Ndërlidhjet

Shqipëri: Qeveria mbyll e pezullon disa institucione të arsimit të lartë


Qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapin e parë të reformës së saj në sistemin arsimor universitar.

Tetëmbëdhjetë universitete private dhe 9 filiale shtetërore do të pezullohen këtë vit akademik. Disa të tjerëve, kryesisht privatë, do t'u hiqet licenca apo t'u mbyllet aktiviteti deri në 1 vit.

Këto masa janë pasojë e mosrespektimit të kritereve ligjore nga ana e këtyre shkollave e universiteteve, të përcaktuara në ligj dhe nuk kanë lidhje me procesin e akreditimit, që do të nisë në muajin dhjetor, bën me dije Ministria e Arsimit.

Problem mbetet sistemi i studentëve që kanë nisur studimet pranë universiteteve që do të pezullohen këtë vit.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla thotë se ata do të sistemohen në universitete të tjera, publike apo private, por pa saktësuar konkretisht se si do të ndërmerret ky hap.

Vendimi i qeverisë për mbylljen e universiteteve dhe heqjen e licencës për një vit për disa të tjerë, ka sjellë reagime të ndryshme.

Për opozitën, si dhe për universitet e prekura, ky hap nuk është ndërmarrë me transparencë dhe lë shteg për klientelizëm.

Ish ministri i Arsimit, deputet i Partisë Demokratike, Kastriot Islami thotë se qeveria duhet të ndërmerrte një reformë më gjithëpërfshirëse, dhe më të studiuar.

“Nuk mund të ndërmerret një akt i tillë, duke shkaktuar tronditje te grupet e interesit”, thotë Islami.

Një pjesë e stafit të administratës shqiptare, bashkëpunëtorë të kryeministrit, e madje edhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, kanë kryer studimet pasuniversitare pranë disa prej universiteteve private që janë mbyllur.

Por Ministria e Arsimit sqaroi se diplomat e dhëna deri tani nga universitetet që do të mbyllen, do të vazhdojnë të njihen.

XS
SM
MD
LG