Ndërlidhjet

Pa marrëveshje finale për barrikadën


Barrikadë në veri, foto nga arkivi
Barrikadë në veri, foto nga arkivi

Bashkimi Evropian ka njoftuar se grupet punuese që janë takuar të marten për çështjen e barrikadave në Mitrovicë janë pajtuar vetëm që të vazhdojnë negociatat gjatë javëve në vijim.

Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e Shefës për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton thuhet:

“Grupet Punuese kanë shikuar kornizën e përgjithshme legjislative në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe kanë shkëmbyer qëndrimet rreth mënyrave se si Bashkimi Evropian do të mund të asistojë me çfarëdo projekti që të dyja palët pajtohen se mund të kryhet në urë".

"Pjesëmarrësit janë pajtuar që të vazhdojnë punën në një mënyrë të përbashkët gjatë javëve në vijim. Si hap të parë, Grupet Punuese janë pajtuar që Zyra e BE-së të kontraktojë një vlerësim teknik të gjendjes së urës së Mitrovicës”, thuhet në komunikatë.

Zyra e BE-së gjithashtu ka kërkuar nga të gjitha palët që të përmbahen nga çfarëdo veprimi që nuk e ka pajtimin e palës tjetër në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe urat e tjera.

Mirëpo, pas takimit të dyja palët e kanë komentuar ndryshe atë që është diskutuar sot në Bruksel.

Sipas zëvendëskryeministres kosovare, Edita Tahiri, ajo që është diskutuar në takimin e udhëhequr nga Fernando Gentilini është hapi i parë drejt heqjes së barrikadës.

Ndërsa udhëheqësi i delegacionit serb në këtë takim, Marko Gjuriq, e ka kundërshtuar këtë version duke thënë se barrika e emërtuar “Parku i Paqes” është vendosur që të mbetët aty ku është, mbi urën kryesore të Ibrit.

Më herët gjatë ditës, zëvendëskryeministrja kosovare, Edita Tahiri i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “synimi jonë është të dalim me një plan konkret dhe me afate që të hiqen të gjitha barrikadat në urë dhe përreth urës...dhe i gjithë procesi të realizohet sipas ligjeve të shtetit të Kosovës”. (a.haraqija)

XS
SM
MD
LG