Ndërlidhjet

Kuvendi i Mitrovicës së veriut - sipas ligjit ose të shpërndahet


Mitrovicë...
Mitrovicë...

Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së veriut duhet të informohet për të gjitha punët që zhvillohen brenda komunës, të funksionojë dhe të marrë vendime të bazuara në ligj ose në të kundërtën duhet të shpërndahet, vlerëson kreu i këtij kuvendi, Ksenija Bozhoviq.

Ajo thotë se braktisja e seancave nga këshilltarët komunalë që përfaqësojnë komunitetin shqiptar, në rastet kur miratohen propozimet ose merren vendime të caktuara në këtë kuvend, por edhe zhvillimi i punimeve, siç ishte rivendosja e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” nën udhëheqjen e kryetarit të kësaj komune, Goran Rakiq, pa u pyetur dhe konsultuar Kuvendi komunal, e pamundësojnë funksionimin normal të këtij kuvendi.

Bozhoviq thotë për Radion Evropa e Lirë se në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së veriut, ditën e premte, ku ishte diskutuar situata politike në këtë komunë pas rivendosjes së barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” mbi urën qendrore mbi lumin Ibër, këshilltarët komunalë shqiptarë kishin braktisur seancën.

Kjo sipas saj, kishte ndodhur pas propozimit që një numër i rrugëve të shndërrohet në zonë për këmbësorë.

“Ai propozim është justifikuar me arsyet për situatën që është aktualisht. Ai propozim për vendim është miratuar me dhjetë vota, kurse një ka qenë kundër. Këshilltarët shqiptarë e kanë braktisur seancën e Kuvendit. Nuk kanë marrë fare pjesë në diskutim dhe nuk kanë dhënë kurrfarë shpjegimi. Nëse kanë qenë kundër një vendimi të tillë, ata është dashur t’i paraqesin pikëpamjet e kundërta dhe të mos votojnë, e jo të braktisin seancën pa asnjë diskutim”, thotë Bozhoviq.

Por, Emir Azemi, këshilltar në Kuvendin komunal të Mitrovicës së veriut, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon arsyet e braktisjes së seancës së fundit të kuvendit.

Sipas tij, tash e gjashtë muaj që kur ka nisur punën Kuvendi Komunal i Mitrovicës së veriut, vendimet në Kuvend po diktohen, siç thotë ai, nga jashtë dhe vullneti i këshilltarëve nuk është respektuar.

Sipas tij, jashtë rendit të paraparë të ditës, që ishte diskutimi për situatën politike, në moment të fundit ishte parashtruar propozimi për, siç e quan ai, shëtitoren.

“Një nga delegatët në Kuvend, propozoi që të shpallë një shëtitore nga Lagjja e Boshnjakëve deri te Tre Rrokaqiejt. Ne u zumë në befasi, sepse nuk ishim të informuar si kuvendarë për një gjë të tillë dhe pa na dhënë të drejtën që ta debatojmë këtë, në mënyrë tinëzare ata pretendonin ta fusnin në votim këtë çështje. Ne u thamë se kjo tashmë është barrikadë e dyfishtë, sepse përveç që e keni ndërprerë lidhjen në mes jugut dhe veriut, po na i ndërprisni edhe lidhjet tona në mes Lagjes së Boshnjakëve, Tre Rrokaqiejve dhe Suhodollit dhe kurrsesi kjo nuk duhet të hidhet në votim”, tregon Azemi.

Ai shton se kryesuesja e seancës në Kuvend e kishte futur propozimin në votim pa ua dhënë fjalën këshilltarëve shqiptarë për t’i cekur vërejtjet e tyre. Ky, sipas tij, ka qenë shkaku që kanë braktisur seancën kur propozimi ishte hedhë në votim.

Në anën tjetër, Bozhoviq thotë se propozimi nuk ka të bëjë me shëtitore, por siç e quan ajo, zonë për këmbësorë.

Megjithatë, Bozhoviq pranon faktin se kryetari i komunës, Goran Rakiq, fare nuk e ka informuar Kuvendin komunal lidhur me vendosjen e të ashtuquajturit “Park i paqes” mbi urën qendrore mbi lumin Ibër dhe se ky kuvend, e sipas saj as qytetarët, fare nuk kanë gisht në rivendosjen e barrikadës.

Ajo e kundërshton mënyrën se si ka vepruar kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Rakiq, duke theksuar se veprimet e tilla e bëjnë të pavlefshëm ekzistencën e Kuvendit Komunal.

“Ky kuvend duhet të njoftohet për të gjitha ngjarjet dhe të gjitha ndërtimet që ndodhin në territorin e saj(komunës), ku ajo edhe funksionon. Pikërisht kjo është edhe arsyeja që unë edhe në seancën e fundit të kuvendit, si kryetare, kam theksuar se ky kuvend ose duhet të funksionojë si duhet dhe t’i sjell vendimet në përputhje me ligjin ose thjesht, ku kuvend të shpërndahet. Kjo për faktin se mjaft gjëra po bëhen duke anashkaluar Kuvendin”, vlerëson Bozhoviq.

Rivendosjen e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes, këshilltari Azemi e quan veprim të jashtëligjshëm nga ana e kryetarit Rakiq. Siç thotë ai, tashmë është e dukshme tendenca që përmes Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut, të shtyhen interesat nacionale të një shteti fqinj, në këtë rast Serbisë.

“Dje ia kam bërë të qartë kryesueses se ne nuk do të marrim pjesë në këtë kuvend satelit, i cili merr vendime pa konsulta me ne. Njëkohësisht, i kemi treguar se çdo vendim që duhet të merret në Kuvend, paraprakisht duhet të dërgohet te ne, të konsultohet, të dërgohet në Komitetin për politikë dhe financa, si dhe vetëm në këtë rrugë ne do të kthehemi në institucion. Përndryshe, ne nuk mund të jemi pjesë e një institucioni ku ekzekutor jemi ne dhe vendimet merren në dëm të komuniteteve jo serbe”, deklaron Azemi.

Ndryshe, Bozhoviq ka shmangur dhënien e vlerësimit të saj rreth asaj se a ka qenë ose jo i ligjshëm veprimi i kryetarit Rakiq kur ka vendosur “Parkun e paqes”, duke theksuar se nuk jep vlerësime për gjërat, në të cilat nuk ka qenë e përfshirë dhe as e njoftuar.

XS
SM
MD
LG