Ndërlidhjet

Mungesë e kuadrove në sistemin e drejtësisë


Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve vazhdon të jetë i pamjaftueshëm në krahasim me numrin e lëndëve që janë në gjykata, thonë zyrtarët nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Ata deklarojnë se nga mungesa e kuadrove në procesin e emërimit dhe riemërimit janë paraqitur disa probleme.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Enver Peci tha për Radion Evropa e Lirë se mungesa e kuadrove në gjyqësor është evidente për vite me radhë.

“Ne jemi për momentin duke i kryer procedurat për plotësimin e vendeve me gjyqtar të nevojshëm, nga analizës që e kemi bërë dhe nga kërkesat me raste në gjykatat të Kosovës. Dje, kanë dhenë betimi dy gjyqtar në dhomën e posaçme të Gjykatëse Supreme”, tha Enver Peci për Radion Evropa e Lirë.

Ai bëri të ditur se deri më tash, procedurat e konkurseve për kandidatë në gjykatat e apelit kanë përfunduar, sikurse edhe intervistat për Gjykatën Supreme.

Kurse, sipas tij, pritet që shumë shpjet që të përfundojnë procedurat e intervistimit për gjyqtarët e gjykatave themelore, ku është numri më i madh i nevojave.

“Në bazë të ngarkesave, të ardhjes së lëndëve, në bazë të lëndëve në punë që kanë qenë dhe po ashtu të pritshmërisë për tri vitet e ardhshme, analizës që e kemi bërë, nevoja më e madhe është te niveli themelor, për shkak se aty është numri më i madh i lëndëve të grumbulluara".

"Në Gjykatën e Apelit veç e kemi bërë atë analizë, besoj se me numrin që do të plotësohet tash do të ketë efikasitet normal. Nuk ka problem sa i takon Gjykatës Supreme. Prishtina është me problematike, aty janë 22 pozita që duhet me u plotësuar për nivel të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, tha Peci.

Sipas deklaratave nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës numri i përgjithshëm i gjymëtarëve që kërkohen për nivelin themelor janë 45, 8 për Gjykatën e Apelit, një në Gjykatën Supreme, tre janë kërkuar për dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme.

Ndryshe, në mungesë të numrit të mjaftueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve, numri i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë i lartë në gjykata.

Sipas zyrtarëve, konsiderohet se numri i lëndëve të pazgjidhura mund të jetë rreth 200 mijë.

Çështja e lëndëve të papërfunduara vazhdon të shkaktojë probleme të mëdha për sistemin e drejtësisë në vend, kanë thënë përfaqësuesit e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Edhe përfaqësuesit nga shoqëria civile thonë se për këtë çështje Kosova disa herë është kritikuar nga Bashkimi Evropian.

Fisnik Korenca nga Grupi për Studime Juridike, thotë se çështja e numrit të madh të lëndëve të pazgjidhura në sistemin e drejtësi dhe mungesa e gjyqtarëve e prokurorëve sërish në raportin e progresit do të përmendet si një ndër kritikat e tjera që mund të vijnë.

“Kjo gjendje është rezultat i numrit të vogël të gjyqtarëve që ka aktualisht sistemi i drejtësisë dhe po ashtu edhe prokurorëve. Po gjithashtu kjo gjendje shpreh edhe një mungesë të potë të përkushtimit të Kuvendit të Kosovës që të akordojë një buxhet më të madh për sistemin e drejtësisë në mënyrë që ai të jetë në gjendje të rrisë përmes kapaciteteve financiare edhe kapacitete e saj humane”, tha Korenica.

Korenica konsideron se përveç mungesës së kuadrove, sistemit të drejtësisë, gjyqtarëve dhe prokurorëve, është duke munguar edhe një kontroll i performacës.

“Sistemit të drejtësie po i mungon e një kontroll i perfomacës dhe të standardit profesional të të dy këtyre dy profesioneve vetërregulluese, gjë e cila shpeshherë reflekton me një produkt dhe kualitet shumë të dobët të vendimeve gjyqësore, por edhe atyre prokuroriale”, tha Korenica.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë i kanë inkurajuar organet përgjegjëse që të krijojnë një sistem të pavarur e të pandikuar të drejtësisë, i cili do të ishte më efikas dhe më efektiv.

XS
SM
MD
LG