Ndërlidhjet

Lufta me substancat narkotike


Ilustrim
Ilustrim
Fakti se në Kosovë shumë të rinj përdorin substanca narkotike, mbetet shqetësues. Por, edhe trafikimi me këto substanca është një nga problematikat që autoritetet e rendit po përballen. Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, janë konfiskuar më shumë se 337 kilogramë marihuanë dhe rreth 100 kilogramë droga të tjera.

Në studimet e bëra nga organizata ndërkombëtare dhe vendore, rreth përdorimit të substancave narkotike, del se të rinjtë nga mosha 14-vjeçare fillojnë të provojnë duhanin, alkoolin si dhe substanca narkotike, përfshirë edhe marihuanën.

Qeveria e Kosovës ka miratuar një strategji për periudhën kohore 2012-2017, në kuadër të drogave, luftimit të krimit të organizuar, terrorizmit, si dhe ruajtjes dhe kontrollit të kufirit shtetëror.

Sipas zyrtarëve të lartë qeveritarë, përmes kësaj strategjie, autoritetet vendore synojnë të reduktojnë përdorimin e drogave dhe dëmet që sjell me vete kjo dukuri.

Autoritetet e rendit kanë pohuar se janë duke luftuar trafikimin me narkotikë. Baki Kelani, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se nga janari deri në mesin e muajit prill të këtij viti janë arrestuar 211 persona si të dyshuar për përfshirje në trafikim me substanca narkotike.

Për sasinë e konfiskuar të narkotikëve flet vetë zoti Kelani:

“Sasia e marihuanës që është konfiskuar gjatë këtij viti 337 kilogramë, derisa heroinë më shumë se 1 kilogram, derisa 50.9 kg kokainë. Edhe lloje të tjera të substancave narkotike që janë konfiskuar kanë arritur në rreth 37 kilogramë. Në të gjitha operacionet që janë zhvilluar e që janë të involvuara me substanca narkotike, janë konfiskuar edhe para të gatshme, si dhe 17 vetura”.

Derisa Safet Blakaj, udhëheqës i organizatës “Labirinti”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se numri i përdoruesve të marihuanës është në rritje, numri i personave që përdorin heroinë është në rënie e sipër.

“Marihuana është në shtim e sipër. Heroina ka stagnuar në përdorim. Janë disa faktorë, e njëri mendoj se është se policia në dy vitet e fundit ka treguar aktivitet më të shtuar dhe është një trend i përgjithshëm edhe në tjerat shtete që ka filluar të bjerë përdorimi i heroinës”, thotë Blakaj.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjegjësisht në Klinikën e neuropsikiatrisë aty ku edhe trajtohen rastet që kërkojnë ndihmë, sipas neuropsikiatrit Shaban Mecinaj, fluksi i të rinjve të varur, sidomos nga marihuana, është në rritje.

Klinika e neuropsikiatrisë e ka një repart të veçantë me kushte solide ku ofrojnë ndihmë për personat që përdorin substanca narkotike.

Sipas tij, kryesisht adoleshentë, përdorin marihuanë. Ai shton se vërehet një numër i shtuar i të rinjve që janë varur nga droga, që shpesh përcillet me çrregullime të tjera bashkërenduese psikiatrike dhe kërkojnë ndihmë në klinikë.

Por, Blakaj përmendur edhe mungesën e qendrave rehabilituese, e që sipas tij, janë mjaft të nevojshme.

“Në organizatën ‘Labirint’ bëhet detoksi ose pastrimi ditor dhe nuk ka qëndrim 24 orësh, dhe kjo vazhdon për një kohë të caktuar, por për rehabilitim Kosova është shumë e varfër. Sa i përket programit tjetër, është ai me metadon, terapi mbajtëse zëvendësuese”, shpjegon Blakaj.

Afganistani vazhdon të jetë shteti prodhues më i madh i drogës në botë, ndërkaq Turqia dhe Irani mbesin vendet ku janë konfiskuar sasitë më të mëdha të drogës.

Ulja e trafikimit me drogë në të ashtuquajturën “Linjë të Ballkanit” mbetet sfida më e madhe për shtetet e rajonit, si Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova.
XS
SM
MD
LG