Ndërlidhjet

Tensionet ndëretnike, të ndikuara nga politika


Protestë në Shkup, foto nga arkivi
Protestë në Shkup, foto nga arkivi

Pushteti gjyqësor apostrofohet si një nga nxitësit më të mëdhenj të tensioneve ndëretnike në vend, në veçanti pas proceseve të kontestueshme gjyqësore, siç është ai i dënimit me burg të gjashtë shqiptarëve për vrasjen e pesë maqedonasve në Smillkovcë.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve etnike si dhe ekspertët juridik duke komentuar rastin “Monstra“, si dhe protestat që në vazhdimësi po përcjellin këtë rast për shkak të pretendimit se ka të bëjë me proces të montuar gjyqësor.

Ekspertët thonë se dyshimet ndaj gjyqësorit shtohen edhe më shumë kur dihen epilogu edhe i proceseve tjera, ndërsa veçojnë rastin e Sopotit, ku për vendosjen e një mine nga e cila kishin humbur jetën dy ushtarë të NATO-s, ishin dënuar 10 banorë shqiptar të fshatit me mbi 150 vite burg, por që pas protestave e paraqitjes së dëshmive të shumta vendimet janë anuluar dhe rasti është kthyer për rigjykim.

“Përshtypjet e paradokohshme se gjyqësori në Maqedoni ndikohet shumë nga politika, tani kanë marr dimensionin e një bindjeje se gjyqësori kontrollohet nga pushteti. Kulmi i këtij ndikimi të politikës mbi punën e gjyqësorit, u vërtetua edhe me rastin 'Monstra', kur ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska, që në zanafillën e këtij rasti, para procedurës hetimore deklaroi se kemi të bëjnmë me terrorizëm të islamit radikal. Mendoj se paragjykimi i rastit në fjalë, por edhe i disa rasteve të tjera, i kuptoj si arsyetim i politikave shumë nacionaliste, të cilat i praktikon ekzekutivi aktuale“, thotë Mersim Pollozhani, ekspert juridik dhe ish zëvendësministër i drejtësisë.

Edhe nga Qendra për tolerancë ndëretnike tërheqin vërejtjen për siç thonë, rreziqet që bartin ndaj stabilitetit të vendit, vendimet e orkestruara gjyqësore nga ana e subjekteve të caktuara politike.

“Në përgjithësi pushteti gjyqësor është i politizuar dhe jo të gjitha vendimet sillen bazuar ne fakte. Rastet e fundit e para së gjithash 'Monstra' dhe pakënaqësitë e shprehur ndaj procesit gjyqësor, si dhe protestat qoftë nga njëra palë apo tjetra, tregojnë për gjendjen në të cilën ndodhet gjyqësori. Konsideroj se situata të këtilla do të kemi deri sa nuk ndryshohet gjendja në pushtetin gjyqësor i cili përdoret nga partitë politike varësisht interesave të tilla, por në një shtet multietnik siç është Maqedonia kjo mund të ketë pasoja të mëdha, andaj të gjithë duhet të punojnë që të kemi gjyqësi të pavararur dhe profesionale“, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për tolerancë ndëretnike.

Kritika ndaj pushtetit gjyqësor ka drejtuar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e qeverisë.

Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari publikisht i ka bërë thirrje Gjykatës së Apelit ku pritet të ankimohet vendimi që të shqyrtoj mirë rastin dhe të sjell vendim të bazuar në fakte.

Por, derisa nga BDI-ja kritikojnë gjyqësorin e në veçanti siç theksojnë element të caktuar të cilët janë quajtur edhe fashistë, nga VMRO-DPMNE-ja kanë kërkuar që të mos bëhet presion nga vendimeve të gjyqësorit.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska e cila ende pa nisur procesi gjyqësor i kishte shpallur fajtor të akuzuarit për rastin “Monstra“, tani bëri thirrje që të mos bëhet presion ndaj vendimeve të gjyqësorit.

Ajo tha se përkrahë të drejtën e protestave, si e drejtë demokratike e garantuar me Kushtetutë, por gjithashtu ka bërë thirrje për protesta paqësore që nuk do të rrezikonin rendin dhe qetësinë publike.

XS
SM
MD
LG