Ndërlidhjet

Si mund ta ndihmojë Irani Irakun në luftën kundër ISIL-it?


Një pjesëtar i Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit me flamurin e ISIL
Një pjesëtar i Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit me flamurin e ISIL

Për të ndihmuar Qeverinë e kryeministrit irakian, Nuri al-Maliki, që të luftojë militantët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit, të njohur si ISIL, Irani mund të ofrojë ndihmë të konsiderueshme përmes Korpusit të Gardës Revolucionare, i cili ka qenë aktiv gjatë dekadës së fundit në Irak, thonë analistët.

Afshon Ostovar, analist për Lindjen e Mesme në Qendrën për Analiza Detare, beson se ndihma ushtarake e Iranit për Irakun do të fokusohej në disa sfera: këshillim, trajnim, planifikim dhe koordinim, informacion dhe inteligjencë, si dhe furnizim me materiale ushtarake.

Hulumtuesi me seli në Gjenevë, Farzan Sabet, thotë se Irani ka të ngjarë të mohojë çdo përfshirje ushtarake në Irak. Ai thotë se preferenca e Iranit për “gjurmë të lehta” është konfirmuar në një numër rastesh që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979.

“Irani është mbështetur në operacione të vogla dhe të matura dhe në njësite të inteligjencës, që mbledhin informata vitale dhe veprojnë si trajnues ose këshilltarë për të realizuar qëllimet e tij”, ka shkruar Sabet në një artikull më 30 qershor, i cili analizon ndërhyrjen potenciale ushtarake të Iranit në Irak.

Raportet sugjerojnë se Irani ka dërguar tashmë njësitet elitë të Gardës Revolucionare, forcat Kods, për të ndihmuar al-Malikin, edhe pse zyrtarët iranianë mohojnë një gjë të tillë, duke thënë se ata janë të gatshëm të dërgojnë armë nëse Iraku i kërkon ato.

Ostovar thotë se numri i forcave Kods dhe njësiteve të tjera të specializuara të Gardës Revolucionare është relativisht i vogël – në disa qindra.

Ai beson se roli i forcave Kods në Irak do të jetë i ngjashëm me rolin e tyre në Siri, ku, përmes trajnimeve dhe masave të tjera, kanë ndihmuar presidentin sirian, Bashar al-Assad, të mbetet në pushtet.

“Forcat Kods do të ndihmojnë ndoshta në dy nivele kryesore: nivelin politik, duke ndihmuar rritjen e mbështetjes për al-Malikin në mesin e militantëve shiitë dhe duke riorganizuar përgjigjen ndaj ISIL-it, dhe në nivelin tokësor, duke ndihmuar trajnimin, organizimin dhe koordinimin e forcave të parregullta shiite”, thotë Ostovar.

Mohsen Milani, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Studime Strategjike dhe Diplomatike në Universitetin e Floridës Jugore, beson se Irani do të bëjë përpjekje të mobilizojë milicinë shiite, e cila ka qenë e heshtur viteve të fundit.

“Me siguri se do të përpiqet që të rigrupojë dhe riarmatosë Birgadën Badr. Po ashtu mund të ndërmarrë një hap më kontrovers, duke nxitur ushtrinë Mahdi të klerikut shiit, Muqtada al-Sadr, që t’iu bashkohet luftimeve”, ka thënë Milani në një analizë të publikuar më 22 qershor në Foreignaffairs.com.

Ostovar thotë se forcat Kods do të koordinojnë rolin e grupeve militante shiite në luftën kundër ISIL-it.

“Komandantët e forcave Kods kanë punuar për së afërmi me grupet militante shiite në të kaluarën dhe kanë organizuar përfshirjen e tyre në Siri”, thotë ai.

Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike ka thënë më 2 korrik se, bazuar në analizat e një videoje që kanë publikuar autoritetet irakiane, Irani ka furnizuar Irakun me aeroplanë Sukhoi.

Raporti ka thënë se nuk është e qartë nëse avionët do të drejtohen nga forcat iraniane.

Ostovar thotë se është e rëndësishme të theksohet se këta aeroplanë janë pjesë e flotës ajrore të Gardës Revolucionare të Iranit.

“Do të isha i befasuar nëse pilotët e Gardës Revolucionare nuk veprojnë se paku si këshilltarë ose trajnues për këta avionë”, thotë Ostovar.

Ai po ashtu thekson se koordinimi apo bashkëpunimi i drejtpërdrejtë ushtarak në Irak, midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ka pak gjasa të ndodhë.

Edhe zyrtarët amerikanë kanë përjashtuar çdo bashkëpunim ushtarak me Iranin.

XS
SM
MD
LG