Ndërlidhjet

Maqedoni: Gjyqësi efikase për zyrtarët, jo edhe për qytetarët


Ilustrim
Ilustrim

Procesi gjyqësor ndërmjet kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kryetarit të Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, që përfundoi për dy ditë me shpalljen fajtor të kreut të opozitës për shpifje dhe ofendim, dëshmon nivelin, në të cilën ndodhet gjyqësori në vend.

Sipas ekspertëve të çështjeve juridike, ky rast është edhe një dëshmi e qartë për vendimet e njëanshme të gjykatave, të cilat janë efikase vetëm kur bëhet fjalë për zyrtarët, apo kur pushteti bën presion në marrjen e vendimeve.

“Gjyqësori në Maqedoni nuk është i pavarur, edhe pse kjo garantohet me Kushtetutë. Kjo vërehet nga rastet konkrete, procedurat konkrete si në lëmin penal, ashtu edhe në atë civil, ku kemi njëanshmëri të theksuar. Pra, kemi gjykime sipas diktatit, sipas presioneve politike që e bëjnë të ditur nga më parë edhe rezultatin apo epilogun gjyqësor“, thotë Osman Kadriu, ligjërues i së drejtës kushtetuese.

Sipas tij, gjykatat veprojnë jashtë të gjitha standardeve ndërkombëtare, ndërsa pasojat nga e gjithë kjo i ndiejnë qytetarët. Ai thotë se efikasiteti është në nivelin më të ulët të mundshëm kur është fjala për lëndët ku palë nuk paraqiten zyrtarët.

Kadriu thotë se përvoja e tij edhe si avokat, dëshmon se ka raste kur palët edhe kanë ndërruar jetë pa pritur epilogun gjyqësor.

“Kemi procese gjyqësore që zgjasin dy, tre, pesë e madje edhe 15 vjet. Kemi raste kur palët kanë ndërruar jetë pa pritur epilogun gjyqësor për lëndë të caktuara. Kjo është dëshmia më e qartë se kemi apo jo gjykata efikase në vend“, thotë Kadriu.

Edhe Margarita Caca Nikollovska, ish-gjykatëse në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, thotë se efikasiteti dhe pavarësia e gjykatave të vendit, nuk janë në nivelin e duhur. Ajo thotë se zgjidhjet ligjore të miratuara janë të mira, por mungon vullneti politik për zbatimin e tyre.

Sipas saj, për shkak të mungesës së efikasitetit, shumë qytetarë vendosin që drejtësinë ta kërkojnë në gjykatat ndërkombëtare.

“Ne kemi shumë lëndë para gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut për shkak të stërzgjatjes së procedurës, kjo vetëm sa dëshmon se efikasiteti nuk është në nivelin e duhur. Është e vërtetë se kemi zgjidhje të mira ligjore, por shtrohet pyetja, sa këto ligje zbatohen në praktikë“, thotë Nikollovska duke shtuar se gjyqësia mund të arrijë nivelin e dëshiruar, vetëm nëse politika heq dorë nga presionet dhe format e tjera të ndikimit mbi punën e tyre.

Kritikat ndaj gjyqësorit janë të vazhdueshme dhe mendoj se është koha të ndërmerren hapa në sigurimin e pavarësisë së dëshiruar. Ajo mund të sigurohet duhet hequr dorë nga presionet politike, duke zgjedhur njerëz, apo punonjës gjyqësor profesionistë, por mbi të gjitha mendoj se nevojitet vullnet politik nga partitë për të siguruar një gjyqësi të pavarur dhe efikase“, thekson ajo.

Gjendja në pushtetin gjyqësor pritet të jetë në mesin e kritikave, me të cilat do të përballet Maqedonia në Raportin e progresit të Komisionit Evropian.

Kritika ka pasur edhe në raportet e fundit, ndërsa janë përmendur edhe në konkluzionet e samitit të Berlinit të para disa ditëve.

Pushteti së fundi ka iniciuar disa ndryshime të reja kushtetuese që kanë të bëjnë edhe me Gjyqësorin apo heqjen e ministrit të Drejtësisë nga pozita e anëtarit në Këshillin Gjyqësor, por masat e tilla më tepër janë vlerësuar si farsë se sa si gatishmëri për të siguruar pavarësi të pushtetit gjyqësor.

XS
SM
MD
LG