Ndërlidhjet

Nga 17 korriku nis "beteja" në Kuvendin e ri


Kuvendi i Kosovë
Kuvendi i Kosovë

Përcaktimi i grupeve parlamentare në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës pritet të jetë çështja kryesore në këtë fazë të konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.

Presidentja Atifete Jahjaga, ka caktuar datën 17 korrik për mbajtjen e seancës constitutive të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, tani u mbetet ish-kryetarit të Kuvendit dhe Kryesisë në largim që të caktojnë rendin e ditës për këtë seancë. Pika kryesore këtu do të jetë përcaktimi i grupeve parlamentare.

Duke u thirrur në rezultatin e zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës insiston se asaj i takon vendi i grupit më të madh dhe rrjedhimisht edhe e drejta e kandidimit të kryetarit të Kuvendit.

Kurse duke u thirrur në marrëveshjen pas zgjedhjeve të njëjtin pretendim e kanë edhe blloku i partive LDK, AAK dhe Nisma të cilat janë bashkuar ën një grup të vetëm parlamentar në mënyrë që të përbëjnë shumicën në Kuvend.

Liderët e partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë mbajtur edhe të hënën një takim të përbashkët ku kanë diskutuar pikërisht çështjen e formimit të Grupit të përbashkët parlamentar.

Pas takimit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se me partnerët e koalicionit, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn kanë biseduar pikërisht rreth përgatitjeve për seancën e parët ë Kuvendit.

Ai është shprehur i bindur se këto parti politike mund ta formojnë grupin e përbashkët parlamentar, në mënyrë që të marrin të drejtën e propozimit dhe zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

“Biseduam lidhur me përgatitjen e seancës së Kuvendit. Lidhur me qasjen e grupit të përbashkët parlamentar në mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Kemi të drejtë dhe do të formohet grupi parlamentar”, ka thënë Mustafa.

Ndërkohë, në Partinë Demokratike të Kosovës nuk janë prononcuar rreth përgatitjeve për seancën e parë të Kuvendit.

Por, në deklaratat e mëhershme të zyrtarëve të saj, është mbrojtur qëndrimi që posti i kryetarit dhe i një nënkryetari të Kuvendit i takon kësaj partie politike.

Dështimi eventual në këtë pikë, e cila sjell si rrjedhojë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit mund të çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme, ende pa ardhur në rend të ditës zgjedhja e qeverisë.

Andaj, mund të pritet që edhe në lidhje me këtë çështje, me kërkesë të ish organeve drejtuese të Kuvendit, presidentja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretime, ngjashëm siç veproi edhe për çështjen e caktimit të mandatarit të qeverisë.

Por, analisti i Institutit Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj nuk vëren se ka paqartësi. Ai thotë se Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës e parashohin qartë se kush e kandidon kryetarin e Kuvendit.

Rregullorja e Punës dhe Kushtetuta e Kosovës thotë se grupi më i madh parlamentar propozon për kryetar të Kuvendit një kandidat të caktuar. Kjo më duket se është e qartë. Se kush do të jetë grupi më i madh parlamentar kjo varet pas momentit të konstituimit të Kuvendit”, është shprehur Selmanaj.

Sidoqoftë, i mbetet Kryetarit nga legjislatura e mëparshme dhe e përbërjes së Kryesisë së kaluar të Kuvendit të thërrasin mbledhje të përbashkët me kryetarët e partive që kanë fituar vende në Kuvend, për ta përgatitur propozimin e rendit të ditës për mbledhjen konstituive.

Pika kryesore pritet të jetë ajo e caktimit të grupeve parlamentare, marrë parasysh pretendimet e PDK-së në njërën anë dhe të bllokut LDK, AAK, Nisma në anën tjetër.

Në rendin e ditës së mbledhjes konstituive duhet të përfshihen edhe formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit, të mandateve si dhe zgjedhja e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit.

Seanca e parë do të udhëhiqet nga dy deputetë sipas moshës më të vjetër dhe më të re. Kjo lë të nënkuptohet se seanca e parë do të drejtohet nga Flora Brovina (PDK), si deputetja më e vjetër dhe Teuta Rugova (LDK), deputetja më e re në moshë.

Nëse arrihet të kalohet pika e caktimit të grupeve parlamentare dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, vetëm atëherë do të mund të procedohet tutje hapi tjetër i zgjedhjes së qeverisë së re të vendit, sipas dy mundësive që tashmë i ka parashikuar edhe vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese.

XS
SM
MD
LG