Ndërlidhjet

Borxhet mes bizneseve, rrisin këmbimet


Ilustrim
Ilustrim

Në tregun e Kosovës ka mungesë të theksuar të qarkullimit të parasë së gatshme dhe kjo ka rritur nivelin e këmbimit të mallrave dhe njëherësh ka vështirësuar zhvillimin e veprimtarive të kompanive prodhuese.

Madje, kjo dukuri, sipas disa afaristëve, aktualisht është problemi kryesor në operimin e veprimtarive të tyre.

Linda Shala, pronare e kompanisë “Data Projekt Elektronik” në Prishtinë, për Radion Evropa e Lirë, thotë se kjo dukuri është evidente në treg, pasi sipas saj, viteve të fundit eksporti ka qenë në nivel të lartë.

Mungesa e parasë së gatshme në treg ka reflektuar me një dukuri tjetër, siç është këmbimi i mallrave me mallra, e që, sipas saj, po vështirëson të bërit biznes në Kosovë.

“Kjo dukuri është shumë prezent për një kohë në Kosovë, pra bëhet këmbimi i mallrave me mallra, në mungesë të mjeteve financiare, do të thotë në mungesë të kesh-it(parave të gatshme) kur për shërbimet e ofruara, për mallrat e shitura, gjendet mundësi e kompensimit me mallra tjera apo shërbime të ndryshme”, thotë Shala.

Këmbimi i mallrave është pjesë e ekonomisë, që nënkupton ndërrimin e mallrave për mall ose për para.

Këmbimi i mallrave është veprim ekonomik i nevojshëm, meqë në një vend nuk mund të prodhohen të gjitha produktet e nevojshme për jetën e njerëzve.

Më i shqetësuar me mungesën e parave të gatshme në tregun financiar, duket të jetë afaristi tjetër Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova", në Vushtrri, kompani kjo që merret me prodhimin dhe përpunimin e patates.

Kosumi thotë se kjo dukuri bizneset i ka stërngarkuar me borxhe në mes vete dhe afati i kthimit të borxheve asnjëherë nuk zbatohet.

“Të them të drejtën ndoshta është problemi kryesor dhe më aktual, sidomos muajve të fundit. Është problem shumë i madh, ndoshta edhe bankat i kanë vështirësuar procedurat për kredi, por është edhe eksport i madh i parave. Në bazë të raporteve zyrtare eksport - import, rezulton se Kosova eksporton para të gatshme, kurse importon mall".

"Për të gjitha mallrat që janë në afat të pritjes, na paraqitet ky problem. Kemi dy forma të shitjes, me pakicë dhe shumicë, por ato ku janë me afat të pritjes, rrallëkush që e respekton”, pohon Kosumi.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se problemet që paraqiten në mungesë të parasë së gatshme në sektorin privat, janë arsye e fillimit të bizneseve të reja pa ndonjë analizë të mirëfilltë për kërkesat e produkteve eventuale.

Lekë Musa thotë se në bazë të raporteve zyrtare, nuk ka mungesë të parasë së gatshme në treg, por mungesa e parasë së gatshme paraqitet në sektorin privat.

“U hyjnë ‘aventurave’ të biznesit pa bërë një analizë të fizibilitetit, pa shikuar se a ka në të vërtetë kërkesë të mjaftueshme për produktet dhe shërbimet, të cilat ato i ofrojnë. Prandaj, më shumë kemi të bëjmë me një çështje, mbi vendime jo të mira ekonomike, se sa me një problem faktik me mungesë të parasë së gatshme në treg të Kosovës”, thekson Musa për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, problemi i likuiditetit, që ka përfshirë kompanitë vendore, ka detyruar këto të fundit që gjejnë forma tjera të financimit, duke hyrë në borxhe, kredi ose në mbitërheqje (overdrafte) në bankat komerciale, si formë më e shpejtë e sigurimit të parave të gatshme, e që përforcon faktin se kompanitë nuk kanë fuqi pagimi.

XS
SM
MD
LG