Ndërlidhjet

Qeveria kontrollon punën e Kuvendit


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë ka humbur logjikën e funksionimit, apo është vënë në shërbim të pushtetit ekzekutiv, në vend që të kontrollojë punën e tij. Një konstatim i tillë ka dalë nga një hulumtim i realizuar nga Instituti për Demokraci mbi rolin e Kuvendit ndaj punës së Qeverisë.

Vlladimir Misev, drejtues i Institutit, thotë se anketa vetëm sa vërteton pohimet se Kuvendi asnjëherë nuk ka pasur funksionin që i takon me Kushtetutë, që të jetë kontrollues i punës së pushtetit ekzekutiv.

“Deputetët janë shumë të varur nga Qeveria, por varësia e tyre para së gjithash është e lidhur me partitë që përfaqësojnë, andaj edhe shumë teoricienët këtë sistem e definojnë më tepër si partiokraci sesa demokraci në kuptimin e vërtetë të fjalës”, thotë Misev.

Ai, për gjendjen, në të cilën ndodhet Kuvendi, fajëson edhe sistemin elektoral, përkatësisht listat e mbyllura, meqë për atë nëse dikush do të jetë ose jo deputet, vendosin liderët partiakë dhe askush tjetër.

Sipas anketës së realizuar, mbi 80 për qind e të anketuarve kërkojnë që Kuvendi të kontrollojë punën e pushtetit, por kjo, sipas njohësve të çështjeve politike, është thuajse e pamundur.

Ata thonë se situata të këtilla ka pasur edhe më parë dhe se tani kjo është bërë dukuri normale, që gjithçka që servohet nga Qeveria, patjetër që duhet të miratohet nga deputetët, pa as edhe një ndryshim të vogël.

Një funksionim i tillë i Kuvendit bie ndesh me parimin e ndarjes së pushtetit. Ai, pra, është shndërruar në servis të pushtetit ekzekutiv, në vend që të jetë kontrollues i punës së tij. Pra, çdo gjë që propozohet nga qeveria vetëm se merr ‘aminin’ nga ana e deputetëve dhe në këtë mënyrë rrënon demokracinë dhe parimet e përcaktuara për punën dhe kontrollin e institucioneve”, thotë Mersel Bilalli, ish-deputet dhe njohës i çështjeve politike.

Ai thekson se Kuvendi ka shumë mekanizma për kontrollin e punës së Qeverisë, përfshirë edhe procedurën e votëbesimit, por kjo siç shprehet ai, është absurde të paramendohet në rrethanat, në të cilat funksionon Maqedonia.

I pyetur se sa bojkoti i opozitës përkeqëson rolin e Kuvendit, Bilalli thotë se edhe kur opozita ishte në Kuvend, ishte e pafuqishme t'u bëjë ballë formave të ndryshme që përdor shumica parlamentare dhe Qeveria, për heshtjen e apo minimizimin e synimit të saj për të kontrolluar apo kritikuar zgjidhjet e ofruara ligjore.

“Edhe sikur ta kishim opozitën, nuk do të kishte asnjë ndryshim. Ne shumë mirë e dimë se në të kaluarën kur i parashtroheshin pyetje Qeverisë, merreshin parasysh deputetët e shumicës parlamentare, duke bërë pyetje të porositura, kurse pyetjet e deputetëve opozitës nuk merrnin përgjigje të saktë, ishin të paqarta apo thuhet se përgjigja do të jepet më vonë me shkrim. Ndërsa edhe mekanizmat tjerë që i ka propozuar qeveria asnjëherë nuk kanë kaluar”, vlerëson Bilalli

Kuvendi i Maqedonisë që nga konstituimi i tij, dy muaj më parë, funksionon pa opozitën maqedonase, për shkak të mos njohjes së rezultatit zgjedhor, ndërsa opozita shqiptare fillimisht ka mbështetur të gjitha vendimet e Kuvendit, përfshirë edhe zgjedhjen e kreut të saj.

Për të dëshmuar para opinionit ndërkombëtar se Kuvendi megjithatë ka edhe deputetë opozitarë, partitë në pushtet kanë arritur që në forma të ndryshme të bindin 3 deputetë maqedonas të refuzojnë vendimin e opozitës për bojkot dhe të kthehen në Kuvend.

XS
SM
MD
LG