Ndërlidhjet

Maqedonia, jashtë agjendës për anëtarësim


Samiti i NATO-së në Kardif, jo vetëm që nuk do të sjell asnjë zhvillim pozitiv sa i përket Maqedonisë, por vendet anëtare të aleancës do të kërkojnë përmbushjen edhe të kritereve tjera ku vendi ka shënuar ngecje, thonë njohësit e çështjeve të integrimit euroatlantik.

Ish ambasadori në NATO, Nano Ruzhin, thotë se samiti kryesisht do ti përkushtohet çështjeve brenda aleancës, si dhe zhvillimeve tjera, siç janë ato në Ukrainë dhe në Irak, ndërsa sa i përket zgjerimit të saj, do të përsëriten qëndrimet tashmë të njohura, ndërsa në rastin e Maqedonisë, përveç çështjes së emrit, do të kërkohen edhe kritere tjera.

“Maqedonia sigurisht se do të përmendet në një nga dokumentet që pritet të miratohen, se duhet të vazhdoj me reformat, se përveç emrit duhet të zgjidh edhe probleme tjera, të vendos dialogun politik, të vazhdojë me luftimin korrupsionit, të garantoj gjyqësi të pavarur e kështu me radhë. Pra, do të kërkohen edhe kritere tjera ndërsa çështja e zgjerimit nuk do të jetë kurrsesi temë e debatit të aleancës“, thotë Ruzhin.

Edhe Albert Musliu, analist, nuk përjashton mundësinë që kriza politike në vend, mungesa e dialogut, ngecjet në reformat, të zënë vendin kryesor përskaj kontestit të pazgjidhur të emrit me Greqinë.

“Unë nuk pres diçka të re nga ky samit, madje është e mundur që Maqedonia të merr edhe vërejtje për ngecjen e proceseve pasi nga samiti i Bukureshtit në këtu kemi pasur vetëm se procese retrograde. Dmth, nuk është në pyetje vetëm çështja e emrit pasi për të vetëm se është bërë thirrje publike, por në pyetje janë edhe çështje tjera, të cilat kanë ngecur dhe që duhet të kapërcehen“, thotë ai.

Musliu dhe Ruzhin, ndërkohë kanë qëndrime të ndryshme nëse mbetja e Maqedonisë jashtë NATO-së do të ketë pasoja në skenën politike brenda vendit.

Kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti në një prononcim për mediat e vendit para shtatë muajve kishte deklaruar se në rast se Maqedonia në shtator nuk anëtarësohet në NATO, atëherë mund të ndodhë që të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme në vjeshtë, duke lënë për të kuptuar se partia e tij mund të largohet nga koalicioni qeverisës.

Analisti Albert Musliu, nuk përkashton mundësinë që një gjë e tillë edhe të ndodhë.

Mos anëtarësimi në NATO dhe problemet tjera që janë në skenën politike, si mungesa e dialogut politik dhe e reformave mund ta tensionojnë skenën politike dhe tani varësisht nga vlerësimet që do ti bëjnë partitë politike, në veçanti ato në pushtet, kjo mund të përfundon edhe me zgjedhje të parakohshme“, thotë Musliu.

Por, ndryshe nga ai, vlerëson ish ambasadori në NATO, Ruzhin. Ai thotë se tensione mund të ketë por kurrsesi prishje të koalicionit, pasi situata të këtilla ka pasur shumë vite me radhë, sikur edhe kërcënime që asnjëherë nuk janë realizuar.

“Janë të mundshme reagime të caktuara, akuza të ndërsjella e kështu me radhë, por vlerësoj se koalicioni nuk do të rrezikohet, apo se partneri shqiptarë do të bëj ndonjë kthesë revolucionare. Kjo nuk do të ndodhë dhe dy partitë do të vazhdojnë me bashkëqeverisjen ashtu si edhe deri më tani“, thotë Ruzhin.

Delegacionin e Maqedonisë në samitin e Kardifit që do të mbahet të enjten dhe të premten do ta udhëheqës ministri i jashtëm, Nikolla Poposki ndërsa në kuadër të delegacionit nuk do të ketë asnjë zyrtarë shqiptar.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim janë arsyetuar se resorët ministror që udhëheqë kjo parti nuk kanë lidhshmëri direkte me aleancën veri-atlantike.

Prioritet kryesor i kësaj partia është anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE dhe me qëllim realizimin e tyre, kjo parti kishte hequr dorë nga disa çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët, gjatë marrjes së vendimit për të bashkë-qeverisur me VMRO-DPMNE-së, e kryeministrit Nikolla Gruevski.

XS
SM
MD
LG