Ndërlidhjet

Nojkiq: Veriu të mësohet me ligjin


Rangjel Nojkiq
Rangjel Nojkiq

Reagimet e serbëve në veri të Kosovës ndaj arrestimeve dhe thirrjeve për intervistë të disa liderëve serbë nga ana e EULEX-it, janë të kuptueshme, për shkak se kanë jetuar në një periudhë të kaluar , kur nuk është dhënë përgjegjësi për kurrfarë shkelje apo vepër penale, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Rangjel Nojkiq, njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë. Ai thekson se serbët në veri duhet ta respektojnë ligjin.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Nojkiq, serbët në veri të Kosovës, në vazhdimësi kanë reaguar ndaj arrestimeve dhe thirrjeve për t’u intervistuar, të disa liderëve serbë, nga ana e prokurorëve të EULEX-it. A i shihni këto reagime si të arsyeshme apo ato janë inercion i ndonjë mentaliteti të caktuar politik?

RANGJEL NOJKIQ: Mendoj se reagimet, duke pasur parasysh vazhdimësinë e ngjarjeve dhe atë që e ka karakterizuar veriun e Kosovës, kanë qenë të pritura, në kuptimin që në atë zonë kanë vlejtur disa rregulla të pashkruara dhe në këtë moment, po provohet të vendoset një sistem i përgjegjësisë.

Atëherë, janë krejtësisht të kuptueshme reagimet e atyre që kanë jetuar në një periudhë të kaluar, kur nuk është dhënë përgjegjësi për kurrfarë shkelje apo vepër penale. Është normale që të pritet të zbatohet ligji dhe prandaj reagimet janë ashtu çfarë janë. Pra, po përpiqen t’u shmangen përgjegjësive të caktuara.

RADIO EVROPA E LIRË

A mund që e gjithë kjo situatë të prodhojë tensione eventuale?

RANGJEL NOJKIQ: Mendoj se tensione nuk do të ketë. Reagimet, nuk do të jenë të njëjta sikurse në periudhën e shkuar. Në qoftë se përkujtoni se çfarë ndodhte para 1 vjet e më shumë, çfarë ndodhte rreth atyre “revolucioneve të trungjeve” dhe bllokadave, reagime të tilla nuk do të ketë. Me siguri do të ketë reagime spontane brenda institucioneve, protesta të caktuara. Por, ajo çfarë ka ndodhur në periudhën e kaluar, mendoj se ajo është pjesë e një të kaluare dhe më nuk do të përsëritet.

RADIO EVROPA E LIRË

Deri në çfarë mase, sipas jush, ka sundim të ligjit dhe rendit në veri të Kosovës?

RANGJEL NOJKIQ: E dini çfarë? Njerëzit duhet t’u përgjigjen thirrjeve të organeve, në qoftë se nuk kanë përgjegjësi. Përgjegjësia argumentohet shumë lehtë dhe eliminohet çfarëdo mundësie për procedim - në një situatë të tillë, njerëzit duhet ta kuptojnë se duhet të japin përgjegjësi ose t’u përgjigjen organeve të caktuara.

Kjo është diçka që njerëzit nga pjesa qendrore e vendit e kanë kuptuar dhe reagime të tilla nga serbët që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër, nuk ka. Por, ky ka qenë një proces, i cili ka zgjatur dhe institucionet duhet ta kuptojnë një situatë të tillë. Por, para së gjithash, duhet ta kuptojnë edhe serbët në ato hapësira, në veri, se duhet të respektohen ligjet.

Është fakt se në veri të Kosovës, në vitet e kaluara, nuk kemi pasur reagime, sepse ka mbretëruar mungesa e ligjit, qoftë kjo kur kemi të bëjmë me ligjet serbe, qoftë të Kosovës, qoftë ndërkombëtare. Prandaj, nën një gjendje të tillë konfuze, është e kuptueshme që nuk mundeni ju gjithë këtë ta vini në rregull.

RADIO EVROPA E LIRË

Të enjten, në Bruksel është nënshkruar marrëveshje ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë, për ndërtimin e objekteve të përhershme në vendkalimet kufitare, si pjesë e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. A mendoni se zbatimi i marrëveshjes së Brukselit po shkon ngadalë dhe ku i shihni pengesat?

RANGJEL NOJKIQ: Mendoj se marrëveshja e Brukselit po realizohet ngadalë, gjegjësisht, zbatimi i saj. Ka qenë një ndërprerje dhe mendoj se kjo ka ndodhur për faktin se në Prishtinë ende nuk është formuar Qeveria, nuk janë formuar institucionet ashtu siç duhet.

Ne nuk mendojmë se qeveria nuk ekziston, sepse ajo ekziston, do të thotë Qeveria në largim apo teknike. Por, kompetencat e asaj qeverie nuk janë me ato kapacitete që mund të propozojnë zgjidhje të caktuara.

Në anën tjetër, në këtë periudhë do të formohet qeveria, por ende nuk dihet se si do të bëhet kjo. Është krejtësisht e kuptueshme që ekziston përparësi e caktuar për fillimin e të gjitha procedurave. Kështu që, unë mendoj se të gjitha pengesat do të largohen në atë moment që do të formohen institucionet - mendoj për kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë e Kosovës - dhe atëherë ata që do ta marrin mbështetjen ose do ta kenë legjitimitetin, do të fillojnë që me kapacitete të plota ta nisin realizimin e marrëveshjes, si dhe realizimin e të gjitha atyre, për të cilat nuk ka marrëveshje, por që janë në rend të ditës.

RADIO EVROPA E LIRË

Partitë politike në Kosovë janë ndarë në dy blloqe, qëllimi i të cilave është pozita e kryetarit të Kuvendit dhe formimi i Qeverisë. A keni vënë re se në cilën anë është pozicionuar Lista Serbe, si subjekti më i madh politik që përfaqëson serbët në Kuvendin e Kosovës?

RANGJEL NOJKIQ: Më duhet të them se me gjithë faktin që unë mjaft e përcjelli skenën politike në përgjithësi, e sidomos të serbëve në Kosovë, përfundimi im është se aty nuk ka unitet dhe se ata janë të ndarë. Një pjesë e vogël anon për qeverinë e vjetër. Një pjesë tjetër është e pavendosur, ndërkaq, një pjesë e pret grupin fitues dhe që më pas të anojë kah ai grup. Unë konsideroj që kjo nuk është në mirë, për faktin që, në qoftë se serbët tash nuk kanë qëndrim të shprehur qartë lidhur me çështjen e qeverisë, kapacitetet e tyre për realizimin e mëtutjeshëm të kërkesave të tyre, do të jenë shumë më të vogla.

Në qoftë se ata tash do ta thoshin qartë – e kjo do të thotë se ata do të duhej ta vlerësonin se cila është pala fituese dhe me këtë ta fitonin besimin, e në anën tjetër, që tash të fillojnë të merren vesh që pas formimit të qeverisë të realizohen propozimet e tyre – do të ishin kapacitetet shumë më të mëdha, siç thashë, nëse sqarohen me kohë.

Por, kështu, duke pritur palën fituese dhe asaj t’i bashkohen, gjegjësisht t’i mbeten besnik, hapësira e tyre për realizmin e kërkesave do të jetë shumë e ngushtë.

XS
SM
MD
LG