Ndërlidhjet

Rritet numri i turistëve në Kosovë


Ujvara e Mirushës
Ujvara e Mirushës

Krahasuar me vitet e kaluara, numri i turistëve të cilët kanë vizituar Kosovën gjatë muajve të verës ka shënuar rritje, thonë përfaqësues të autoriteteve të Kosovës dhe udhëheqës të shoqatës së turizmit.

Ndonëse, Kosova ende nuk ka një institucion që regjistron saktë numrin e turistëve dhe preferencat e tyre, udhëheqës të shoqatës së turizmit tregojnë për Radion Evropa e Lirë, se numrin më të madh të turistëve e përbëjnë qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit.

Megjithatë, siç thonë ata në këtë sezon të verës nuk kanë munguar edhe turistë, nga shtetet evropiane.

Rajoni qendror turistik i Prishtinës, ai i Alpeve Shqiptare, rajoni turistik i Sharrit, i Mitrovicës dhe ai i Anamoravës, ishin vendet më të vizatuara.

Këto janë pesë rajonet kryesore turistike në Kosovë.

Por, pavarësisht të gjitha këtyre resurseve të mjaftueshme turistike, ky potencial ende nuk ka arritur të promovohet tregon Zekë Çeku nga shoqata e Turizmit në Kosovë.

Ai thekson se turistët u ballafaquan me mungesë të informacioneve të vendeve turistike që ka vendi.

“Informimi është i mangët nuk funksionojnë institucionet qendrore që janë përgjegjës për këtë punë, nuk punohet në informimin e mysafirëve nuk punohet në marketing nuk kyçen ekspertët e fushës në këtë çështje. Organizmi i brendshëm nuk është në nivel".

"Në disa komuna janë krijuar zyre të turizmit si në Pejë, Prizren mirëpo nuk ka komunikim, koordinim mes aktorëve siç janë institucionet lokale me hotele, restorantet, shoqata”, tregon Çeku për Radion Evropa e Lirë.

Për faktin se institucionet e Kosovës nuk janë treguar të organizuara karshi këtij sektori shumë vende turistike kanë probleme me infrastrukturë, shprehet Çeku.

Në lokacionet turistike shton ai ka mungesë të kapaciteteve të akomodimit.

Sipas tij, nëse në Kosovë llogaritet të jenë ndërtuar mbi 300 hotele, shumica prej tyre janë ndërtuar në vende që nuk konsiderohen atraktive për vizitorët dhe nuk janë vende turistike.

“Kosovës i mungojnë kapacitete e akomodimit, në shumë vende nuk ka infrastrukturë, mungojnë kapacitetet në vendet më atraktive të Kosovës, derisa ka hotele në vende ku ndoshta janë të panevojshme. Ka mungesë të hoteleve në lokacione ku mund të kalohen pushimet”, thekson Çeku.

Hysen Sogojeva shef i Departamentit të Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosova janë duke u parë elemente të zhvillimit të turizmit.

Ai thekson se përveç atraksioneve natyrore që i ka vendi, në Kosovë nuk po mungojnë edhe kapacitetet hoteliere të ndërtuara nga investitorë individual.

Derisa sa i përket mungesës së informacioneve për turistët Sogojeva shton se janë duke punuar në infrastrukturë ligjore e cila përcakton disa kritere të informatave për turistët.

“Ne si ministri ne në të ardhmen jemi duke punuar që në çdo komunë së paku të ketë një përfaqësues që do të merret drejtpërdrejt me turizëm, që pastaj ai zyrtar të kontaktoj me shoqatat e ndryshme si ato vendore, rajonle dhe ndërkombëtare që të krijojë një urë lidhëse mes akterëve të shërbimit për turistët dhe të japin rezultate në këtë fushë”, shton Sogojeva.

Dy qytetet si Peja dhe Prizreni të cilat konsiderohen si rajone turistike tregon Sogojeva i kanë zyrat e informacionit për turizëm, ku vizitorët mund të marrin informata për vendet atraktive që mund të vizitohen.

Vlen të theksohet se vitin e kaluar, projekti “Majat e Ballkanit”, që përfshinte organizata lokale turistike në Kosovë, Shqipëri e Mal të Zi në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara kishin marrë çmimin ndërkombëtar, “Tourism for Tomorrow”.

Pasuritë natyrore të Pejës në Kosovë, Plavës e Gucisë në Mal të Zi, të Thethit e Valbonës në Shqipëri, me këtë çmim ishin futur në hartën botërore të turizmit.

XS
SM
MD
LG