Ndërlidhjet

Shqipëri: Qeveria propozon rritje të moshës së pensionit


Ilustrim
Ilustrim

Qeveria shqiptare ka paraqitur skemën e re të pensioneve. Sipas kësaj skeme, do të ketë rritje të moshës së pensionit.

Duke nisur nga 1 janari i vitit 2015, do të nisë edhe rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032.

Që nga viti 2032, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke e rritur në 67 vjeç për të dyja gjinitë në vitin 2056.

Gjatë sqarimeve që Ministria e Mirëqenies Sociale bëri përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, ministri Erjon Veliaj tha se pavarësisht kontributeve të pakta që kanë dhënë në vite, për ata që janë sot në pension nuk do të ketë ulje të pensionit.

Sistemi aktual i pensioneve në Shqipëri përdor të ardhura nga të punësuarit e sotëm për të paguar pensionistët, por për shkak se në Shqipëri ka rreth 400 mijë të punësuar me kontribute për 530 mijë pensionistë, buxheti i shtetit mbulon gati 40 për qind të shpenzimeve.

Deri tani gropa që duhet të mbushë shteti për deficitin që krijon skema e deritanishme e pensioneve ka arritur në 430 milionë lekë në vit, sa dyfishi i investimeve publike.

Sipas Ministrisë së Mirëqenies sociale që në vitin e parë skema e re parashikon ta që të ulë këtë subvencion në 220 milionë dollarë, ndërsa do të zhdukë plotësisht deficitin në mënyrë graduale deri në vitin 2045.

Skema e re e pensioneve heq dy kufizime: raportin mes pensionit minimal dhe maksimal.

Është hequr edhe kufizimi tjetër, i cili përcaktonte që nuk mund të përfitohej pension më i lartë se 75% e të ardhurave mesatare të tri viteve radhazi në dhjetë vitet e fundit të punës.

Tashmë do të merret për bazë në përllogaritjen e pensionit kontributi që është bërë gjatë gjithë viteve të punës.

Heqja e këtyre dy kufizimeve do bëjë të mundur rritjen e pensioneve në raport me skemën e vjetër.

Opozita ka reaguar për reformën e paraqitur, duke theksuar se kjo skemë është josociale, pasi rrit moshën e daljes në pension, duke mos u mbështetur tek indeksimi I moshës së pensionit me jetëgjatësinë mesatare të popullsisë.

Deri tani nuk ka pasur reagime nga grupe interesi në lidhje me skemën e re te pensioneve në Shqipëri.

Parlamenti shqiptar pritet të shqyrtojë skemën e re të pensioneve gjatë dy seancave të fundit të kësaj legjislature që mbyllet në datën 31 korrik.

XS
SM
MD
LG