Ndërlidhjet

Kreditë e shtrenjta, kursimet e lira


Ilustrim
Ilustrim
Për dallim nga normat e larta të kredive në bankat komerciale në Kosovë, kamatat e interesit për kursime janë shumë të ulëta, thonë ekspertë të kësaj fushe.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në muajin shkurt të këtij viti normat për depozita kanë qenë 2.04 për qind, kurse kamatat për kredi 11.81 për qind.

Depozita me Afat është një marrëveshje e lidhur ndërmjet bankës dhe klientit për një shumë dhe afat të përcaktuar. Për shumën e investuar, klienti përfiton interesin sipas shumës, afatit, monedhës dhe frekuencës së kreditimit të interesit të përcaktuar në kontratën e depozitës.

Ekspertë për çështje ekonomike theksojnë se ndryshimi i kamatave në kredi dhe kursime destimulon klientët për të deponuar paratë e tyre në institucionet financiare.

Milazim Abazi
, madje pohon se 0.8 për qind është norma e kamatave në depozita, ndërkaq 2.04 për qind është normë vetëm mujore.

“Aktualisht, në dy muajit e fundit, nuk ka bankë që paguan mbi 0.8 për qind. Edhe ata që kanë pasur kontrata pesëvjeçare me interes më të lartë, për shembull 2-3 për qind, bankat i kanë thirrur për të prishur kontratat”, bën të ditur Abazi.

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Naim Gashi, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë, e quan të të pakuptueshëm ndryshimin e madh në mes të kamatave të kredisë dhe depozitave.

Në tregun bankar ka shkelje të rregullave dhe është krijuar një pabarazi, kështu që, sipas Gashit, kontribut në këtë fushë duhet të japë dhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.

“Unë, në këtë aspekt e fajësoi Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, për arsye se ajo nuk është duke e luajtur rolin e vet si rregullator i tregut. Jo për të ndërhyrë drejtpërdrejt në bizneset private, mirëpo të ndërhyjë për të krijuar një garë fer ndërmjet pjesëmarrëseve në tregun bankar në Kosovë”, konsideron Gashi.

Në anën tjetër, Milazim Abazi, vlerëson se bankat komerciale në vend, janë në kufi të mjaftueshmërisë së kapitalit dhe nuk dëshirojnë të pranojnë vlerë të lartë të depozitave.

“Kjo ndikon negativisht në rritjen e potencialit kreditor të bankave, pasi që bankat nuk i pranojnë depozitat, nuk ka mundësi që të rritet kredia. Po ashtu, kjo ndikon në rritjen e joformalitetit".

"Sa shumë kemi vuajtur që t'i nxisim qytetarët që paratë t'i mbajnë në banka, kjo i destimulon që paratë të shkojnë në banka. Qytetari tashmë u nënshtrohet shumë rreziqeve, edhe ta zhvillojë biznesin joformal dhe t'i nënshtrohet rrezikut të plaçkitje ose humbjes së parave”, shprehet Abazi.

Pavarësisht diferencës së kamatave, vlera e kursimeve të klientëve në nëntë bankat komerciale, në vitin e kaluar ka arritur në 2 miliardë e 441 milionë euro.

Naim Gashi këtë fakt e quan paradoks.

“Unë mendoj se paradoksalisht, niveli i depozitave është shumë i lartë në Kosovë, krahasuar me interesat shumë të ulëta që ekzistojnë për depozitat bankare.
Mirëpo, tregu financiar në Kosovë nuk duhet ta keqpërdorë këtë besim, të cilin e kanë qytetarët dhe bizneset te sistemi financiar. Dhe, ato nuk duhet të keqpërdorin faktin që të ofrojnë interesa 3 për qind për kursime dhe të japin kredi 17 deri në 23 për qind”
, vlerëson Gashi.

Bankat në Kosovë ofrojnë llogari të ndryshme të kursimit, si dhe depozita me afat. Normat e interesit për secilën nga këto llogari ndryshojnë, varësisht nga lloji i llogarisë dhe afati i kursimit, thotë në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, Iliriana Tahiraj, zyrtare për media dhe marrëdhënie me publikun në Raiffeisen Bank.

Ajo pranon se normat e interesit për llogari të kursimeve kanë shënuar ulje në vitet e fundit, por që depozitat në këtë bankë janë duke u rritur vazhdimisht dhe janë në nivelin më të lartë deri më tani.
XS
SM
MD
LG