Ndërlidhjet

Gjetjet e Williamson, barrë e rëndë për Kosovën


Kosovo Map Redesign
Kosovo Map Redesign

Rezultatet e hetimeve të Grupit hetues të Bashkimit Evropian, mbi pretendimet e të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty për trafikim organesh dhe krime lufte në Kosovë, të cilat janë bërë publike ditën e martë nga prokurori kryesor i këtij grupi, Clint Williamson, do të jenë një barrë e jashtëzakonshme për Kosovën, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend dhe ekspertët e të drejtës penale.

Prokurori Williamson ka deklaruar se grupi hetues “është përballur me sfidë për mbledhjen e provave për të dëshmuar akuzën për trafikim organesh” dhe se nuk ka hequr dorë nga ky pretendim, por se hetimet do të vazhdojnë, për faktin se sipas tij “ka shenja bindëse që kjo praktikë ka ndodhur në një shkallë shumë të kufizuar dhe që një numër i vogël njerëzish janë vrarë me qëllimin e nxjerrjes dhe trafikimit të organeve të tyre”.

Njohës i zhvillimeve politike në vend, Ismajl Hasani, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur mendimin se deklarata e prokurorit Williamson është lajm i keq për Kosovën.

“Pas tri vjet hetime, përsëri i lihet Kosovës barrë mbi supe një dyshim, hipotetikisht të themi, një mundësi potenciale jo vetëm për të vazhduar hetimet – gjë që është në rregull të vazhdojnë ato".

"Por, formulimi ku thuhet se ka dyshime, nuk është, me rëndësi në çfarë shkalle është, të ulët apo të lartë, me rëndësi është që ajo, hipotetikisht presupozohet si diçka e tillë që mund të ketë ndodhur. Gjithnjë po them, po parafrazoj atë që deklaroi Williamson, është një lajm i keq për Kosovën”, shprehet Hasani.

Eksperti i çështjeve juridike penale, Ismet Salihu, thotë për Radion Evropa e Lirë se bazuar në të drejtën penale, deklaratat e prokurori Wiliamson përmbajnë sqarime për veprimet e mundshme që janë në përputhje me të drejtën penale dhe ndërkombëtare.

“Nuk ka prova bindëse, por thotë se ka shenja bindëse se kjo ka ndodhur në një numër të kufizuar. Me këtë, prokurori Williamson e ka lënë çështjen e hapur dhe hetimet vazhdojnë. Në aspektin penal juridik dhe në aspektin e të drejtës ndërkombëtare kjo lejohet dhe nuk është e kundërligjshme, sidomos për shkak se këto krime nuk vjetërsohen".

"Edhe pas 20, 30 apo 40 vjetësh, nëse gjendet ndonjë provë e sigurt se një person e ka kryer këtë krim të rëndë, makabër, të trafikimit të organeve, do të ngrihet akuza”, thekson Salihu.

Prokurori Williamson gjithashtu ka paralajmëruar “ngritjen e aktakuzës kundër disa zyrtarëve të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për "për shkeljet të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte".

Profesor Hasani, vlerëson se vet aktakuza eventuale ndaj njerëzve të caktuar që, siç thuhet, i kanë takuar hierarkisë së lartë të UÇK-së, do t’i vë hije të keqe të kaluarës dhe të tashmes së Kosovës..

“Mendoj se ata njerëz, për të cilët themi në mënyrë hipotetike se paskan kryer krimet kundër njerëzimit, nuk janë zhdukur, nuk kanë ikur jashtë vendit, por përsëri, në mënyrë hipotetike themi se ata njerëz janë në instanca, në jetën publike, janë në institucionet e Kosovës, mbase".

"Po ashtu, kjo është një rrethanë rënduese për Kosovën, sepse, pikërisht, me ata njerëz, me të cilët nesër mund të përballen organet e drejtësisë ndërkombëtare – me miratimin tonë, gjithnjë – rëndojnë mbi supet e Kosovës. kjo për shkakun se me një pjesë të atyre njerëzve vazhdojnë të ndërtohen dhe të bëhet përpjekje për të ndërtuar institucionet e Kosovës”, shprehet Hasani.

Ndryshe, profesor Salihu vlerëson se prokurori Williamson po e ndërton tezën e përgjegjësisë penale komanduese.

“Kështu është në aspektin e të drejtës penale ndërkombëtare. Përveç atij që e ka kryer ndonjë krim, përgjigjet edhe eprori i tij, komandanti i tij, në qoftë se e ka urdhëruar që të kryhet krimi, në qoftë se ka ditur se do të kruhet krimi dhe nuk e ka parandaluar ose në qoftë se, ndërkohë është njoftuar se ka kryer ndonjë person ndonjë krim dhe nuk e ka marrë në përgjegjësi".

"Kjo janë tri situata, në të cilat sajohet, ndërtohet edhe përgjegjësia komanduese, sipas të drejtës ndërkombëtare, sipas statutit të Tribunalit të Hagës, por edhe sipas statutit të gjykatës, në bazë të cilës do të pretendohet të gjykohen disa pjesëtarë të UÇK-së”, thotë Salihu.

Në anën tjetër, paralajmërimet e prokurorit Williamson, i ka mirëpritur prokurori serb për krime lufte, Bruno Vekariq.

“Më në fund, kjo është një përmbushje e zbrazësisë që e kishte bërë Tribunali i Hagës, qoftë për shkak të kompetencave kohore qoftë or shkak të hapësirës”, tha Vekariq.

Sido që të jetë, ngritja eventuale e aktpadive, të cilat i ka përmendur prokurori Williamson, nuk do të jetë e mundur deri në formimin e Gjykatës speciale për krime lufte, për të cilën Kuvendi i Kosovës ka dhënë miratimin.

XS
SM
MD
LG