Ndërlidhjet

Maqedoni: Fushata elektorale me informim selektiv


Ilustrim
Ilustrim
Fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare, nga mediat po ndiqet me një profesionalizëm të ulët, nxitës, jo etik apo jashtë çdo standardi për informim të drejtë të opinionit, vlerësojnë nga ekspertët për çështje mediatike dhe nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, thotë për Evropën e Lirë se mediat janë shndërruar në zëdhënës të partive politike, qofshin ato në pushtet apo opozitë.

“Për mua, ky raportim joprofesional i mediave është pasojë e mungesës së lirisë së mediave dhe lirisë së fjalës. Unë mendoj se media në Maqedoni është e kontrolluar dhe plotësisht e nënshtruar. Qeveria me vite ndaj mediave ushtron një politikë të karotës dhe shkopit. Mediat që mbështesin politikën e saj i shpërblen me paratë publike, ndërsa mediat që përpiqen të jenë kritike ndaj saj, i dënon, i frikëson e madje e kaluara tregon se ajo nuk heziton edhe t’i mbyllë. Në këto kushte, të pretendoni që të keni media profesionale në Maqedoni është njësoj sikur të kërkoni të kultivoni banane në Siberi të Rusisë”, thotë Selmani.

Ngjashëm vlerëson edhe komunikologu, Klime Babnunski, por ai thekson se gjendja e tillë me informimin jashtë standardeve profesionale është e pranishme tani një kohë të gjatë në Maqedoni.

Gjatë raportimeve mbi fushatën, por edhe skandalet që publikohen kohë pas kohë nga partitë, mediat veprojnë në mënyrë selektive. Ato që janë të afërta me pushtetin, në vend të raportimit për rastin, merren me kundërakuza, ndërsa e kundërta ndodh me mediat që konsiderohen të afërta me pushtetin.

Rasti i fundit me pretendimin për përfshirjen e kryeministrit Nikolla Gruevski në jë aferë korruptive prej 1.5 milion eurosh, nuk e raportua në asnjë media të afërta me Qeverinë.

“Bëhet fjalë për informim joprofesional, jashtë të gjitha standardeve profesionale, i pranishëm jo vetëm gjatë fushatës zgjedhor, por tani një periudhë më të gjatë kohore. Kemi politika redaktuese të zhvendosura nga binarët e informimit të drejtë. Parësore për to nuk është opinioni, informimi objektiv, por qarqe të caktuara, qofshin në pushtet apo opozitë. Pra, ato janë vendosur në shërbim të plotë të tyre dhe kështu do të vazhdojë edhe më tej”, vlerëson komunikologu Klime Babunski.

Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, thekson se rastet e tilla dëshmojnë se në Maqedoni nuk është kërcënuar vetëm fjala e lirë, por e gjithë demokracia dhe se vendi, sipas tij, po ecën drejt sistemeve totalitare.

“Në Maqedoni, nuk është e kërcënuar vetëm liria e medias, por në Maqedoni është kërcënuar demokracia, sepse pa media të lira, pa gjyqësor të pavarur, pa një ndarje të pushteteve dhe pa një respektim mes pushteteve, ne nuk mund të pretendojmë se do të jemi një shoqëri demokratike me një sistem demokratik funksional”.

“Kjo që po ndodh, fatkeqësisht, është një regres i pritur. Këtu nuk shtrohet çështja se a do të kemi ne media të lira apo jo, por çështja është nëse Maqedonia do të qëndrojë në kursin e zhvillimit të një vendi demokratik apo do të lëvizë në drejtim të një sistemi autoritar, i cili s’ka lidhje me vlerat e demokracisë dhe të një vendi me standarde evropiane”
, thekson Selmani.

Komunikologu Klime Babunski thotë se gjendja e tanishme në media do të reflektohet negativisht në raportet e institucioneve ndërkombëtare që trajtojnë respektimin e fjalës së lirë.

“Pasojat e një informimi të tillë, gjithsesi se do t’i ndiejnë në vlerësimin që do të japin institucionet ndërkombëtare mbi vlerësimin e gjendjes së lirisë së mediave në vend. Nëse nuk zhytemi edhe më tej në listat e rangimit të tyre, ne gjithsesi se do të betonohemi në pozitat e tanishme. Një situatë e tillë do të reflektohet negativisht edhe në zhvillimet e përgjithshme demokratike në vend”, potencon Babunski.

Në pesë vjetët e fundit, Maqedonia ka shënuar rënie thuajse për 80 vende në listat e organizatave ndërkombëtare që merren me lirinë e mediat, ndërsa pos presioneve dhe vënies nën kontroll të tyre, kohë më parë është regjistruar edhe rasti i parë i dënimit të një gazetari më 4.5 vjet burg kurse mbetet enigmë edhe rasti i vdekjes së një gazetari tjerë në një aksident trafiku.
XS
SM
MD
LG