Ndërlidhjet

FT: Sa është i sigurt zoti Putin?


Njëri nga gabimet më të mëdha në analizat e asaj që po ndodh në Ukrainë, është pikëpamja se Rusia është diktaturë e një njeriu, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja londineze, Financial Times, duke konstatuar se Moska është shoqëri komplekse politike me shumë figura të fuqishme.

Ato figura, e jo demokracia pasive e Rusisë, e përcaktojnë se kush ka autoritet.

Vladimir Putini ishte lider i fuqishëm, por autoriteti i tij nuk është absolut. E vërtetë e pamohueshme është se të gjithë liderët e humbin fuqinë në fund dhe vetëm pak prej tyre largohen në mënyrë vullnetare.

Pothuajse 15 vjet në zyre si president dhe kryeministër, ai tashmë e kaluar jetëgjatësinë normale të udhëheqjes. Sipas vlerësimeve, ai po jeton në kohë të huazuar dhe varet në vazhdimësinë e suksesit.

Në situatën aktuale, vija ndërmjet suksesit dhe dështimit është shumë e hollë, ndërsa çështjet e energjisë janë në zemër të vlerësimit, shkruan Financial Times.

Dobësia e zotit Putin është krenaria e tij. Lideri, i cili shpeshherë paraqitet pa këmishë, nuk mund të lejojë dështim në Ukrainë, meqë këtë çështje e ka bërë pothuajse test të burrërisë. Por suksesi - ndarja e Ukrainës në dy vende, ose pranimi nga Kievi i situatës së neutralitetit të vazhdueshëm – bart më vete një çmim të konsiderueshëm.

Zoti Putin me të vërtetë e ka theksuar dobësinë e Evropës, por ai, po ashtu, e ka përkujtuar çdokë se fuqia ruse, gjithashtu, është e kufizuar.

Ai nuk mund të lejojë t’i ndalë furnizimet me gaz, pasi Rusisë skajshmërisht i duhen paratë, shkruan Financial Times.

Gazpromi ka rast shumë të mirë për të thënë se Ukraina nuk i ka paguar faturat e veta. Por, ndërprerja e furnizimeve nuk do të ndikojë në pagesën e faturave. Pagesa nuk do të bëhet edhe nëse ngritet çmimi.

Zhurma dhe shfryrja rreth kësaj çështjeje tashmë i ka frikësuar edhe shfrytëzuesit e tjerë të gazit rus në gjithë Evropën.

Bashkimi Evropian mund të sillet si miu, por në qershor, ky Bashkim Evropian, i mbështetur nga Grupi G7, do të pajtohet për programin e masave të reduktimit të varësisë nga gazi rus.

Duke e bërë të ardhmen e Ukrainës çështje të krenarisë kombëtare ruse, zoti Putin duhet të vendosë se çka të bëjë më tutje. A do ta avancojë në Ukrainën Lindore për t’i "mbrojtur” shtetasit rusishtfolës?

Marrëveshja e arritur javën e kaluar në Gjenevë nuk duket si zgjidhje e besueshme. Madje, as nuk është e qartë nëse zoti Putin mund t’i ndalë forcat proruse, të cilat vetë i ka lëshuar.

Elita biznesore ruse është thellësisht pragmatike dhe i mungon entuziazmi nacionalist, shkruan Financial Times, duke shpjeguar se kjo elitë është rritur duke udhëtuar hapur dhe lirisht në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Shumica po synojnë ndërtimin e bizneseve në gjithë botën. Rrjedhja e parave jashtë Rusisë - para kësaj krize dhe në pak javët e fundit - tregon se ku shtrihen prioritetet e tyre.

Shumë liderë biznesorë rusë synojnë të bëhen shtetaas të mirë të Londrës dhe Nju Jorkut, duke sponsorizuar opera, galeri të arteve dhe shkolla të reja në universitetet më të mëdha botërore.

Për ta, asgjë nuk është më e rëndësishme se sa kalimi i lehtë i tyre, i familjeve të tyre dhe fondeve të tyre, nëpër kontrollin e pasaportave në Heathrow dhe JFK.

Por, sfida nuk do të vijë nga rrugët. Çfarëdo grushtshteti në Moskë do të ndodhë qetë, prapa dyerve të mbyllura, e jo në Sheshin e Kuq.

Është vështirë të dihet se kur saktësisht njerëzit me rroba ngjyrë hiri do t’i thonë zotit Putin se mjaft është mjaft dhe se është moment për të që të kalojë më tepër kohë me paratë e tij.

Ajo që do të ndodhë në pjesën lindore të Ukrainës, gjatë pak javëve të ardhshme, është kryesore.

Shumë do të varet nga perspektive e vetë zotit Putin.

Nëse ai, me të vërtetë, sikur që disa mendojnë, e ka humbur kontaktin me realitetin dhe beson se ai e ka gjithë fuqinë, atëherë ai moment mund të jetë shumë më afër se sa që ne mendojmë, shkruan në fund të artikullit e përditshmja Financial Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG