Ndërlidhjet

Shëndetësi: Anesteziologë pak, punë shumë


Ilustrim
Ilustrim
Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si dhe të gjitha spitalet rajonale të Kosovës, kanë mungesë të anesteziologëve, thotë Nehat Baftiu, shef i Klinikës së anesteziologjisë.

Sipas Baftiut, QKUK-ja do të duhej t'i kishte 75 anesteziologë, ndërkohë që aktualisht aty punojnë 42 anesteziologë, për 32 salla operative dhe 4 salla për mjekime intensive.

"Nëse krahasohet situata me vitin 1999, kur në gjithë Kosovën kanë qenë vetëm 7 anesteziologë, sot gjendja është në nivel të lartë. Jemi rreth 80 anesteziologë në Kosovë. Kemi bërë Klinikën e anesteziologjisë, Komitetin për specializim për anesteziologji, lëndën e Anesteziologjisë, si dhe Katedrën e anesteziologjisë dhe reanimimit".

"Tash duhet punë shkencore dhe profesionale. Mendoj se do t'i shtojmë kapacitetet punuese, të pajisemi me aparaturë bashkëkohore dhe këto do të jenë detyrat tona, në mënyrë që të jemi në nivel me vendet evropiane, meqë jemi pjesëmarrës tash e një kohë të gjatë, në konferencat botërore dhe i përcjellim trendët e zhvillimit", thotë Baftiu.

Ndërkaq, anesteziologu Lulzim Emini, tregon se gjatë punës së tyre të përditshme ballafaqohen me mjaft vështirësi, për shkak se, siç thotë ai, dega e Anesteziologjisë përfshin një gamë të gjerë në trajtimin e pacientit.

"Problemet që e përcjellin profesionin tonë janë mungesat e kohëpaskohshme me barna, pra anestetikë , mungesa e stafit. Kemi mungesë të anesteziologëve si dhe hapësirave adekuate për të zhvilluar të gjitha disiplinat e anestezionit, nga pranimi i pacientit e deri te dalja e pacientit nga klinika. Anestezioni përfshin një gamë më të gjerë të trajtimit të pacientëve, e jo vetëm të bllokut operativ", shpjegon Emini.

E, zëvendësministri i Shëndetësisë, në Ministrinë e Shëndetësisë, Kadir Hysieni, thotë për Radion Evropa e Lirë, se për të shkëmbyer përvoja në lëmin e anesteziologjisë, tashmë po mbahet edhe një konferencë ndërkombëtare ku po marrin pjesë anesteziologë nga shtetet e Ballkanit, Turqia, Shqipëria, Franca e Suedia.

"Me degën e anesteziologjisë, ne si ministri jemi të kënaqur, pasi që me reforma do të formohet edhe shërbimi i linjës për anesteziologji dhe kujdes intensiv. Në vazhdën e kësaj, është organizuar edhe konferenca ndërkombëtare ndërmjet Shoqatës së anesteziologëve të Kosovës dhe atyre të Turqisë, e që po mbahet në Prishtinë dhe ku po marrin pjesë rreth 125 anesteziologë nga Turqia, 30 anesteziologë nga Shqipëria, 30 prej shteteve të Ballkanit, si dhe disa nga Franca dhe Suedia", bën të ditur Hyseini.

Ai e pohon mugesën e anesteziologëve, por prej vitesh, siaps Hyseinit, numri i tyre po rritet, duke i dhënë prioritet kësaj dege përmes specializimit.

"Vitet e fundit kemi pasur çdo vit konkurs për specializantë të rinj, dhe interesimi është mjaft i madh. Ne, si Ministri e Shëndetësisë, kemi insistuar që kjo lëmi të mos mbetet anash. Mjekët janë të profilizuar për ndonjë specializim, por kemi shkuar në mënyrë gjenerale, në mënyrë që të plotësohet numri i të gjitha profileve, derisa të plotësohet numri i këtij lëmi", thekson Hyseini.

Konferenca për anesteziologjinë ka filluar më 24 prill dhe do të zgjasë tri ditë.
XS
SM
MD
LG