Ndërlidhjet

Hipotekat nuk shiten


Ilustrim
Ilustrim

Të gjithë qytetarët të cilët kanë kredi në bankat komerciale, si garanacion duhet të lënë patundshmëri si hipotekë, vlera e së cilës duhet të lënë dy herë më e lartë se ajo e kredisë së huazuar.

Për këtë, klientët peng në banka të ndryshme komerciale kanë lënë dyqanet, shtëpitë, veturat, tokat, e deri te pajisjet elektronike dhe teknologjike.

E në rast se klientët kanë probleme në shlyerjen e kredive, hipotekën bankat kanë të drejtë të nxjerrin në shitje përmes ankandit publik, që në shumicën e rasteve vlera e hipotekës zhvlerësohet në masë të madhe.

Ekspertë për çështje financiare në Kosovë konsiderojnë se nga funksionimi i sistemit bankar dhe fillimi i dhënies se kredisë, bankat kanë kërkuar vlerë të lartë të hipotekës dhe kanë zhvlerësuar atë.

Flamur Keqa, konsideron se gjatë vlerësimit të kredisë, analistët e bankave më tepër duhet të fokusohen te mundësia e prejardhjes se mjeteve dhe jo te hipoteka.

“Bankat gjatë vlerësimit të kapaciteteve të huamarrësve më tepër duhet të kenë kujdes që të sigurohen nga rrjedha e parasë se bizneseve që merr kredi dhe jo të mbështeten në hipotekën të cilën klienti është i obliguar të lë si peng në rast të mos kthimit kredisë”, thotë Keqa për Radion Evropa e Lirë

Hipoteka i siguron bankës të drejtën për të arkëtuar borxhin e kredisë nga pasuria e patundshme e lënë peng, në rastin kur dështohet në shlyerjen e kredisë më kohë.

Pavarësisht, faktit se jo rrallë herë në mediat e shkruara vërejmë shpallje nga bankat komerciale për shitje të hipotekave, interesimi i palëve të treta për të blerë prona të cilat janë objekt i shitjeve gjyqësore është shumë i vogël.

Mungesa e funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe kulturës për të blerë këto prona, por edhe kërcënimet eventuale nga debitorët, janë arsye pse qytetarët nuk dëshirojnë të blejnë pronat në ankande publike.

Kështu thotë Berat Thaqi, nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP” institut ky që në vazhdimësi bën publikime të raporteve nëpër bankat komerciale në vend, të quajtur “Bankometri”.

“Për shkak se qytetarët në përgjithësi hezitojnë të blejnë hipoteka, ndoshta nganjëherë edhe kanë pasur kërcënime personale prej personave që iu kanë marrë pronat. Kjo do të thotë ndikon negativisht që qytetarët të hezitojnë të blejnë pronat”, thekson Thaqi.

Në shtetet tjera, blerja e hipotekave realizohet lehtë dhe qytetarët nuk hezitojnë për këtë proces, por në Kosovë ndodh e kundërta, thotë edhe Flamur Keqa.

“Megjithatë duke pasur parasysh rrethanat në Kosovë pas luftës dhe mentalitetin kosovar, atëherë blerësit potencial hezitojnë që të blejnë hipoteka të ndryshme, e sidomos hezitojnë ndoshta që është normale deri diku, sa i përket hipotekave siç janë shtëpi banimi – banesa që rrezikohet ekzistenca e një familje e cila ka marrë kredinë”, shprehet Keqa.

Vlerësimi i hipotekave realizohet nga politikat e vetë bankave, thonë ekspertët, duke shtuar se një proces i tillë duhet të rregullohet me mekanizma ligjorë.

XS
SM
MD
LG