Ndërlidhjet

Hamasi e pranon armëpushimin 24-orësh, OKB kërkon 7 ditë


Gaza
Gaza

Militantët islamikë të Hamasit janë pajtuar për armëpushimin humanitar 24 orësh, në konfliktin e tyre me Izraelin në Rripin e Gazës.

Zëdhënësi i Hamasit, Sami Abu Zuhri, tha të dielën se “në përgjigje të ndërhyrjes së Kombeve të Bashkuara dhe duke pasur parasysh situatën e njerëzve tanë para festës së Bajramit, është arritur pajtueshmëri në mesin e grupeve rezistuese për ta mbështetur qetësinë humanitare 24-orëshe, që fillon të dielën në orën 14 pasdite, sipas kohës lokale”.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se operacionet ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës do të vazhdojnë. Ai, poashtu, e ka akuzuar Hamasin për shkelje të armëpushimit.

Këto komente të tij u bënë të dielën në rrjetin televizin amerikan CNN, pasi militantët islamikë të Hamasit u pajtuan për armëpushimin humanitar 24 orësh në konfliktin me Izraelin në Rripin e Gazës.

Të shtunën vonë, Izraeli kishte ofruar një armëpushim 24 orësh, por Hamasi e kishte refuzuar atë, duke thënë se “çfarëdo armëpushimi humanitar, që nuk e siguron tërheqjen e ushtarëve okupues nga kufiri i Rripit të Gazës, që nuk i lejon banorët të kthehen në shtëpi dhe nuk e siguron evakuimin e të plagosurve, është i papranueshëm”.

Izraeli tha se do të vazhdojë shkatërrimin e tuneleve ushtarake të Hamasit gjatë pauzës së armëpushimit.

Në luftimet që filluan para 20 ditësh, janë vrarë më shumë se një mijë palestinezë, shumica prej tyre civilë, ndërsa nga pala izraelite janë vrarë 43 ushtarë dhe tre civilë.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se 80 për qind e viktimave ishin civilët, ndërsa Agjencia për fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF) tha se gjatë konfliktit janë vrarë 192 fëmijë.

Të shtunën vonë, qeveria e Izraelit është takuar për të diskutuar lidhur me përpjekjet ndërkombëtare, të udhëhequra nga Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, për të siguruar një armëpushim më të gjatë.

Në këtë kuadër, Kerry është takuar me ministrat e Jashtëm të vendeve evropiane dhe të Lindjes së Mesme në Paris, duke bërë presion ndaj të dy palëve për zgjatjen e armëpushimit të përkohshëm.

Ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius, duke folur pas takimit me sekretarin Kerry dhe kolegët e tjerë nga Britania, Gjermania, Italia, Katari dhe Turqia, dhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian, u ka bërë thirrje “të gjitha palëve për ta zgjatur armëpushimin humanitar”.

Takimi ishte pozitiv. Na ka mundësuar neve të diskutojmë për pikëpamjet e përbashkëta për aksionin ndërkombëtar për arritjen e armëpushimit në Gaza. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve ta zgjasin armëpushimin humanitar”, tha Laurent Fabius, të shtunën vonë në Paris.

Duke u shprehur për fatin e civilëve, Fabius tha se “ata janë prekur në mënyrë tragjike”.

“Ne të gjithë qëndrojmë me civilët, që janë prekur aq shumë në mënyrë tragjike nga luftimet. Ne kemi vendosur, secili prej nesh, individualisht, dhe së bashku në mënyrë të koordinuar, për mobilizim gjatë javëve të ardhshme, për t’i arritur këto qëllime”, theksoi Fabius.

Ai theksoi se synohet arritje e armëpushimit sa më të shpejtë të mundshëm dhe me negociata, për t’iu përgjigjur si “kërkesave të Izraelit në kuptimin e sigurisë dhe për nevojat e palestinezëve në kuptimin e zhvillimit social dhe ekonomik”.

Fabius bëri të ditur se pjesëmarrësit në takimin e Parisit janë pajtuar për “nevojën e përfshirjes së Autoritetit Palestinez për arritjen e këtyre objektivave”.

Ndërkaq, një zëdhënës i Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, tha se “është kërkuar urgjentisht, përsëri nga të gjitha palët, për ta shpallur një armëpushim shtatë ditësh humanitar në Rripin e Gazës”.

Nga ana tjetër, mijëra izraelitë kanë protestuar në Tel Aviv, ditën e shtunë, kundër fushatës ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.

Autoritetet e Izraelit thonë se ofensiva kundër militantëve të Hamasit ka për qëllim që t’i ndalë hedhjet e raketave nga Rripi i Gazës në Izrael dhe t’i shkatërrojë tunelet, të cilat Hamasi i përdor për sulme ndërkufitare. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG