Ndërlidhjet

Debat i zbehtë në Parlamentin e Maqedonisë


Kuvendi i Maqedonisë (Foto nga arkivi)
Kuvendi i Maqedonisë (Foto nga arkivi)

Deputetët e Maqedonisë nuk kanë sens për të dëgjuar sugjerimet e oponentëve të tyre politikë, ndërkohë që në foltore dalin me fjalime të përgatitura paraprakisht, thuhet në konstatimet e hulumtimit të Institutit për Demokraci, i cili ka monitoruar cilësinë e debatit të Parlamentit të Maqedonisë nga 19 qershori, kur edhe u zgjodh qeveria e re, e deri më 3 gusht, kur deputetët shkuan në pushim veror.

Jane Dimevski, koordinator i projektit “Parlamenti nën thjerrëz”, thotë se gjatë monitorimit të 318 fjalimeve të deputetëve në kuadër të 20 seancave të Kuvendit, ka dalë në pah se mungojnë replikat dhe kundër-replikat, të cilat mundësojnë debat cilësor rreth zgjidhjeve ligjore për çështje të caktuara.

“Pa dashur të hyj në cilësinë e argumenteve të shprehura nga ana e deputetëve, pjesa më e madhe e diskutimit të tyre gjatë tre muajve të fundit ka të bëjë me fjalime individuale të deputetëve, përderisa në përqindje më të vogël në foltoren e Parlamentit dëgjohen replika dhe kundër-replika. E gjithë kjo flet për debat të varfër në Parlament”, thotë Dimevski.

Ekspertët vlerësojnë se dështimi apo suksesi i proceseve shoqërore në masë të konsiderueshme është rezultat apo produkt i debateve. Sipas tyre, mungesa një debati cilësor në Parlamentin e Maqedonisë, për bazë ka më shumë faktorë, por si më të rëndësishëm ata fokusojnë mungesën e deputetëve të opozitës, përkatësisht mendimit kritik, i cili duhet të iniciohet nga opozita.

“Përderisa në njërën anë nuk kthehet opozita në Parlament dhe në anën tjetër deputetët nuk pavarësohen nga strukturat partiake, përkatësisht të fillojnë qëndrimet e tyre individuale, është e kuptueshme se nuk mund të presim debat në Parlament, ngase debati nënkupton dy palë të cilat shfaqin ide të ndryshme. Përderisa në Parlament kemi vetëm partitë e koalicionit qeverisës, është e kuptueshme se nuk mund të presim debat cilësor”, vlerëson Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë.

Sipas Musliut modeli zgjedhor me lista të mbyllura është një nga arsyet që deputetët janë më lojalë ndaj liderit të partisë sesa interesave të qytetarëve që i kanë zgjedhur.

“Për t`u rritur pavarësia e deputetëve nga partitë politike dhe afrimi i tyre me qytetarët, duhet të zgjidhen modele zgjedhore, të cilat do të prodhonin nivel më të lartë kualitativ edhe të strukturës së deputetëve, po kuptohet me këtë edhe debatit, i cili zhvillohet në Parlament”, nënvizon Musliu.

Nga ana tjetër, Arsim Sinani, analist politik, thekson se mungesa e ofertave për zgjidhjen e problemeve konkrete, bën që të ngulfatet debati i mirëfilltë në shoqërinë maqedonase, në përgjithësi, duke injoruar çdo iniciativë të sektorit civil, ashtu dhe intelektualëve të pavarur nga ana e politik-bërësve.

“Sektori civil mund të ngrejë zërin, të ngrejë çështje të caktuara që prekin interesat e qytetarëve, por sektori civil nuk është ai që duhet të marrë vendime - ata që i marrin vendimet janë deputetët. Pra, më duhet të theksoj se sektori civil ka një rol të rëndësishëm për të bërë presion që të zgjidhen problemet e ndryshme, por kjo përbërje qeveritare ka dëshmuar se është e shurdhër për t`i dëgjuar qytetarët dhe sektorin civil”, konsideron Sinani.

Ndryshe, edhe gjatë muajve të ardhshëm, Instituti për Demokraci do të monitorojë punën e Parlamentit të Maqedonisë me atë që në raportin e ardhshëm do të përfshihet edhe periudha kur ndodhi incidenti i 26 gushtit, konflikti fizik mes deputetëve shqiptarë nga Partia Demokratike Shqiptare dhe Bashkimi Demokratik për Integrim.

XS
SM
MD
LG