Ndërlidhjet

Maqedoni: Investitorët largohen për mungesë sigurie


Ilustrim
Ilustrim
Mungesa e disiplinës gjatë realizimit të pagesave, siguria juridike, qasja në financat e Bashkimit Evropian , administratë joprofesionale dhe veçanërisht mungesa e transparencës gjatë furnizimeve publike, janë mangësitë që kanë dalë në pah nga anketa e realizuar në kuadër të biznesmenëve huaj si komponenti kyç që i shkurajon ata për të investuar në Maqedoni.

Nga ana tjetër, Hato Brener, konsulent ekonomik për eksport nga Asociacioni Evropian për kompanitë me kapital të mesëm për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se biznesmenët gjermanë janë shumë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për garancitë që jep shteti sa i përket mbrojtjes së kapitalit.

“Kompanitë gjermane nuk binden lehtë për të investuar, do të thosha janë shumë të kujdesshme. Para se të investojnë ata, fillimisht, janë të interesuara të ndërtojnë raporte biznesi, dhe nëse ndihen të sigurt pas tre vjetësh bashkëpunimi, vendosin për të investuar - flas për kompani të vogla dhe ata të mesmet, sepse kompanitë e mëdha përcaktohen për vende ku janë të sigurt se do të mund të realizojnë qarkullim të kapitalit në vlera të mëdha”, ka thënë Brener.

Ndërkaq, sipas Xhemail Dautit, biznesmen, njëherësh ish drejtues i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore ka thënë se forma më e sigurt për thithjen e kapitalit të huaj, është përmes stimulimit të biznesit vendor, duke u ofruar atyre kushte të njëjta të volitshme, ashtu siç u ofrohen kompanive të huaja në zonat e lira ekonomike.

“Ka shumë kompani vendore prodhuese, po njëherësh edhe me veprimtari të llojllojshme, të cilat janë të interesuara për ta shtrirë veprimtarinë në zonat e lira ekonomike, që të mos jenë të detyruara të blejnë toka të shtrenjta për ngritjen e kapaciteteve të tyre, meqë e theksoj se kompanive u ofrohen beneficione direkte dhe indirekte shumë të mëdha në zonat e lira ekonomike".

"Derisa të bëhet ndonjë ndryshim ligjor, kompanitë vendore janë të detyruara të gjejnë ndonjë modalitet për të ngritur biznesin me kompanitë e jashtme që t`i shfrytëzojnë beneficionet që ofrojnë zonat e lira
”, është shprehur Dauti.

Ai ka thënë se shpreson që autoritetet shtetërore ta pranojnë kërkesën e biznesmenëve që investuesit e brendshëm dhe ata të huaj, të kenë të njëjtin status juridik dhe njëkohësisht të mund të shfrytëzojnë beneficionet e njëjta që ofron shteti.

“Shpresoj që këto iniciativa tona të merren parasysh, me atë që ligji të ndryshohet, pra të kemi një ligj, i cili në formë të barabartë do t`i trajtojë të gjithë investitorët vendorë dhe ata të huaj”, ka theksuar Dauti.

Nga ana tjetër, Nikolla Popovski, ish-ministër i Financave, ka thënë se investimet e paralajmëruara me pompozitet, shumë pak realizohen në praktikë, sepse Maqedonia përderisa është jashtë strukturave euro-atlantike, mbetet vend me rrezik për kapitalin e huaj.

“Në statistikat e Bankës Popullore, investimet e huaja direkte janë në nivel të ulët ndërkohë që vazhdimisht paralajmërohen investime të kompanive të mëdha, të cilat punësojnë me mijëra qytetarë. Kjo, për fat të keq, në realitet shumë pak realizohet, ngase investimet e huaja nuk varen nga dëshira e politikë-bërësve, por para së gjithash, vendimtare për kompanitë e huaja kur vendosin për të derdhur kapitalin e tyre, është në cilin nivel janë funksionalë mekanizmat juridikë që garantojnë sigurinë e kapitalit”, ka vlerësuar Popovski.

Ai, ka shtuar se të dhënat e Bankës Popullore tregojnë qartë se gjatë muajit të parë të këtij viti, si investime të huaja direkte në vend, kanë hyrë vetëm 16.3 milionë euro që është dyfish më pak krahasuar me vitin e kaluar në periudhën e njëjtë me vlerë prej 34 milionë euro.
XS
SM
MD
LG