Ndërlidhjet

Baghajati: Të gjithë jemi përgjegjës për rekrutimin ekstremist


Tarfa Baghajati
Tarfa Baghajati

Imami mysliman i lindur në Siri, Tarfa Baghajati, kryesues i Nismës Myslimane Austriake është aktiv në çështjet siç është imigrimi, racizmi dhe të drejtat e njeriut.

Duke u shprehur për të rinjtë nga Evropa që u bashkohen militantëve të Shtetit Islamik, ai konsideron se ata nuk e shohin veten se janë pjesë e shoqërisë perëndimore.

Por, shtrohet pyetja se çka i shtynë myslimanët evropianë që t’i bashkohen grupit të militantëve të Shtetit Islamik?

“Janë një numër i faktorëve: së pari dhe më i rëndësishmi, është se njerëzit e rinj, që shkojnë me këto grupe, paraprakisht nuk kanë lidhje të fuqishme me islamin dhe myslimanët. Ata kurrë nuk e kanë vizituar ndonjë xhami dhe disa prej tyre as nuk dinë të falen. Kjo është se përse ata me të shpejtë përfshihen nga një ndjenjë emocionale, e pastaj në një drejtim religjioz. Atyre u është thënë se ata e mbajnë realitetin absolut dhe se do t’ju tregojmë juve rrugën e së vërtetës, të martirizimit dhe rrugën për në parajsë”, thotë imami, Tarfa Baghajati.

Faktori i dytë sipas tij, është se këta të rinj nuk e shohin vetveten se janë pjesë e shoqërisë perëndimore: ata nuk janë afruar për tu përzierë në një mënyrë pozitive. Ky është një lloj i diskriminimit dhe ndjekjes indirekte kundër islamit dhe myslimanëve, që këtu është e definuar si “islamofobi”.

Prandaj, duket se ky lloj i tjetërsimit shfrytëzohet nga organizatat ekstremiste?

“Ne këtu duhet të ndalemi nga fajësimi i perëndimit, dhe ne duhet ta pyesim vetveten për atë se si ky mendim është infiltruar në shoqëritë tona. Mendohet se ky proces është vendosur në mendjet tona për dekada, e veçanërisht gjatë 20 viteve të kaluara. Ai ka pasur ndikim në mendjet e të rinjëve tanë dhe i ka çuar ata kah hedhja poshtë e shoqërive të tyre, më tepër se shoqëritë perëndimore. I ka distancuar ata nga islami tradicional në Irak, Siri dhe në shoqëritë e hapura, duke i vënë ata në rrugën e fanatizmit, që e ka vetëm një interpretim në çfarëdo ajeti të Kuranit. Këto ajete relevante kanë për qëllim të sjellin drejtësi në tokë, e jo t’i prenë duart ose kokat ose t’i sulmojnë të tjerët ose për t’i rrahur me kamxhik të rriturit”, thotë Baghajati.

Ka pasur debate të ndryshme lidhur me atë se xhamitë në vendet perëndimore e ndajnë përgjegjësinë për trendin e rekrutimit. Çka mendon imami Tarfa Baghajati për këtë çështje?

Po, përgjegjësi morale. Ne të gjithë jemi përgjegjës. Për këtë arsye ne në Komisionin Islam të Austrisë dhe në shumë xhami në Austri, jemi përpjekur që këtë çështje të mos e lëmë në duart e të tjerëve. Çështja duhet të ketë vend në Faljet e Xhumasë. Dhe, ajo që është shumë e rëndësishme, ne duhet të flasim me gjuhë lokale. Një nga problemet është se Interneti është burim parësor për këta njerëz të rinj, bile edhe për religjionin. Për fat të keq, është trendi ekstremist që mbizotëron në Internet përmes faqes YouTube në secilën gjuhë. Ne i pranojmë mangësitë tona”, tha imami Tarfa Baghajati në intervistën për Radion Evropa e Lirë. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG