Ndërlidhjet

Obama: Putini i ka bërë dëm Rusisë në një afat të gjatë


Barack Obama
Barack Obama

Presidenti amerikan, Barack Obama, thotë se Rusia “nuk ka bërë asgjë” të mirë. Këto komente ai i bëri duke u shprehur për rolin e Rusisë në botë.

Në intervistën për të përjavshmen londineze “The Economist”, Obama theksoi se “imigrantët nuk ia mësyejnë Rusisë në kërkim të mundësisë” dhe ka shtuar se “popullata po zvogëlohet”.

“Mendoj se është me rëndësi të mbahet perspektiva. Rusia nuk bënë asgjë. Imigrantët nuk ia mësyejnë Moskës në kërkim të mundësisë. Jetëzgjatja e meshkujve rusë është afro 60 vjet. Popullata po zvogëlohet”, tha Barack Obama.

Këto komente ai i bëri derisa forcat e qeverisë së Ukrainës po e vazhdojnë betejën e tyre kundër kryengritësve pro-rusë në pjesën lindore të këtij vendi.

Perëndimi ka imponuar sanksione kundër Rusisë, duke e akuzuar atë për mbështetje të separatistëve pro-rusë në Ukrainë. Por, Moska e ka hedhur poshtë këtë akuzë.

Në intervistë, presidenti Barack Obama, e ka kritikuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, si lider që ka shkaktuar probleme afatgjatë për përfitime politike.

“Mendoj se presidenti Putin paraqet dëm të madh për Rusinë dhe kjo me gjasë do ta dëmtoj Rusinë në periudhë afatgjatë, por në periudhë afatshkurtër ai mund të jetë i popullarizuar politikisht në shtëpi dhe shumë problematik jashtë”, tha Barack Obama.

Nga ana tjetër, presidenti Obama, gjatë intervistës për të përjavshmen londineze “The Economist”, e cila u zhvilluar në aeroplanin presidencial Air Force One, ka folur në mënyrë pak më ndryshe për ish-presidentin Dmitri Medvedev.

“Ne kemi pasur marrëdhënie shumë produktive me presidentin Medvedev. Ne kemi kryer shumë gjëra, të cilat nevojiteshin të kryheshin”, tha Obama.

Ai ka shtuar se perëndimi duhet të “përgjigjet me vendosmëri” ndaj “sfidave rajonale” të Rusisë.

“Prandaj, ne duhet të përgjigjemi me vendosmëri në ato që janë sfida efektive rajonale të cilat i paraqet Rusia. Ne duhet ta bëjmë të qartë se ata nuk do të përshkallëzojnë atje ku papritmas armatimet atomike kthehen në diskutim të politikës së jashtme. Për aq kohë sa ta bëjmë këtë, mendoj se historia është në anën tonë”, tha Barack Obama.

Javën e kaluar, qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka akuzuar Rusinë për kryerjen e testeve, që paraqesin shkelje të një marrëveshjeje bërthamore të vitit 1987, për eliminimin e raketave, që lansohen nga toka me rrezeveprim prej 500 e deri në 5500 kilometra.

Duke i përshkruar tensionet me Kinën, presidenti amerikan, Barack Obama, tha se ato janë “të menaxhueshme”, por theksoi se perëndimi duhet të jetë “mjaft i ashpër” me Pekinin.

“Ata nuk janë sentimental, dhe ata nuk janë të interesuar në gjëra abstrakte”, tha Obama, dhe shtoi se “thirrjet e thjeshta te normat ndërkombëtare janë të pamjaftueshme”.

Kina shpeshherë përplaset me perëndimin lidhur me çështje të pasurisë intelektuale dhe është e angazhuar në konteste territoriale me fqinjët e vet në Detin Kinez Jugor.

“Duhet të ekzistojnë mekanizma për të qenë i ashpër me ta kur ne mendojnë se ata po i shkelin normat ndërkombëtare, por po ashtu, t'u tregojmë atyre përfitimet potenciale në periudhë afatgjatë”, tha Barack Obama. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG