Ndërlidhjet

Savchenko, është zënë dhe dërguar me dhunë në Rusi


Pamje nga protestat për lirimin e pilotes ukrainase, Savchenko.
Pamje nga protestat për lirimin e pilotes ukrainase, Savchenko.

Oficerja e forcave ajrore të Ukrainës, Nadiya Savchenko, e cila është e arrestuar në Rusi, ka dhënë detaje për zënien e saj, gjatë një takimi me konsullin e Ukrainës, me ç’rast tha se ishte rrëmbyer nga separatistët pro-rusë në tokën e Ukrainës dhe me forcë e kanë transportuar në Rusi.

Pilotja 33 vjeçe ukrainase, Savchenko, është akuzuar në Rusi për dyshime për bashkëfajësi në vrasjen e dy gazetarëve rusë, më 17 qershor afër qytetit Luhansk, në pjesën lindore të Ukrainës, gjatë ofensivës së ushtrisë ukrainase kundër separatistëve.

Konsulli i Ukrainës, Hennadiy Breskalenko, është lejuar të takohet me Savchenkon, për të parën herë më 16 korrik, në një qendër të paraburgimit në qytetin Voronjezh, në pjesën jugperëndimore të Rusisë.

Konsulli ukrainas ka thënë se Savchenko, i ka thënë atij se ishte zënë afër Luhanskut, më 18 qershor, e pastaj ishte transportuar në Rusi, me pranga në duar dhe me thes në kokë.

Nadiya Savchenko
Nadiya Savchenko

Autoritetet e Rusisë i kishin refuzuar nëntë herë kërkesën e konsullit Breskalenko, që të takohet me piloten Savchenko.

Ajo i ka thënë konsullit se ajo kishte mbajtur një grevë urie shtatëditëshe, derisa e kishin lejuar të takohej me konsullin.

Sa i përket trajtimit të saj, oficerja ukrainase tha se nuk “ka ankesa lidhur me kushtet e burgosjes së saj aktuale” dhe se nuk është keqtrajtuar.

Komiteti hetues i Rusisë ka njoftuar javën e kaluar se Savchenko ishte burgosur në territorin e Rusisë, ku ajo kishte hyrë “pa asnjë dokument, duke pretenduar se ishte refugjate ukrainase”.

Më 9 korrik, një gjykatë në qytetin Voronjezh, urdhëroi që Savchenko të mbahet në paraburgim deri më 30 gusht.

Nga ana tjetër, Qeveria e Ukrainës ka këmbëngulë se Savchenko është zënë nga “terroristët” dhe është transferuar ilegalisht në Rusi. Ukraina ka kërkuar zyrtarisht lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të oficeres Savchenko.

Lidhur me këtë situatë është përfshirë edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Ajo ka shprehur “shqetësim” për transferin e Savchenkos dhe burgosjen e saj në territorin e Rusisë, pasi ishte “rrëmbyer” nga militantët. Zonja Ashton ka thënë se kjo çështje e shtron pyetjen e respektimit të obligimeve ndërkombëtare, që i ka marrë Moska.

“Ne i bëjmë thirrje Federatës Ruse që t'u nënshtrohet obligimeve të veta si anëtare e Këshillit të Evropës dhe palë e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha Ashton duke shtuar se “në këtë kontekst, ne mirëpresim që konsulli ukrainas në Federatën Ruse ka pasur mundësi të takohet me të”.

Nadiya Savchenko, e cila për 10 vjet ka shërbyer në forcat e armatosura të Ukrainës, muajin e kaluar i është bashkuar Batalionit Aidar vullnetar, që ishte i involvuar në ofensivën ushtarake të Kievit kundër kryengritësve pro-rusë në pjesën lindore të Ukrainës. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG