Ndërlidhjet

A është krim lufte rrëzimi i aeroplanit malajzian?


Mbetjet e aeroplanit të rrëzuar
Mbetjet e aeroplanit të rrëzuar

Carl Schreck

Vendet që kërkojnë ndjekjen penale të personave që janë përgjegjës për rrëzimin e aeroplanit malajzian në lindje të Ukrainës, përballen me një pyetje komplekse ligjore: A është tragjedia krim lufte?

Sipas ekspertëve, së pari duhet konstatuar nëse përgjegjësit kanë sulmuar qëllimisht aeroplanin, më 17 korrik, duke vrarë të 298 njerëzit në bord. Por, edhe nëse ky përcaktim bëhet, përndjekja e keqbërësve si kriminelë lufte do të jetë e vështirë.

Problemi është se nuk cilësohet krim lufte nëse aeroplani i pasagjerëve hidhet poshtë gabimisht, pa marrë parasysh se sa keq tingëllon”, thotë David Glazier, profesor në Universitetin Loyola në Los Anxheles. Sipas tij, krim lufte është të rrëzosh aeroplanin qëllimisht.

Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë perëndimore akuzojnë separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës për goditjen e aeroplanit me raktë tokë-ajër, ndërsa rebelët fajësojnë Qeverinë e Ukrainës për tragjedinë.

Holanda, e cila ka humbur 193 shtetas të saj në fluturimin nga Amsterdami për në Kuala Lumpur, ka dërguar një prokuror të lartë në Ukrainë për të hetuar nëse rrëzimi i aeroplanit përbën krim lufte.

Ndërkohë, Kryqi i Kuq ka bërë një vlerësim ligjor konfidencial se Ukraina është zyrtarisht në luftë.

Ky përcaktim obligon palët ndërluftuese, në këtë rast forcat qeveritare dhe ato rebele, që t’i përmbahen Konventës së Gjenevës; përndryshe, rrezikojnë të ndiqen penalisht për krime lufte.

“Kjo do të thotë se krimet e kryera gjatë një konflikti të armatosur mund të rriten në nivel të krimeve të luftës. Andaj, sjellja kriminale nuk është e kufizuar në krime të brendshme dhe në ndjekje të brendshme penale”, thotë Jimmy Gurule, profesor i së drejtës në Universitetin Notre Dame.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se sulmi ndaj aeroplanit duket se ka qenë aksidental, pasi separatistët kanë besuar se kanë vënë në shënjestër një aeroplan të Qeverisë ukrainase.

Edhe nëse avioni i Malajzisë nuk është qëlluar qëllimisht, prokurorët mund ta trajtojnë atë si krim lufte nëse konstatojnë se raketa është shkrepur me hamendje në drejtim të aeroplanit, thonë ekspertët ligjorë.

“Askush që unë e njoh nuk mendon se ky ka qenë një akt i pastër i terrorit. Por, pyetja është se çfarë shkalle e kujdesit është e nevojshme, nëse qëllon me armë të tilla”, thotë Michael Doyle, profesor në Shkollën e së Drejtës në Kolumbi.

Sipas tij, zyrtarët rusë mund të ndiqen po ashtu për krime lufte, nëse vërtetohet se ata u kanë ofruar material dhe udhëzimeve rebelëve në Ukrainë, për të kryer vepra të tilla.

Pas tragjedisë së aeroplanit malajzian, komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë ndryshime në ligjin penal ndërkombëtar, të cilat do të kërkonin llogari edhe për rrëzimet aksidentale të aeroplanëve civilë, thotë Glazier nga Universiteti Loyola.

“Unë mendoj se një komandant duhet të ketë detyrim ligjor për të marrë çdo masë paraprake, përpara se të kryejë një veprimtari ushtarake që mund të rezultojë me viktima civile”, thotë ai.

Sipas Glazier, ka edhe një precedent për ndryshimet e tilla në ligj. Pasi Bashkimi Sovjetik ka rrëzuar një aeroplan të pasagjerëve nga Koreja, i cili ka fluturuar në hapësirën e tij ajrore më 1983, duke vrarë të 269 njerëzit në bord, ligji i aviacionit civil ndërkombëtar është modifikuar, duke ndaluar shtetet që të përdorin armët kundër avionëve civilë.(v.tela)

XS
SM
MD
LG