Ndërlidhjet

Gjermania – kampione, entuziazëm i madh i simpatizuesve


Fitorja e Kupës së botës 2014 për ekipin e Gjermanisë
Fitorja e Kupës së botës 2014 për ekipin e Gjermanisë

Futbollistët e kombëtares së Gjermanisë e kanë fituar titullin e Kampionit Botëror, pasi të dielën vonë në finale e mundën Argjentinën me rezultat 1:0.

Golin e vetëm e shënoi Mario Goetze, shtatë minuta para përfundimit të lojës shtesë, pasi takimi në kohën e rregullt përfundoi me rezultat 0:0.

Ky është titulli i katërt i Kampionit Botëror për Gjermaninë.

Kjo kombëtare është skuadra e parë evropiane, që ka fituar në kampionatin e organizuar në Amerikën Latine.

Gjermania dominoi në pjesën më të madhe të lojës, ndërsa lojtari më i mirë i Argjentinës, Lionel Messi, dukej se kishte probleme. Megjithatë, ai u shpall lojtari më i mirë i kampionatit.

Portieri i Gjermanisë, Manuel Neuer, është zgjedhur portieri më i mirë, ndërsa golashënuesi më i suksesshëm ishte futbollisti i Kolumbisë, James Rodriguez, i cili ka shënuar gjashtë herë.

Kjo fitore është festuar në gjithë Gjermaninë, ndërsa në Berlin afro 300 mijë vetë ishin mbledhur në Brandenburg Gate, për ta shikuar ndeshjen në ekranin e madh televiziv, megjithëqë binte shi.

Ja se si e vlerësuan fitoren e Gjermanisë dy simpatizues:

“Ishte e mrekullueshme. Ata e patën një Kupë Botërore të shkëlqyeshme. Nuk mund të ankohemi. Ne jemi vetëm të lumtur, apo jo?", tha simpatizuesi Wehmeyer.

Atmosferë të tillë kishte edhe dashamiri tjetër i futbollit nga Gjermania.

Super. Ishte e shkëlqyeshme. Mbresëlënëse. Goetze ishte i mrekullueshëm. Tash na mbetet që në vitin 2018 të jemi prapë Kampion Botëror”, tha simpatizuesi Ballauff.

Brazilit i janë dhënë merita për organizimin e suksesshëm të kampionatit, ndërsa 64 ndeshjet e turneut i shikuan afro 3.5 milionë njerëz.

Megjithatë, kombëtarja e Brazilit nuk i realizoi pritjet, duke u plasuar në vendin e katërt dëshpërues, pas dy humbjeve të njëpasnjëshme, në gjysmë finale kundër Gjermanisë, me rezultat katastrofal 1:7, dhe Holandës, për medaljen e bronztë, me rezultat 0:3.

Shumë njerëz në Brazil i kishin lënë anash vërejtjet lidhur me çmimin e madh prej 11 miliardë dollarësh për organizimin e Kampionatit Botëror, që ka zgjatur një muaj.

Finalja ndërmjet Gjermanisë dhe Brazilit dhe ndeshjet e tjera të këtij turneu, janë ndjekur nga një audiencë globale në televizion dhe media sociale, ndërsa edhe vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ishte përfshirë nga një entuziazëm, pasi SHBA-ja ishte kualifikuar për pjesën finale, me ç’rast për kampionat ishte shprehur në rrjetin Twitter, derisa gjendej në aeroplanin presidencial, Air Force One.

Në Kampionatin Botëror të Futbollit në Brazil, u shënuan 171 gola në 64 takime, duke u barazuar kështu rekordi i arritur në kampionatin në Francë, në vitin 1998.

Dy nga këta gola ishin dhënë nga futbollisti gjerman, Miroslav Klose, i cili tash është golashënuesi më i mirë i kampionateve botërore, me gjithsej 16 gola të shënuar.

Në këtë turne, për të parën herë u shfrytëzua teknologjia e linjës së golit dhe spreji zhdukës gjatë goditjeve të dënimit. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG