Ndërlidhjet

Blloku fton Vetëvendosjen në koalicion para seancës


Ilustrim
Ilustrim

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës më 12 shtator, parashihet të jetë jo vetëm vazhdimësi e seancës së 17 korrikut, por edhe një lloj reprize e saj.

Partia Demokratike e Kosovës shkon në këtë seancë sërish me propozimin e saj për kryetar të Kuvendit, por pa marrëveshje me ndonjë parti politike nga shumica me çka e vë në pikëpyetje arritjen e 61 votave të deputetëve në mbështetje të kësaj kandidature.

Kurse blloku i koalicionit të partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, sërish pritet të procedojnë kandidaturën e Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit.

Kësaj radhe, blloku LDK, AAK dhe Nisma po shpreson se do të shkojë në seancë edhe me marrëveshje të shkruar me Lëvizjen Vetëvendosje për përfshirjen e saj në qeverinë e ardhshme.

Pas një takimi që liderët e këtyre partive zhvilluan, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur i bindur se edhe Vetëvendosje mund të jetë pjesë e koalicionit.

“Ka pas një komunikim shumë intensiv këto ditë. Qëndrime janë përafruar dhe janë shumë afër që në këtë seancë ne të shkojmë së bashku. Informatat që kemi ne, qëndrimet janë përafruar. Po me siguri po, dhe do të punojmë që përgatitjet për seancë ti kemi të përmbyllura para seancës”, është shprehur Ramush Haradinaj.

Një nga protagonistët e seancës pritet të jetë sërish lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Ai ishte zgjedhur më 17 korrik në postin e kryetarit të Kuvendit gjatë vazhdimit të seancës në prani të 83 deputetëve, por më pas Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar këtë vendim, duke e interpretuar si jo kushtetues.

Tani, pas aktgjykimit të Kushtetueses, Mustafa thotë se fillimisht do të pritet që PDK të dalë me kandidatin e saj.

Por, duke besuar se PDK nuk i ka 61 vota, Mustafa dhe blloku i treshes presin më pas që të marrin të drejtën e kandidimit, duke u thirrur në aktgjykimin e Kushtetueses ku mes tjerash kërkohet që deputetët të gjejnë një zgjidhje kushtetuese për postin e kryetarit të Kuvendit.

“Ne do të shkojmë në Kuvend, do të respektojmë të gjitha procedurat kushtetuese të Kuvendit dhe do të shohim hapësirë që vendimi ka paraparë, pasi që vendimi ka thënë se deputetët duhet të gjejnë zgjidhje dhe ne do të angazhohemi maksimalisht që të gjejmë zgjidhje në Kuvend. Ne nuk mund ta caktojmë sa herë, por unë konsiderojë se PDK-ja do t’i shtjerrë mundësitë e saj sepse atë ia ka mundësuar një vendim”, ka thënë Mustafa.

Më 12 shtator, liderët e bllokut LDK, AAK dhe Nisma shpresojnë që do të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe kështu t’i hapet mundësia fillimit të formimit të institucioneve tjera, përfshirë edhe qeverinë e re.

Kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj ka thënë me këtë rast se të gjitha përpjekjet kanë si synim tejkalimin e këtyre zvarritjeve dhe formimin e organeve sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Shpresojmë shumë që kjo situatë e zvarritjes dhe bllokimit nga 12 shtatori të kaloj në një situatë krejt tjetër të zhbllokimit dhe fillimit të ndërtimit të institucioneve të vendit”, ka thënë Limaj.

Sidoqoftë, seanca e 12 shtatorit mund edhe të mos i jap fund zgjidhjes së nyjës politike e kushtetuese rreth formimit të institucioneve të reja.

Zyrtarë të PDK-së, nuk e kanë përjashtuar si mundësi që në rast se Isa Mustafa zgjidhet sërish kryetar i kuvendit, sipas propozimit të bllokut LDK, AAK dhe Nisma ta procedojnë çështjen përsëri tek Gjykata Kushtetuese për interpretim.

PDK pretendon se Kushtetuesja i ka njohur asaj dhe vetëm asaj të drejtën për këtë post gjatë këtij mandati të institucioneve, duke e përcaktuar si grupin më të madh parlamentar.

XS
SM
MD
LG