësisht në qytetet Kramatorsk dhe Slloviansk. Dhjetëra njerëz të armatosur dhe të maskuar kanë qëndruar ulur sipër tyre.

Në Donjeck, ndërkaq, separatistët kanë hyrë në administratën e qytetit. Një zëdhënëse e Këshillit të Qytetit ka thënë se së paku 20 persona të armatosur kanë marrë kontrollin e ndërtesës. Një korrespondent i AFP-së ka thënë se protestuesit, të armatosur me pushkë Kalashnikov, kanë hyrë në zyrën e kryetarit, duke kërkuar që rajoni të shpallë referendum për pavarësi.

Separatistët kanë vazhduar të uzurpojnë ndërtesa zyrtare në së paku tetë qytete të tjera, në lindje të Ukrainës.

Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, ka akuzuar Rusinë për “eksportim të terrorizmit në Ukrainë”.

Forcat ukrainase të sigurisë, më 15 prill, kanë nisur një operacion “antiterrorist” në lindje dhe kanë rimarrë një bazë të vogël ushtarake në Kramatorsk.

Në Slloviansk sot nuk ka pasur prani të dukshme të forcave të sigurisë të Ukrainës.

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës ka thënë se ka përgjuar disa komunikme, të cilat tregojnë se komandantët rusë në lindje kanë lëshuar urdhër për vrasje për speratistët pro-rusë.

Sipas Shërbimit të Sigurisë, komunikimet tregojnë se trazirat “janë duke u udhëhequr hapur nga oficerë të rregullt të inteligjencës ushtarake ruse”.

Ministria e Mbrojtjes, ndërkohë, ka thënë se ekstremistët e armatosur kanë marrë peng dy ushtarë ukrainas në qytetin Luhansk.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se Ukraina “është në prag të luftës civile”. Këto komente, Putin i ka bërë gjatë bisedës telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel, për situatën në Ukrainë.

Moska hedh poshtë akuzat e Ukrainës dhe të Perëndimit se është duke organizuar trazirat.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në një takim me zyrtarë nga Ukraina, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, që do të mbahet më 17 prill në Gjenevë.

Lavrov ka thënë se pikë kryesore në agjendën e takimit duhet të jetë reforma kushtetuese në Ukrainë, që do t’iu japë kompetenca më të mëdha rajoneve rusisht-folëse.

Ambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Yuriy Klymenko, ka thënë se çështja e federalizimit të Ukrainës nuk është në agjendë.

“Ukraina nuk do të diskutojë gjatë këtij takimi për problemet dhe çështjet e brendshme të saj. Nuk do të diskutojmë për federalizimin e Ukrainës. Kjo çështje nuk është në agjendë”, ka thënë Klymenko.

Moska ka fajësuar Qeverinë në Kiev për nxitje të trazirave në lindje të Ukrainës, duke injoruar të drejtat e qytetarëve që përdorin rusishten si gjuhë të parë dhe ka premtuar se do t’i mbrojë ata nga sulmet.

Një raport i Zyrës për të Drejta të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, i publikuar më 15 prill, ka shprehur dyshim për kërcënimet ndaj popullsisë rusishtfolëse, duke thënë se “edhe pse ka pasur disa sulme kundër komunitetit etnik rus, ato nuk kanë qenë as sistematike, as të përhapura”.

Rusia e ka cilësuar raportin si të njëanshëm, të politizuar dhe të fabrikuar.(v.tela)
XS
SM
MD
LG