Ndërlidhjet

Aparatura për radioterapi, jashtë funksionit


Ilustrim
Ilustrim

Në Institutin Onkologjik, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, aparatura e cila shërben për rrezatimin e pacientëve të diagnostikuar me kancer, nuk është në funksion.

Kjo ka bërë që 120 pacientë të mos mund t'i marrin shërbimet aty.

Këtë e thotë për Radion Ervopa e Lirë ushtruesi i detyrës së drejtorit në këtë institut, Behxhet Osmani.

"Aparatura për radioterapi është jashtë funksionit nga data 17 e muajit korrik, dhe gjithë pacientët që kanë nevojë për radioterapi jemi duke i udhëzuar për trajtim jashtë institucioneve shtetërore Është sjell një ekspert nga jashtë dhe ka punuar në këtë aparat, por ende nuk është në funksion. Dy muajt e fundit kemi pasur probleme me aparaturë", thotë Osmani.

Por, pacientët që vuajnë nga kanceri, janë të detyruar që këto shërbime t'i marrin në institucione private shëndetësore, ose jashtë vendit.

E për këtë problematikë zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se për aq kohë derisa QKUK të bëjë aftësimin e aparatit që kryen funksionin e radioterapisë, me ndihmën e këtij institucioni, pacientët do të trajtohen në qendra radioterapike në sektorin privat, me mbulesë financiare nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë jep hollësi të tjera.

"Por për aq kohë, derisa QKUK të bëjë aftësimin e aparatit që kryen funksionin e radioterapisë, pacientët do të marrin shërbime në institucione shëndetësore private. Çdo shkuarje në sektorin privat, Ministrisë së Shëndetësisë i kushton, por që shëndeti i pacientëve është më i rëndësishëm, dhe ata të mos i humbin seancat e radioterapisë", bën të ditur Hoti.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Curr Gjocaj thotë se funksionalizimi i aparatit të radioterapisë shumë shpejtë do të funksionalizohet.

"Kanë qenë ekspertët e huaj, mendoj se shumë shpejtë do të funksionalizohet. Kanë punuar ekspertë të jashtëm dhe besoj se kjo punë do të kryhet shumë shpejtë", shprehet Gjocaj.

Ndryshe, Behxhet Osmani ka deklaruar se deri në funksionalizimin e aparatit të radioterapisë shumë pacientë që vuajnë nga kanceri janë kthyer nga ky institut.

"Ne kemi udhëzuar 120 pacientë në trajtim me rreze të shkojnë jashtë institutit onkologjik. Shpenzimet janë të mëdha. Në Kosovë në institucion privat ky shërbim kryhet vetëm në Rezonancë, dhe kam informata që për shkak të pa mundësive për t'u trajtuar pacientët në institutin onkologjik, ky institucion privat shëndetësor ka ulur çmimet, derisa Ministria e Shëndetësisë po u ndihmon pacientëve të marrin këto shërbime", thekson Osmani.

Sidoqoftë, tenderi për servisimin e aparaturave në QKUK, tashmë është i hapur dhe pritet që së shpejti të funksionalizohet shërbimi i radioterapisë.

XS
SM
MD
LG