Ndërlidhjet

Maqedoni: Krijohet panik për mishin


Ilustrim
Ilustrim

Mosidentifikimi i burimit të bakteries “listeria” nga e cila u prekën 8 qytetarë të Maqedonisë, prej të cilëve 4 humbën jetën, ka shkaktuar panik te qytetarët, duke limituar në minimum konsumimin e prodhimeve nga mishi dhe qumështi i përpunuar.

Andriana Naskovska, qytetare, thotë se edhe përkundër asaj se fëmijët insistojnë që në tryezë të kenë salsiçe dhe prodhime të tjera të mishit, ajo tërësish i ka shmangur ato.

“Po kam frikë nga çdo gjë pas kësaj që dëgjojmë në media, gjithçka që është nga mishi ose qumështi është larguar nga tryeza jonë dhe kjo e vështirëson shumë përzgjedhjen çka do të hamë, por duke e ditur sa të rënda janë pasojat, thjesht kryesisht jemi me pemë dhe perime”, thotë Andriana.

Edhe Ilmi Bajrushi thotë se nuk ndjehet i sigurt kur bëhet fjalë për prodhime nga mishi i përpunuar andaj në tryezë shtrohet vetëm atëherë kur sigurohet mish i freskët.

“Unë nëpër dyqane nuk blej asnjëherë mish, ose çkadoqoftë që është nga mishi,vetëm atëherë kur kam mundësi të siguroj mish të freskët kemi mish në sofër”, thotë Bajrushi.

Ndërkohë, kompanitë të cilat merren me prodhimin e mishit dhe bulmetit ankohen se kanë pësuar dëme të konsiderueshme si pasojë e panikut në mes të qytetarëve si konsumatorë duke nënvizuar se shteti duhej të reagojë më shpejtë, pothuajse një muaj pas shfaqjes së kësaj bakterieje edhe nuk është gjetur burimi i saj.

“Po është evidente paniku në mesin e konsumatorëve. Ne nuk mund t;u shpjegojmë të gjithë konsumatorëve se prodhimet tona janë të sigurta. Gjendja nuk është aq keq me konsumatorët tonë të përhershëm, por pas kësaj është pothuajse e pamundur të mendohet për zgjerimin e tregut jashtë vendit”, shprehet një prodhues i prodhimeve të mishit i cili dëshiron të mbetet anonim.

Gjersa Dejan Runtevski, drejtor i Ushqimit dhe Veterinarisë ditë më parë ka kumtuar se intensivisht punohet në këtë drejtim, ndërkohë që janë marrë mostra nga qindra produkte ushqimore, por ende nuk janë të plota rezultatet që do të ndriçonin arsyen për helmimin e tetë personave me "listeria".

"Deri më tani ne kemi ekzaminuar 610 mostra, nga te të cilat 23 janë pozitive, llojin te cilin e kemi zbuluar ne ushqim nuk korrespondon me atë të personave të infektuar. Listeria ekziston, por në sasi minimale, më pak se 10 koloni për gram që është nën nivelin e lejuar prej 100 kolonive për gram brenda afatit të produktit”, është shprehur për mediat Runtevski.

Ai porositi qytetarët të kenë kujdes ku i blejnë produktet e mishit, veçanërisht mishin e bluar dhe atë të përpunuar.

Por, ekspertët thonë se institucionet përkatëse, nëse sinqerisht angazhohen që të gjendet burimi i bakteries, kjo është punë e lehtë ngase Maqedonia disponon laboratorë të sofistikuar në të cilat mund të bëhen analiza nga më të ndryshmet nga ana e kuadrit profesional për një afat të shkurtër kohor.

“Nuk jam dhe aq i bindur se ende nuk dihet se ku është burimi i kësaj bakterie, por në këtë rast do të thosha se njëherë e përgjithmonë duhet t'i jepet fund praktikës që për disa kompani të shihet mes gishtave kur bëhet fjalë për cilësinë e prodhimeve, në kurriz të shëndetit të qytetarëve, madje edhe në kurriz të atyre kompanive të cilat janë të ndershme dhe respektojnë çdo standard të cilësisë”, nënvizon Ilia Karov, ligjërues në fakultetin e Industrisë Ushqimore

Ndryshe bakteria "listeria", e cila paraqitet më shpesh me konsumimin e ushqimit të kontaminuar siç është mishi, prodhimet e qumështit dhe perimet, të cilat nuk janë larë paraprakisht mirë, manifestohet me temperaturë të lartë dhe ngërç të muskujve.

XS
SM
MD
LG