Ndërlidhjet

Kundërthëniet e dialogut për parkun mbi urën e Ibrit


"Parku i paqes", Mitrovicë
"Parku i paqes", Mitrovicë

Udhëheqësit e dialogut teknik nga Prishtina dhe Beogradi kanë prezantuar qëndrime të ndryshme pas takimit të mbajtur të martën në Bruksel, në lidhje me parkun e ndërtuar nga serbët lokalë, me mbështetjen e qeverisë serbe mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë.

Përderisa kryenegociatorja e palës së Kosovës për zbatim të dialogut me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se aty është arritur një marrëveshje që çon kah heqja e këtij parku, i cili në fakt paraqet një barrikadë të re mbi urën që lidh pjesën jugore dhe veriore të qytetit, kryesuesi i delegacionit serb, Marko Gjuriq, e ka thënë të kundërtën.

Takimi ndërmjet delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit është lehtësuar nga përfaqësuesi i BE-së, Fernando Gentilini.

Sipas koordinatores Tahiri dhe komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, duke u mbështetur në një propozim të Bashkimit Evropian, palët janë dakorduar për heqjen e barrikadave dhe revitalizimin e urës mbi Ibër në një proces gradual.

Në këtë proces, sipas palës nga Prishtina, do të angazhohet Bashkimi Evropian, duke përfshirë edhe asistencën financiare.

Plani i BE-së, për të cilin palët, sipas Prishtinës, janë pajtuar delegacionet në takimin e Brukselit përfshin, respektimin e ligjeve të shtetit të Kosovës, pastaj vlerësimin teknik të qëndrueshmërisë statike e konstruksionit të Urës së Ibrit dhe hartimin e projektit për revitalizimin e urës.

Gjatë muajit shtator të këtij viti, sipas Qeverisë së Kosovës, ekspertët e kontraktuar nga BE-ja do të dalin me rezultatet e vlerësimit për të vazhduar, pastaj me revitalizimin dhe funksionalizimin e plotë të urës së Ibrit, në funksion të lëvizjes së lirë.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i palës serbe në bisedime, Marko Gjuriq, ka thënë se nuk ka kurrfarë marrëveshje për heqjen e parkut mbi urën e Ibrit, të cilin Prishtina e vlerëson si barrikadë.

“Jemi marrë vesh që ‘Parku i paqes’ të mbetet dhe po ashtu jemi marrë vesh që të bëhet një vlerësim teknik vizual i urës gjatë javëve në vijim”, ka thënë Gjuriq.

Sipas tij, për planet afatgjata janë marrë vesh që të diskutohet javët dhe muajt në vazhdim, kurse ndërkohë janë ftuar të gjitha palët që të tregohen të përmbajtura.

Po ashtu, edhe kryetari i Mitrovicës veriore, Goran Rakiq, i cili ka qëndruar në anën e Beogradit në bisedime, ka thënë se pala serbe është përpjekur t’i shpjegojë Prishtinës se “Parku i paqes” mbi urë, sipas tij, nuk është barrikadë, por dorë e zgjatur për pajtim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Mitrovicë.

“Do të thotë se nuk është diskutuar për heqjen e parkut të paqes”, ka thënë Rakiq, duke shtuar se urës mbi Ibër, do t’i bëhet një vlerësim teknik për revitalizim.

Ndërkohë, Zyra e baroneshës Catherine Ashton ka lëshuar një komunikatë pas takimit, ku është thënë se pjesëmarrësit janë pajtuar që të vazhdojnë punën në një mënyrë të përbashkët gjatë javëve në vijim.

“Si hap të parë, grupet punuese janë pajtuar që Zyra e BE-së të kontraktojë një vlerësim teknik të gjendjes së urës së Mitrovicës”, thuhet në komunikatë.

Përderisa të mos arrihet një zgjidhje përfundimtare, palët janë pajtuar po ashtu që të mos ketë veprime që mund të tensionojnë gjendjen në atë pjesë, qoftë përmes ndërtimin të parqeve apo barrikadave që do të pengonin lirinë e lëvizjes dhe qarkullimit.

XS
SM
MD
LG