Ndërlidhjet

Gjocaj: Prioritet, stabilizimi i menaxhmentit


Curr Gjocaj
Curr Gjocaj

Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Curr Gjocaj, drejtor i përgjithshëm i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, thotë se ndër punët e para që do të bëjë në këtë institucion, është stabilizimi i menaxhmentit, i cili prej vitesh udhëhiqet me ushtrues detyre. Ai, gjithashtu, ka thënë se me Ligjin e Ri të Shëndetësisë, janë futur nën ombrellën e tij edhe gjitha institucionet publike shëndetësore, dytësore dhe tretësore.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është puna e parë, me të cilën do të merreni si drejtor i QKU-së?

CURR GJOCAJ

Ndër punët e para që kam vënë si prioritet është stabilizimi i menaxhmentit. E dini se në QKUK prej vitesh kemi një menaxhment me ushtrues detyre, dhe kjo ka ndikuar në cilësi, pasi që menaxherët aktualë merren edhe me shumë punë, ngase mendojnë se jam apo nuk jam nesër në këtë pozitë, dhe në këtë kuptim është vërejtur te ne si çështje problematike.

Andaj, unë mendoj se duhet ta kemi një menaxhment që do të merret ekskluzivisht me këtë punë për 8 orë me radhë. Pra, tash është shpallur konkursi dhe mendoj se pas gjithë këtyre viteve, të jemi në gjendje ta përmbyllim me sukses këtë konkurs.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke e pasur parasysh buxhetin e vogël për sistemin e shëndetësisë, si mendoni ta përmirësoni gjendjen aktuale, e cila, siç dihet, nuk është në nivelin e duhur?

CURR GJOCAJ

Ky është një problem shqetësues, dhe e gjithë reforma ka synuar që ta ndryshojë këtë gjendje. Dihet se kemi vuajtur prej një financimi shumë të dobët. Por, pakoja legjislative tash mundëson që financimi të jetë më i mirë në ditët në vijim. Tashmë edhe Ligji për sigurime shëndetësore ka kaluar dhe në janar të vitit të ardhshëm pritet të vilen edhe premiumet e para. Në një formë ose tjetër, llogaritet që viti që vjen pritet ta përmirësojë shumë gjendjen financiare.

Jemi të detyruar ta bëjmë edhe legjislacionin sekondar dhe t’i ndajmë ata që janë të liruar nga bashkë-pagesa dhe do të bëhen listat e shërbimeve, pra obligative që do t’i ofrojnë institucionet publike. Të gjitha këto, pa diskutim mundësojnë të ketë të hyra, sepse nuk ka gjithmonë vetëm shërbime urgjente. Qytetarët do të kenë mundësinë të kërkojnë shërbime ekstra, për të cilat janë në gjendje të paguajnë. Dhe ne, në formë ligjore, do të ofrojmë një gjë të tillë dhe këto të hyra t’i mbeten institucionit dhe të përmirësohet cilësia e shërbimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej problematikave më së shpeshti të përmendura është lista esenciale me barna. A do të mund ta përmbushni 100 për qind?

CURR GJOCAJ

Mandatin sapo kam filluar. Ne premtojmë që do të ketë ngritje më së pari me një menaxhim më të mirë, vetvetiu do të përmirësohet. Pastaj lista esenciale e barnave dhe ajo e shërbimeve, të gjitha këto do të lejojnë mundësi që të ketë të hyra më shumë. Kjo lejon që të blejmë më shumë barna dhe do të rriten të hyrat në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve dhe do të kemi mundësi të blejmë barna më shumë.

Deri tash çështja e barnave është menaxhuar drejtpërdrejt nga Ministria e Shëndetësisë, derisa tash gradualisht i delegohet sistemit, dhe do të kemi mundësi ta menaxhojmë më mirë dhe të blejmë më shumë aty ku ka nevojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Korrupsioni në sistemin e shëndetësisë, gjithashtu, është përmendur si problem. Si do ta zgjidhni këtë çështje?

CURR GJOCAJ

Ne jemi të vendosur të punojmë me ligj. Ky është misioni im si drejtor i përgjithshëm. Do t’i luftojë dukuritë negative, të cilat me të drejtë ose pa të drejtë, ua kanë ulur imazhin e institucioneve publike shëndetësore. Këto dukuri, pamëshirshëm do t’i luftojmë ku kemi fakte. Duke e pasur mision ligjshmërinë, respektimin e ligjeve të institucioneve të pavarura, gradualisht do të stabilizohen. Aty ku ka fakte të bazuara se ka korrupsion, ne do të ndërmarrim masa të menjëhershme.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë institucionet që ju do t’i menaxhoni, e që bazuar me Ligjin e ri të shëndetësisë, janë futur nën ombrellën tuaj?

CURR GJOCAJ

Kjo pozitë përfshin gjithë sistemin publik shëndetësor dytësor dhe tretësor(terciar), përfshin edhe QKUK-në, që nënkupton se unë jam drejtor i të gjitha institucioneve publike dytësore dhe tretësore. Vetë baza ligjore ka mundësuar që kjo të jetë një derë udhëheqëse e shërbimeve profesionale e klinikave.

Edhe vetë klinikat do ta fitojnë një pavarësi të madhe, sepse do t’u delegohen kompetenca menaxherëve të këtyre klinikave. Në një formë ose tjetër, kjo është një goxha pozitë që rol kryesor e ka unifikimin e gjithë sistemit, pasi që jam garantues i mirë funksionimit të punëve në të gjitha këto institucione publike.

XS
SM
MD
LG