Ndërlidhjet

Konstituimi i Kuvendit të ri, me shumë të panjohura


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Derisa bisedimet për koalicion ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma me Lëvizjen Vetëvendosje, tashmë kanë hyrë në një fazë kritike, analistët politikë konsiderojnë e në Kosovë ka një tensionim të skenës politike.

Ata thonë se krahas kësaj, gjendje tensionimi ka edhe për çështje teknike për atë se kush ku do të ulet në sallën e Kuvendit të Kosovës në seancën plenare të 17 korrikut.

Duke u thirrur në rezultatin e zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës insiston se asaj i takon vendi i grupit më të madh dhe rrjedhimisht edhe e drejta e kandidimit të kryetarit të Kuvendit.

Kurse, duke u thirrur në marrëveshjen pas zgjedhjeve, të njëjtin pretendim e ka edhe blloku i partive LDK, AAK dhe Nisma, që janë bashkuar në një grup të vetëm parlamentar, në mënyrë që të përbëjnë shumicën në Kuvend.

Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka vendosur që shumicën në Parlament e përbën blloku i partive LDK, AAK dhe Nisma dhe rrjedhimisht i takon pjesa qendrore e ulëseve në sallën e Kuvendit.

Analisti i Institutit Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, thotë se vendimet dhe rregullat e Kuvendit duhet të respektohen.

“Normalisht, që vendimet e organeve kompetente, në këtë rast të Kryesisë, duhet të respektohen, në përpikëri. Në të kundërtën, nëse ka tendenca të tilla që të iket nga kjo agjendë, unë mendoj se më pas mund të flasim për një tendencë për të përmbysur rregullat dhe procedurat, të cilat janë vendosur me Rregulloren e punë së Kuvendit të Kosovës”, thotë Selmanaj.

Ai mendon se çfarëdo tendence apo taktike tjetër e veprimeve nga subjektet politike për të ndryshuar agjendën e seancës plenare, mund shkojnë në dëm të vendit.

“Mund të pritet edhe tension. Unë nuk mund të them se kjo mund të derivojë edhe në situata më të rënda se sa vetë tensioni, por unë mendoj se do të ketë ndoshta edhe tendencë për të bllokuar edhe konstituimin e Kuvendit".

"Ato veprime nuk do t’i shkojnë përshtati askujt – përkundrazi do të bartin një mesazh shumë të keq për përkushtimin që subjektet politike u japin vendeve se ku ulen dhe jo rreth asaj kush mund të ketë 61 vota apo shumicën e konsoliduar, ose shumicën e nevojshme për të themeluar institucionet”, shpjegon Selmanaj.

Kurse, analisti politik, Halil Matoshi, konsideron se seanca e 17 korrikut në Kuvend nuk do të ketë tensione, por, sipas tij, do të ketë tendenca që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Mund të ketë krijim të klimës ku nuk mund të funksionojnë organet e Kuvendit, përkatësisht nuk mund të zgjidhen organet e Kuvendit dhe bllokadë të procesit. Pra, tendencë për zgjedhje të jashtëzakonshme, po jo tendenca të dhunshme, të paktën unë nuk pres diçka të tillë", shprehet Matoshi.

Sido që të jetë, Selmanaj konsideron se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje ndërmjet bllokut opozitat LDK, AAK dhe Nisma, me Vetëvendosjen, në Kuvend do të jetë një situatë e re politike.

“Nëse nuk arrin askush e as blloku opozitar që të krijojë 61 deputetë për të krijuar organet drejtuese të qeverisë, atëherë bart mesazhin që askush nuk i ka numrat as për themelimin e qeverisë. Kjo më pas e hap mundësinë edhe për zgjedhjet e parakohshme, por ne mendojmë që zgjedhjet në këtë situatë të ngërçit politik, nuk do të ishin zgjidhje e problemit”, vlerëson Selmanaj.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë që vizituan Kosovën ditëve të fundit u kanë bërë me dije liderëve në Prishtinë se qeveria e re, përveçse duhet të jetë përfaqësuese e shumicës dhe të formohet konform ligjeve dhe Kushtetutës, do të duhet të jetë e gatshme t'i vazhdojë bisedimet me Serbinë dhe t’i implementojë obligimet e ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG