Ndërlidhjet

Marrëveshje e parimeve për koalicion, ende jo për qeveri


Bllokut të partive të koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma i është bashkuar edhe Lëvizja vetëvendosje.

Liderët e këtyre partive politike nënshkruan të mërkurën marrëveshjen e parimeve mbi bazën e të cilave pretendojnë të ndërtojnë institucionet e reja qendrore të Kosovës.

Marrëveshja e parimeve, synon që të zgjidhë fillimisht çështjen e kryetarit të Kuvendit, ndërkaq në të ardhmen edhe ndërtimin e qeverisë së koalicionit të gjerë, por pa Partinë Demokratike të Kosovës.

Një marrëveshje e ngjashme, ishte nënshkruar edhe para tre muajve nga blloku LDK, AAK dhe Nisma, përkatësisht nga Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj.

Kurse tre muaj pas, pjesë e këtij koalicioni u bë edhe Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti.

Marrëveshja e nënshkruar, sipas liderit të LDK-së, Isa Mustafa ka për qëllim ndërtimin e institucioneve funksionale të Kosovës në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe në interes të ndërtimit të një shteti ligjor.

“Kjo marrëveshje na obligon që sa më parë dhe në përputhje me parimet e demokracisë parlamentare me normat kushtetuese dhe ligjet e vendit, t’i ndërtojmë institucionet e reja. Të përqendrohemi në zhvillimin ekonomik, në rritjen e punësimit dhe mirëqenien e qytetarëve".

"Të vendoset dialog i hapur dhe demokratik me pakicën serbe në Kosovë, për integrimin e plotë të tyre si qytetarë të barabartë të Kosovës. Të angazhohemi për një dialog të sinqertë parimor, të përgatitur mirë, të orientuar dhe fokusuar në çështjet me interes për Republikën e Kosovës”, ka theksuar Mustafa.

Me këtë marrëveshje, blloku i partive jo fituese të zgjedhjeve pretendon ta qes në opozitë PDK-në e Hashim Thaçit.

Kurse pajtohet që Isa Mustafa të rikandidohet për kryetar të Kuvendit, kurse qeveria të udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Vetëvendosje, në parimet e saj bazë ka dialogun me Serbinë dhe rishikimin e privatizimit.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, edhe pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ka deklaruar se partia e tij do të mbajë edhe një referendum të brendshëm rreth përfshirjes në qeveri.

Sidoqoftë, ai është pajtuar që me këtë nënshkrim, t’i miratojë parimet bazë të marrëveshjes.

“Kur të vije puna te formimi i Qeverisë së re, që do ta ndryshojë Kosovën si në aspektin politik po ashtu edhe në atë socio-ekonomik, do ta mbajmë referendumin brenda Vetëvendosjes. Ajo çfarë kemi bërë sot pas tremujorit të fillimit të bisedimeve tona, është që Vetëvendosje bashkë me LAN (LDK, AAK dhe Nisma), jemi marrë vesh që Kosovën ta hedhim në binarët e drejtësisë, të zhvillimit, të barazisë, të luftës së krimit dhe korrupsionit”, ka deklaruar Kurti.

Për formimin e qeverisë dhe pjesëmarrjen e Vetëvendosjes, Kurti ka deklaruar se do të nevojitet edhe një marrëveshje tjetër.

Sidoqoftë, për jetësimin e këtij koalicioni fillimisht pritet që të zhvillohet seanca e 12 shtatorit ku në rend dite është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Për këtë post, Partia Demokratike e Kosovës insiston se i takon vetëm asaj dhe në rast se koalicioni zgjedh Isa Mustafën, e paralajmëron se do ta dërgojë lëndën sërish në Gjykatën Kushtetuese.

Marrëveshja mbi Parimet mes LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosjes parasheh që dialogu me Serbinë është përgjegjësi e Qeverisë dhe Qeveria do të emërojë e drejtuesin për procesin e dialogut nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje si dhe do të krijojë hapësirë për përfshirje të opozitës në proces.

Kurse një pjesë e marrëveshjes flet për zhvillimin ekonomik dhe privatizimin.

Para se të nënshkruanin këtë marrëveshje, Mustafa, Haradinaj e Limaj kanë zhvilluar një takim edhe me Ambasadoren amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson dhe me Përfaqësuesin Special të BE-së, Samuel Zbogar.

Përfaqësuesit ndërkombëtar kanë kërkuar në vazhdimësi nga lidershipi dhe partitë politike që të gjejnë vet zgjidhje për formimin e institucioneve, por duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Më poshtë botojmë marrëveshjen e plotë ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partisë Nisma dhe Lëvizjes Vetëvendosje:

1. Të përqendrohen me prioritet në çështjet e zhvillimit ekonomik të vendit, rritjen e punësimit dhe të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, reformat substanciale në arsim dhe në shëndetësi, në forcimin e shtetit ligjor në luftën kundër krimit të organizuar.

2. Të ndërmerren reforma institucionale, me qëllim të demokratizimit të vendit dhe rritjes së efikasitetit të institucioneve.

3. Të punojnë drejtë perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës dhe përmbushjen e standardeve për anëtarësim në BE dhe në NATO, si dhe për intensifikimin e dialogut me Komisionin e BE-së dhe institucionet e tjera të BE-së për obligimet e Republikës së Kosovës në procesin e integrimit dhe të anëtarësimit të plotë në BE.

4. Të vendoset dialogu i hapur demokratik me pakicën serbe në Kosovë, për integrimin e plotë të tyre, si qytetarë të barabartë të Kosovës, nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.

5. Të angazhohen për një dialog cilësor, parimor, të përgatitur mirë, të orientuar dhe të fokusuar në çështjet me interes për Republikën e Kosovës, duke u bazuar në parimin e reciprocitetit dhe respektimin e ndërsjellë të sovranitetit dhe të integritetit territorial. Të ndërtohen dhe të shfrytëzohen mekanizma të përshtatshëm parlamentarë (në përputhje me dispozitat përkatëse të Rregullores së Punës së Kuvendit sipas nenit 71) dhe qeveritarë për vlerësimin e rezultateve të dialogut. Çështjet që do të dialogohen dhe korniza e dialogut të vendosen me pajtueshmërinë e secilës palë nënshkruese të kësaj “Marrëveshjeje mbi Parimet” dhe të miratohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dialogu është përgjegjësi e Qeverisë dhe Qeveria do të emërojë drejtuesin për procesin e dialogut nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe do të krijojë hapësirë për përfshirje të opozitës në proces.

6. Të punojnë për zbatimin e detyrimeve nga marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat I ka marrë Republika e Kosovës dhe të cilat dëshmohet se janë në përputhje me subjektivitetin e Republikës së Kosovës dhe nuk e cenojnë e as nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të drejtat e njeriut. Për të dëshmuar këtë do të shfrytëzohen mekanizmat e Komisionit të Venedikut dhe mekanizma të tjerë.

7. Të ndërtojnë mekanizma të përshtatshëm parlamentarë (në përputhje me dispozitat përkatëse të Rregullores së Punës së Kuvendit sipas nenit 71) dhe qeveritarë për vlerësimin e procesit të privatizimit, duke marrë parasysh interesin qytetar dhe shtetëror, si dhe reformimin thelbësor të qeverisjes korporatave të kompanive publike qendrore dhe lokale, ndërkaq vendimet për të ardhmen e tyre do të merren me pajtueshmërinë e secilës palë nënshkruese të kësaj “Marrëveshjeje mbi Parimet” dhe do të miratohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës. Po ashtu, do të investohet në rritjen e vlerës së Trepçës (së cilës do t’i dedikohet një ligj i veçantë) si dhe të KEK-ut dhe PTK-së.

8. Kjo “Marrëveshje mbi Parimet” do të jetë pjesë e Programit qeverisës.

XS
SM
MD
LG