Ndërlidhjet

Simon Ostrovsky - nga gazetar i frontit në mburojë njerëzore


Simon Ostrowsky
Simon Ostrowsky
Gjatë krizës në Ukrainë, Simon Ostrovsky ka qenë në mesin e gazetarëve më të dukshëm perëndimorë. Këtë javë, ai është bërë pjesë e historisë.

Një udhëheqës i forcave pro-ruse në lindje të Ukrainës ka thënë se gazetari amerikan po mbahet peng si “mjet negocimi” dhe e ka akuzuar atë se punon për grupet nacionaliste të Ukrainës, duke rritur kështu shqetësimet ndërkombëtare për sigurinë e tij.

Vyacheslav Ponomaryov, kryetar i vetshpallur i qytetit Sllaviansk, ka thënë se Ostrovsky, gazetar i Vice News, mbahet peng sepse milicitë pro-ruse janë bërë shënjestër e forcave të Ukrainës, besnike të Qeverisë në Kiev.

“Neve na duhen të burgosur. Kemi nevojë për mjete negocimi. Shumë shokë tanë janë të arrestuar. Ata dërgohen në Kiev dhe torturohen. Kështu, ne bëjmë të njëjtën gjë”, ka thënë Ponomaryov.

Si gazetar veteran, i cili ka raportuar në gjithë Rusinë dhe në Bashkimin Sovjetik, Ostrovsky ka prodhuar dhjetëra video-raporte për agjencinë me seli në Bruklin, nga vija e frontit të krizës në Ukrainë.

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kanë shprehur alarm për vendndodhjen dhe sigurinë e Ostrovskyt.

Ai thuhet se është arrestuar me katër gazetarë të tjerë në një postbllok të kontrolluar nga milicitë pro-ruse në Sllaviansk, më 21 prill.

Gazetarët e tjerë janë liruar mëngjesin pasues, por Ostrovsky jo, ka thënë korrespondenti i gazetës Time, Simon Shuster, i cili ka qenë në mesin e gazetarëve të arrestuar në postbllok.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, ka shprehur shqetësim të madh për rrëmbimin e gazetarit amerikan në Ukrainë nga separatistët pro-rusë.

“Dënojmë marrjen e pengjeve, përfshirë gazetarëve, në lindje të Ukrainës. Bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre dhe apelojmë te Rusia që të përdorë ndikimin e saj për lirimin e menjëhershëm të tyre”, ka thënë Psaki.

Psaki, e cila nuk e ka identifikuar Ostrovskyn me emër, ka thënë se zyrtarët amerikanë i kanë ngritur këto shqetësime me homologët ukrainas.

Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e mediave, Dunja Mijatovic, ka thënë se është “thellësisht e shqetësuar me zhvillimet e vazhdueshme negative” sa i përket sigurisë së gazetarëve në Ukrainë.

“U bëj thirrje përgjegjësve që të ndalojnë keqtrajtimin dhe sulmet ndaj gazetarëve dhe t’iu lejojnë atyre që të bëjnë punën e tyre. Simon Ostrovsky duhet të lirohet menjëherë”, ka thënë Mijatovic.

Vice News ka thënë më 22 prill se është në dijeni për situatën e Ostrovskyt dhe se është duke punuar për sigurinë e tij.

Ostrovsky është një nga 16 personat e marrë peng në Sllaviansk dhe në qytetin Horlivka në dy javët e kaluara, sipas gazetës Kyiv Post. Po sipas saj, disa janë liruar, ndërsa të tjerët janë shpallur të vdekur.

Zhdukja e Ostrovskyt ka ndezur teori të konspiracionit për aleancat e tij, të cilat fokusohen në faktin se ai ka edhe shtetësinë amerikane, edhe izraelite. Në të njëjtën kohë, ai është akuzuar se ka lidhje me Sektorin e Djathtë, grup nacionalist në Ukrainë.

Korrepondenti i ABC News, Alexander Marquardt, ka shkruar në Twitter se kryetari i vetshpallur i Sllavianskut, Vyacheslav Ponomaryov, i ka thënë atij se Ostrovsky ka shpërndarë informacione të rreme dhe se ai duhet të mësojë leksionin.

Lideri separatist ka thënë se Ostrovsky është duke u trajtuar dhe ushqyer mirë, si dhe duke punuar në një material për librin e tij të ardhshëm.(v.tela)
XS
SM
MD
LG