Ndërlidhjet

Rakiq: Nuk kemi nënshkruar memorandum për sheshet


Mitrovicë
Mitrovicë

“Parku i paqes” në urën qendrore mbi lumin Ibër është vendosur për shkak se filluan provokimet e shqiptarëve nga ana jugore, pas heqjes së barrikadës së betonit, tha në një intervistë për shërbimin në gjuhën serbe të Radios Evropa e Lirë, Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës veriore.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Rakiq, pse është ndërtuar “Parku i paqes” mbi urën qendrore dhe më pas pasoi edhe paralajmërimi për ndërtimin e sheshit “Mbreti Lazar”, gjithashtu afër urës qendrore mbi lumin Ibër?

GORAN RAKIQ

Menjëherë pas heqjes së barrikadës mbi urë, e cila ka qenë nga betoni, shtyllat e betonit, kam vendosur që t’i qasem ndërtimit të “Parkut të paqes”, sepse menjëherë pas heqjes së barrikadës, filluan provokimet nga ana jugore nga ana e shqiptarëve. Me qëllim që të ulen tensionet, vendosa që të bëj diçka të tillë dhe menjëherë e kam thirrur kryetarin e Komunës së Mitrovicës jugore që ta bëjë të njëjtën gjë dhe të vendosë ndërtimin e parkut edhe në anën jugore të lumit Ibër.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, zoti Rakiq, a e keni marrë parasysh që ndërtimi i një shesh i tillë - po flasim për sheshin e “Mbretit Lazar” – mund të konsiderohet si provokim për shqiptarët dhe bashkësitë tjera, të cilat jetojnë në këtë hapësirë? Çka po ndodh, ka filluar apo jo ndërtimi i sheshit?

GORAN RAKIQ

Sa i përket ndërtimeve të sheshit “Mbreti Lazar”, si dhe zonës së këmbësorëve në komunën veriore të Mitrovicës, në afërsi të urës mbi lumin Ibër, për këtë ekziston vendimi i Kuvendit të Komunës. Ata ma kanë dërguar atë vendim mua, si kryetar të komunës. Unë i kam urdhëruar arkitektët e shërbimeve të urbanizmit dhe trafikut që ta punojnë elaboratin dhe më pas do ta sjellim vendimin përfundimtar për fillimin e punëve për zonën e këmbësorëve dhe për ndërtimin e sheshit “Mbreti Lazar”.

Por, siç e dini, shqiptarët, pa vendimin e Kuvendit dhe pa asnjë leje nga pushteti lokal, gjithashtu kanë ndërtuar, të them ashtu, apo kanë vendosur dy vazo të betonit, një në Lagjen e Boshnjakëve dhe një në rrugën që çon kah Suhodolli dhe kanë shpallur dy sheshe, “Sheshi Adem Jashari” dhe “Sheshi i UÇK-së”. Për këtë nuk kanë pasur asnjë leje, as nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së veriut, e as nga shërbimet lokale kompetente.

RADIO EVROPA E LIRË
Lidhur me këtë, autoritetet në Prishtinë kanë deklaruar që është arritur një memorandum për pezullimin e të gjitha ndërtimeve, derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme lidhur me këto ndërtime. Sa i përket palës serbe, a do ta respektoni ju atë memorandum?

GORAN RAKIQ

Ka pasur bisedime në Prishtinë, në Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësinor, me ministrin Dardan Gashi. Por, megjithatë, kurrfarë memorandumi nuk është nënshkruar. Sa i përket ndalimit të ndërtimeve, kjo ka të bëjë me vendbanimin Kroi i Vitakut ose siç e quajnë ata “Lugina e doktorëve”.

RADIO EVROPA E LIRË
E keni fjalën për shtëpitë e shqiptarëve?

GORAN RAKIQ

Po, për shtëpitë e shqiptarëve. Më duhet të tërheq vërejtjen se as shtëpitë e shqiptarëve e as shtëpitë e serbëve nuk do të ndërtohen më pa lejen e pushtetit lokal.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në fund, zoti Rakiq, ju më herët patët kërkuar një takim me kryetarin e Komunës së Mitrovicës jugore, Agim Bahtirin. Për çka mund të bisedoni dhe sa mund të rritet bashkëpunimi ndërmjet dy komunave, të veriut dhe të jugut?

GORAN RAKIQ

Unë menjëherë e kam thirrur zotin Bahtiri, kryetar i Komunës së Mitrovicës jugore, që ta mbështesë “Parkun e paqes” dhe që këtë ta bëjë edhe në vazhdimin e urës kah ana jugore, me qëllim që t'i qetësojmë tensionet. Qëllimi ynë është që të mos lejojmë më kurrë që të ndodhin përplasjet ndëretnike.

Unë nuk dua ta emëroj zotin Bahtiri si iniciator të përplasjes dhe pse ai pjesërisht ka ndikuar në përplasjet që kanë ndodhur ditëve të kaluara. Por, me qëllim që të ulen tensionet dhe me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve, unë i bëj ftesë që të ulemi në tavolinë dhe t’i zgjidhim të gjitha problemet, të mos përdorim retorikë që do të mund t’i shërbente përshkallëzimit të konfliktit. Mund të ulemi në tavolinë, të bisedojmë dhe të mbështesim gjithçka që do t’i kontribuonte paqes, normalizimit të marrëdhënieve dhe uljes së tensioneve.

XS
SM
MD
LG