Ndërlidhjet

Maqedoni: Diplomatët, të lodhur me premtimet boshe të Shkupit


Shkup...
Shkup...

Sipas analistëve për marrëdhënie ndërkombëtare, diplomatët e huaj janë lodhur nga premtimet boshe të autoriteteve maqedonase se angazhohen fuqishëm për të gjetur një zgjidhje sa i përket kontestit për çështjen e emrit, rrjedhimisht edhe zhbllokimin e procesit të integrimit.

Ish-diplomati maqedonas, Nano Ruzhin, thotë se diplomatja amerikane Viktoria Nuland tashmë i ka më se të njohura veprimet populiste të kreut të Qeverisë së Maqedonisë.

Sipas tij, fjalori i përdorur nga ana e diplomates amerikane gjatë takimeve me kreun e shtetit dhe me përfaqësues partish politike, ka qenë shumë më tepër i drejtpërdrejtë, i ashpër, urdhërdhënës e kërcënues, se sa një porosi e thjeshtë diplomatike, veçanërisht në pjesën e marrëdhënieve ndëretnike, si dhe moszbatimit të detyrimeve të Maqedonisë sa i përket integrimit.

“Ajo ishte ambasadore e NATO-s gjatë vitit 2008, ishte dëshmitare e të gjitha atyre premtimeve, se ja, së shpejti do të zgjidhet çështja e emrit. Ajo atëkohë e inkurajonte delegacionin e Maqedonisë, por nga ky dimension kohor prej gjashtë vjetësh sa kanë kaluar, nuk kemi asnjë hap konkret në këtë drejtim”, konsideron Ruzhin.

Nga ana tjetër, Ramadan Ramadani nga iniciativa qytetare "Nisma" vlerëson se Nuland, ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, gjatë vizitës në Maqedoni ka hapur disa çështje që deri më tani asnjëra nga partitë shqiptare nuk i kishte hapur edhe atë duke fokusuar mosproporcionalitetin e investimeve në pjesët ku jetojnë shqiptarët.

“Po kishim vënien në pah të disproporcionalitetit të investimeve, sidomos në viset e banuara kryesisht me popullatë shqiptare. Në këtë rast, do të thosha se shuplaka më e madhe i takon faktorit politik shqiptar, i cili pothuajse asnjëherë deri më tani nuk e ka ngritur këtë çështje dhe u desh të vijë një zonjë nga SHBA-ja dhe të angazhohet për avancimin e çështjes së shqiptarëve të Maqedonisë më shumë se sa vetë ata”, vlerëson Ramadani.

Analistët, gjithashtu, theksojnë se një porosi e qartë nga diplomatja amerikane ishte dhe ajo se Maqedonia duhet të tregohet më e hapur, duke thelluar bashkëpunimin me vendet fqinje.

Ndryshe, të hënën pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, diplomatja amerikane Viktoria Nuland, krahas angazhimit të SHBA-së për t`i dhënë shtytje procesit të integrimit të Maqedonisë , ka fokusuar rëndësinë e dialogut politik ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni.

Ajo ka theksuar se me kryeministrin Gruevski ka biseduar se çka mund të bëjnë së bashku sa i përket rajoneve shqiptare të Maqedonisë përmes investitorëve, kompanive amerikane duke përafruar bashkëpunimin rajonal ekonomik.

XS
SM
MD
LG