Ndërlidhjet

Diaspora iu mundëson kosovarëve pushime


Plazh në Ulqin
Plazh në Ulqin

Kushtet ekonomike dhe sociale, shumë qytetarëve nuk iu mundësojnë që të bëjnë pushime, por ka edhe prej tyre që nuk kursejnë asgjë që të shkojnë në pushime.

Liridon Sinani, student në Prishtinë, thotë se për këtë vit nuk ka planifikuar të bëjë pushime në bregdet, pasi që, siç thotë, të ardhurat mujore që familja e tij i ndan për të, janë të pamjaftueshme për të shkuar diku.

“Nuk kam kushte, me dëshirë do të punoja diku dhe të fitoja para, e pse jo të bëj edhe pushime, por është e pamundur. Mendoj që pushimet t’i kaloj duke mësuar, do të përgatitem për provime”, thotë ai.

Kosova vazhdon të mbetet vendi më i varfër në Evropë. Sipas hulumtimeve të bëra, Kosova po ashtu ka edhe rezultatin më të dobët të punësimit në Evropë.

Norma e papunësisë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka arritur në 30 për qind dhe norma e të punësuarve është rreth 28 për qind.

Paga neto te shumica e punonjësve kosovarë është 300 deri 400 euro në muaj. Derisa paga minimale në Kosovë është 130 deri në 170 euro në muaj.

Këto të ardhura shumë qytetarëve nuk iu mundësojnë pushime.

Edhe familja Berisha nga Prishtina nuk ka menduar që të bëjë pushime diku. Azra, kryefamiljare, thotë se gjithçka që mund të bëjnë gjatë verës, është të shkojnë diku në Kosovë për të bërë pushime.

“Nevojat për të shkuar diku në pushime pas një viti të lodhshëm janë evidente, por pasi që nuk kemi mundësi të bëjmë pushime të mira, do të qëndrojmë në shtëpi”, shprehet Azra.

Sidoqoftë, numri i qytetarëve të Kosovës që shkojnë drejt bregdetit shqiptar, nuk mungon. Raportet e Policisë kufitare tregojnë në vazhdimësi për fluks të madh të kosovarëve që kalojnë kufirin për në bregdetin shqiptarë.

Kosovarëve iu ofrohen mundësi të shumta për të bërë pushime. Bankat komerciale në Kosovë japin kredi dhe, po ashtu, janë edhe dërgesat e emigrantëve kosovarë që luajnë një rol të rëndësishëm për standardin e familjeve në Kosovë.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, vlerëson se me pagat që janë në Kosovë, është e pamundur të bësh pushime, por ka familje që kanë të ardhura të tjera.

“Është një fakt tjetër, shumica e pushuesve kosovarëve janë turistë të lirë, turistë që nuk konsumojnë shumë, por edhe që krejt artikujt që iu duhen i bartin me vete. Është një kategori tjetër që kanë përftime edhe nga diaspora dhe janë kreditë që marrin nga bankat komerciale dhe brenda 12 muajve dalëngadalë e kthejnë kredinë”, shpjegon Rexhepi.

Sidoqoftë, përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve mbetet një nga sfidat më të mëdha për autoritetet kosovare.

XS
SM
MD
LG