Ndërlidhjet

Moldavi: Integrimi evropian - prioritet absolut politik


Natalia Gherman
Natalia Gherman
Ministrja e Jashtme e Moldavisë, Natalia Gherman, thotë se vendi i saj me shumë kujdes i ndjek zhvillimet në Ukrainë, për shkak të situatës në rajonin Transdniestri në Moldavi, që është i banuar me popullatë shumicë etnike ruse.

Në këtë kuadër, shtrohet pyetja se si i komenton ajo fjalët e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, këtë javë, gjatë një seance të pyetjeve e përgjigjeve në Moskë, se “është vetëm demonstrim i demokracisë për ta lejuar popullin e Transdniestrisë të veprojë ashtu siç dëshiron”.

“Ne duhet të theksojmë në kontekst të njëjtë, kërkesën aktuale të Sovjetit Suprem në Tiraspol drejtuar federatës Ruse, për t’i shqyrtuar rezultatet e referendumit të mbajtur në vitin 2006 dhe eventualisht ajo të çojë në bashkim me Federatën Ruse në njëfarë mënyre”, thotë ministrja e Jashtme e Moldavisë, Natalia Gherman.

Ajo thekson se do të dëshironte të shihte një reagim të qartë rus lidhur me këtë kërkesë, që është paraqitur para disa ditësh.

Sipas saj, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka përsëritur se “Federata Ruse e respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Moldavisë dhe e sheh zgjidhjen e konfliktit të Transdniestrisë” brenda formatit ekzistues “5+2”, që do të thotë se në këto bisedime marrin pjesë përfaqësues të Transdniestrisë, Moldavisë, Ukrainës, Rusisë dhe OSBE-së, ndërsa ky proces mbikëqyret nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ministrja Gherman thotë se “do të dëshironim të shihnim se si do të duket reagimi zyrtar në këtë rast të veçantë aktual”.

Ajo thekson se Moldavia i ka ndjekur me kujdes ato që i ka thënë Vladimir Putini më 17 prill në konferencën për shtyp, lidhur me zgjidhjen e konfliktit me Transdniestrinë dhe shprehjen e vullnetit të popullit”.

Për këtë, ajo shpresonte se do të diskutohej në ndonjë takim të shpejtë të formatit “5+2”, por ai “për fat të keq” ishte shtyrë herën e fundit “me kërkesë të palës së Transdniestrisë”.

Tash po planifikohet një takim për muajin maj të këtij viti.

Rrjedhimisht, shtrohet pyetja se si ndihet Moldavia lidhur me pozicionin e Ukrainës, a i pranon Kishinevi argumentet e Ukrainës lidhur me mënyrën se si ishin përdorur mediat ruse në Ukrainë dhe a ka shqetësime për gjëra të ngjashme në Moldavi?

“Prej verës së vitit 2013 ne kemi vërejtur një aktivitet të pazakonshëm të mediave në gjuhën ruse në Republikën e Moldavisë, duke promovuar integrim alternativ për Republikën e Moldavisë, në Bashkimin Doganor, që udhëhiqet nga Moska. Nga ana tjetër, ne po angazhohemi për integrim evropian, si një prioritet absolut i politikës së jashtme dhe të brendshme”, thekson Natalia Gherman.

Më tutje ajo konsideron se Moldavia ishte gjetur papritmas në kushtet e një fushate të gjerë informative.

“Ne i vlerësuam burimet dhe duket se ajo që bënim në atë kohë në emër të qeverisë - duke i shpjeguar përfitimet dhe elementet e shkallëve të integrimit evropian, nuk ishte e mjaftueshme sa duhet për ta kundërbalancuar mesazhin që vinte nga pala ruse, por kjo ishte, po ashtu, një thirrje për zgjim”, thotë Natalia Gherman, ministre e Jashtme e Moldavisë. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG