Ndërlidhjet

Kosovë: Mbyllen nëntë barnatore pa licencë


Inspektorati Farmaceutik i Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM), ka inspektuar së fundmi subjektet farmaceutike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, të cilat veprimtarinë e tyre e ushtrojnë në kundërshtim me ligjin.

Zyrtarë në këtë agjenci thonë se janë evidentuar parregullsi në subjektin farmaceutik dhe si rezultat janë mbyllur disa barnatore, të cilat nuk kanë pasur licencë për ushtrimin e veprimtarisë si dhe nuk kanë pasur farmacistë.

Pranvera Behrami, zyrtare për informim në AKPM, thotë për Radion Evropa e Lirë se barnatorja e fundit që është mbyllur, është në Podujevë me datën 5 gusht të viti 2014.

"Inspektorati farmaceutik, gjatë inspektimit të përditshëm të tij, hasi në disa shkelje ligjore në subjektin farmaceutik 'Euro-Pharm', në Podujevë. Meqë kjo barnatore, veprimtarinë e saj ishte duke e ushtruar në kundërshtim me kriteret që kërkohen në udhëzimin administrativ 14/2013, pa licencë profesionale të lëshuar nga AKPPM, në mungesë të farmacistit përgjegjës dhe me posedim të barnave me banderola të Serbisë, Inspektorati farmaceutik, barnatores në fjalë ia ndaloi veprimtarinë e mëtejme, duke i konfiskuar të gjitha produktet me të drejtë dhe pa të drejtë qarkullimi", bën të ditur Behrami.

Ndërkaq, vetë farmacistët thonë se ata të cilët e ushtrojnë veprimtarinë e tyre, duke e thyer ligjin, i dëmtojnë farmacistët e licencuar.

Andaj, një vendim të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale e shohin si shumë të drejtë dhe të domosdoshëm.

"Barnatoret që operojnë pa licencë na dëmtojnë shumë neve si farmacistë. Ato barnatore që janë mbyllur është për shkak se nuk e kanë respektuar ligjin, ata kanë operuar edhe me barna që nuk janë të regjistruara në Kosovë. Këto janë të mjaftueshme që një barnatore të mbyllet", thotë Alban Desku, farmacist.

Derisa zonja Behrami bën të ditur se si rezultat i inspektimeve të bëra nga inspektorë farmaceutikë gjatë këtij viti, janë mbyllur nëntë barnatore të pa licencuara.

"Inspektorati farmaceutik dhe AKPPM bëjnë thirrje që të gjitha subjektet farmaceutike të veprojnë në bazë të legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës. Ndryshe do të konfiskohen. Sidoqoftë gjatë këtij viti ka mbyllur 9 barnatore duke e përfshirë edhe këtë të fundit para, e cila u mbyll para dy ditësh në Podujevë", shprehet Behrami.

Ndryshe, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë deklaruar se është rritur numri i inspektorëve, në mënyrë që të luftohen dukuritë negative në fushën e farmaceutikës.

Ata thonë se vlerësimet e kohëve të fundit të cilat janë intensifikuar nga ana e inspektoratit farmacautik të AKPM-së reflektojnë përkushtimin e këtij agjencioni që të vendoset rregull në sektorin farmaceutik.

XS
SM
MD
LG