Ndërlidhjet

Në Rripin e Gazës - qindra palestinezë të vrarë


Palestinë...
Palestinë...

Ashraf al-Kidra, zyrtar në Ministrinë palestineze të shëndetësisë tha të hënën se më se 500 palestinezë janë vrarë, prej 17 korrikut, kur Izraeli e filloi operacion ushtarak tokësor në Rripin e Gazës.

Gjatë këtij konflikti janë vrarë afro 20 ushtarë izraelitë dhe civilë. Trembëdhjetë ushtarë janë vrarë gjatë luftimeve ditën e diel, ndërsa dy prej tyre janë shtetas amerikanë, që i janë bashkuar Forcës Mbrojtëse të Izraelit, para disa vitesh.

Ushtria e Izraelit pretendon se të hënën i ka vrarë së paku 10 militantë, gjatë luftimit me dy grupe të ndara, që kishin kaluar në Izrael nëpër tunelet në pjesën veriore të Gazës.

Krahu ushtarak i hamasit, Ezzedine Al-Qassam, pretendon se luftëtarët e vet kanë hyrë në Izrael për të ndërmarrë një “operacion prapa linjave armiqësore në përgjigje të masakrës në Shijaijah”, vendbanim ku trupat e Izraelit ndërmorën një operacion madhor ditën e diel.

Krahu ushtarak i Hamasit, poashtu, pretendon se e ka zënë në ushtar izraelit gjatë luftimeve të së dielës.

Ushtria e Izraelit nuk e ka konfirmuar këtë pretendim dhe tha se po e shqyrtonte atë.

Izraeli e ka filluar këtë aksion ushtarak në përgjigje të sulmeve me raketa të Hamasit në territorin izraelit dhe për shkak të shfrytëzimit të tuneleve nga militantët për të hyrë në Izrael dhe për të ndërmarrë sulme.

Ministri i mbrojtes i Izraelit, Moshe Yaloon, duke folur në Jerusalem, pos tjerash, tha:

“Ne jemi të përgatitur ta vazhdojmë operacion aq gjatë sa të jetë e nevojshme dhe nëse duhet ne do të rekrutojmë edhe më tepër forca luftarake derisa të arrijmë qetësi në Rripin e Gazës”, tha Moshe Yaloon.

Kryeministri Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përsëritur disa herë se vendi i tij po vepron në vetëmbrojtje, pasi u ishte nënshtruar sulmeve të qindra raketave të Hamasit të hedhura nga Rripi i Gazës.

Sipas tij, Izraeli do ta përfundojë operacion kur të jetë i sigurt se i ka shkatërruar aftësitë e militantëve për t’i sulmuar caqet brenda Izraelit.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, vonë ditën e diel, ka kërkuar përfundimin e menjëhershëm të armiqësive në Rripin e Gazës.

Derisa luftimet po vazhdojnë, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, ka arritur në Katar për të diskutuar për armëpushim me liderin e Hamasit, Khalin Meshaal. Ai është shprehur i pakënaqur me Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Dështimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të arrijë vendim për ndaljen e agresionit dhe masakrave kundër popullit tonë palestinez, nuk e liron atë nga përgjegjësitë sipas së drejtës ndërkombëtare. Prandaj, i bëjë thirrje këtij këshilli që ta mbajë edhe një mbledhje tjetër të jashtëzakonshme për t’i plotësuar obligimet e veta në mbrojtje të palestinezëve”, tha Mahmud Abbas.

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka akuzuar Izraelin se “pamëshirshëm” po i vret palestinezët dhe e ka kritikuar Uashingtonin për dyshime se po i mbyll sytë para dhunës në Rripin e Gazës.(f. bujupi)

XS
SM
MD
LG