Ndërlidhjet

Jahjaga: Lufta kundër ekstremizmit dhe korrupsionit do të vazhdojë


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

Kosova duhet ta fitojë luftën kundër ekstremizmit e radikalizmit fetar sikurse edhe atë kundër korrupsionit, ka deklaruar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Këto komente, Jahjaga i ka bërë në takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Aty, Jahjaga ka përgëzuar organet e ndjekjes penale për aksionet e fundit kundër personave të dyshuar për përfshirje në lufta fetare e aktivitete të dyshuara terroriste, duke u zotuar se një përkushtim i tillë i institucioneve të Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Dua që të përgëzoj punën e përbashkët të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë për trajtimin që i kanë bërë kërcënimit të sigurisë kombëtare nga ekstremizmi dhe radikalizmi. Puna e tyre ka vërtetuar që të gjithë ne duhet të përkrahim kredibilitetin dhe efikasitetin e institucioneve tona të rendit dhe ligjit. Mekanizmat tonë institucional kanë dëshmuar se i kanë kapacitetet për t’u ballafaquar në mënyrë kredibile me fenomenet të cilat cenojnë frymën dhe vlerat mbi të cilat po e ndërtojmë shtetin tonë”, ka thënë Jahjaga.

Një përqendrim të veçantë në fjalimin e saj, presidentja Jahjaga kishte korrupsionin si një prej dukurive më negative të shtetit të Kosovës.

Përkundër zotimit për “zero tolerancë” ndaj korrupsionit, Jahjaga ka thënë se institucionet e shtetit nuk e kanë fituar ende këtë luftë dhe se vendi lëngon nga ky fenomen negativ.

Reforma në sistemin e drejtësisë po aq sa edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sipas presidentes Jahjaga, do të jenë tregues i përparimit të Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe liberalizmit të vizave.

“Ne nuk e kemi kryer tërësisht punën tonë. Sepse edhe nga kjo reforme e sistemit të drejtësisë, po aq sa lufta kundër korrupsionit e në veçanti ndaj krimit të organizuar, varet përparimi në rrugën tonë të integrimeve evropiane. Për më tepër varet procesi i liberalizimit të vizave. Nuk duhet të lejojmë që korrupsioni të bëhet normë e pranueshme shoqërore ose taksë që duhet paguar”, ka theksuar Jahjaga.

Presidentja e Kosovës ka kërkuar zgjidhjen sa më të shpejt të lëndëve të grumbulluara, sepse një veprim i tillë sipas saj, do ta ndihmonte luftën kundër korrupsionit.

Për këtë qëllim, ajo ka konfirmuar se ka dekretuar edhe 17 prokurorë të rinj.

Ndërkohë që kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci ka thënë se veprat penale të natyrës korruptive do të trajtohen me prioritet, në mënyrë që lufta e nisur kundër kësaj dukurie të jetë sa më efikase.

“Është vendosur që lëndët e korrupsionit të kenë prioritet në zgjidhje dhe janë vendosur jashtë kategorisë së strategjisë së lëndëve të vjetra, kështu që gjyqtarët janë të obliguar që lëndët e kësaj natyre t’i marrin me prioritet”, ka thënë Peci.

Gjatë këtij takimi, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha ka thënë se janë trajtuar vepra të krimeve të rënda dhe janë sekuestruar edhe pasuri në vlerë prej mbi 27 milionë euro.

XS
SM
MD
LG