Ndërlidhjet

“Made in Kosova”, në Evropë


Pavarësisht të gjitha vështirësive, disa kompani prodhuese të Kosovës kanë bërë hapa pozitivë për të depërtuar në tregjet evropiane.

Kompania “ASK Foods”, në Gjilan, e cila merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve, me produktet e saj ka arritur të jetë e pranishme në tregun e Suedisë, në Gjermani, Belgjikë, në Zvicër, në Kroaci dhe së shpejti pritet që produktet “Made in Kosova”, të jenë të pranishme edhe në tregun e Sllovenisë.

Këtë e bën të ditur në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, pronari i kësaj kompanie, Barlet Namoni.

Ai tregon se depërtimi në këto tregje evropiane ka qenë mjaft i vështirë, pasi që ka munguar angazhimi i autoriteteve shtetërore për krijimin e një klime më të favorshme ekonomike për prodhuesit vendor.

“Ka qenë problem pasi që nuk kemi pasur mbështetje prej organeve tona, duke filluar nga Oda Ekonomike, ka munguar vendosja e marrëdhënieve bilaterale me shtetet, kanë munguar marrëveshjet që lidhen me ekonomi. Realisht, ka qenë sfidë direkte e jona, pra nuk është lehtë të arrihet deri te partneri i jashtëm. Kjo kërkon kohë, angazhim, mirëpo fatmirësisht kemi arritur në këto pika dhe qëndrojmë mirë në bashkëpunim me ta”, tregon Namoni.

Sipas tij, krahasuar me prodhimet e vendeve të rajonit siç është Maqedonia, apo Serbia, prodhimet “Made in Kosova”, e kanë më të vështirë depërtimin në tregjet evropiane.

Sidomos produktet e Maqedonisë dhe Serbisë favorizohen më shumë dhe më lehtë e kanë të depërtojnë në tregjet evropiane. Por, mund të them se ne momentin kur produkteve të Kosovës iu jepet rasti të prezantohen dhe të shijohen, ato përfundimisht janë më të pëlqyera dhe hyjnë në tregun evropian”, shton Namoni.

Të dhënat e fundit të tregtisë së jashtme, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se partnerët kryesorë tregtarë, sa i përket eksportit dhe importit në Kosovë, janë vendet e Bashkimit Evropian.

Përqindja më e madhe e eksportit është në Itali, Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Zvicër, Mali i Zi si dhe në Kinë.

Përfaqësues të biznesit, në anën tjetër, kërkojnë nga autoritetet kompetente që të jenë më të vëmendshme karshi prodhimtarisë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se produktet, të cilat prodhohen në Kosovë vazhdojnë të mos e kenë fituar ende besimin e plotë nga konsumatorët, pavarësisht faktit se shumica nga këto prodhime plotësojnë standardet e Bashkimit Evropian.

“Për ekonomi, atëherë me siguri prodhimi kosovar duhet të jetë i targetuar për t’u mbështetur. Në këtë drejtim, duhet të pranohet një fakt i hidhur që mungon nacionalizimi ekonomik dhe derisa nuk tregojmë nacionalizëm ekonomik dhe fanatizëm për përdorimin e produkteve vendore ‘Made in Kosova’, atëherë si do t’i konsumojnë produktet tona shtetet tjera?”, thekson Gërxhaliu.

Edhe Gërxhaliu tregon se disa kompani prodhuese në Kosovë kanë arritur të depërtojnë në tregjet rajonale dhe më gjerë, por, sipas tij, nuk mjafton që vetëm bizneset të jenë aktive në këtë drejtim, prodhuesve iu nevojitet mbështetja institucionale.

Prodhuesit e vendeve të rajonit, vetëm për të rritur konkurrueshmërinë tyre subvencionojnë në formë indirekte, gjë që nuk ndodh në Kosovë. Dhe, ajo çka është shqetësuese në këtë drejtim, është fakti se prodhimi kosovar karshi nevojës për subvencionim, ka nevojë për mbrojtje. Çdo ditë në Kosovë punohet me fatura të dyfishta, depërtojnë produkte të dyshimta me kualitet jo të kontrolluar dhe e tërë kjo e dobëson konkurrueshmërinë e prodhimit vendor”, shton Gërxhaliu.

Qytetarët thonë se produktet vendore tashmë janë shumë më cilësore sesa që ishin dikur.

Anila, një qytetare nga Prishtina, shprehet:

“Ka produkte të mira. Unë i preferoj disa prej tyre, siç janë produktet e qumështit”.

Ngjashëm mendon edhe Sabit Ramadani:

“Blej dhe i preferoj produktet vendore, nuk kanë qenë cilësore, por tani janë të mira edhe për nga çmimi nuk qëndrojnë keq”.

XS
SM
MD
LG