Ndërlidhjet

Studentët: Profesorët mungojnë në ligjërata


Ilustrim
Ilustrim

Viti akademik për mbi 50 mijë studentë të Universitetit të Prishtinës pritet të fillojë më 1 tetor. Studentët, që do të rinisin studimet, flasin për hallet dhe problemet, me të cilat ata ballafaqohen gjatë studimeve.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, problemin thelbësor që ata e theksojnë, ka të bëjë me profesorët, të cilët, siç thonë studentët, nuk janë të rregullt në ligjërata.

Po ashtu, numri i madh i studentëve dhe sallat e vogla ku mbahen ligjëratat në disa fakultete, pamundësojnë studim të nivelit të duhur.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:49 0:00
Shkarko

Anila është studente e Fakultetit Filologjik. Ajo tregon se profesorët nuk kanë një komunikim të duhur me studentët. Jo rrallë herë, thotë ajo, profesorët nuk i kanë dëgjuar problemet që ata i kanë pasur rreth studimeve.

“Problemi më i madh janë profesorët. Ata nuk komunikojnë me ty. Derisa ne shkojmë dhe dëshirojmë të konsultohemi me ta rreth lëndës, profesorët nuk merren me studentin, nuk dëshirojnë as të flasin, të largojnë nga kabineti i tyre”, tregon Anila.

Vlora Agushi ka përfunduar studimet në Fakultetin Filologjik, Departamenti i Gjuhës Angleze. Vlora tregon shumë raste që gjatë konsultimeve me profesorë, të jenë janë ndarë jo mirë me ta.

Sipas profesorëve, thotë ajo, pas vlerësimeve që iu kanë bërë në një provim, ka përfunduar gjithçka dhe se, siç shprehet Vlora, nuk kanë dashur të dëgjojnë studentin rreth ankesave që ka mundur t’i ketë.

“Nëse ti ke qenë shumë e sigurt që e ke bërë provimin mirë dhe ke dashur të shkosh në konsultime për të parë punën në provimin tënd, ai nuk të ka lejuar. Ka thënë, ti po dyshon në vlerësimin tim?! Ka ardhur me vonesë në ligjërata. Ne nuk kemi pasur të drejtë të vonohemi, e ata kanë ndodhur janë vonuar gjysmë ore. Nëse një student është vonuar në një ligjëratë, profesori i cili vetë ishte vonuar një ditë më parë, i ka thënë studentit që nuk mund të vish kur të duash në ligjëratë”, shprehet Vlora.

Njëri nga fakultetet me numrin më të madh të studentëve është Fakulteti Ekonomik. Çdo vit në këtë fakultet pranohen mbi 2 mijë studentë.

Studentët e këtij fakulteti ankohen për mungesë të sallave.

Blerta Bibaj është studente e Fakultetit Ekonomik, në vitin e dytë. Sipas saj, numri i madh i studentëve dhe sallat e vogla pamundësojnë një studim cilësor.

“Jemi shumë studentë në vit të parë. Në vitin e dytë ka më pak. Numri i sallave është i vogël për atë numër të studentëve. Problem tjetër janë profesorët që nuk vijnë me rregull, sidomos këta që i kanë nga dy poste nuk vijnë në ligjërata, vetëm asistentët e tyre vijnë i mbajnë edhe ligjëratat edhe ushtrimet”, tregon Bibaj.

Studentët kanë mjaft ankesa edhe për administratën e fakulteteve. Shumë herë, thonë ata, ndodh që nuk e kryejnë punën e tyre.

Suzana, një studente, me rastin e diplomimit në njërin nga Fakultetet e Universitetet të Prishtinës, ishte ballafaquar me mjaft probleme.

“Referentët nuk e kanë kryer punën si duhet apo si është dashur. Për një dokument të kanë endur gjithandej, pa ditur se çfarë dokumentacioni na duhet. Problemi i fundit, me të cilin jam ballafaquar me rastin e diplomimit, ka të bëjë me punëtorët administrativë të fakultetit. Ka qenë problem i madh derisa i kam grumbulluar të gjitha dokumentet, e askush nga administrata nuk na e ka sqaruar qartë sa çka duhet, vetëm se na kanë endur prej një kabineti në një tjetër, prej arkivës te referenti, e kështu me radhë”, shton Suzana.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar edhe me dy specializantë, që tregojnë për problemet e shumta, me të cilat janë ballafaquar dhe vazhdojnë t’i kenë. Për ta, nepotizmi ka prekur çdo kënd të Universitetit të Prishtinës.

Arben Ahmeti, specializant në Stomatologji, thotë se problemet fillojnë qysh në vitin e parë të studimeve, ku gjithçka, siç thotë ai, shkon me familjarizim. Nëse ke dikë të familjes në universitet, i cili më pastaj do të ndihmojë, do të përkrahë edhe do të avancojë deri në përfundimin e specializimit në një fushë të caktuar.

“Problemet, me të cilat ballafaqohemi është nepotizmi. Secili favorizon familjarët e vet, shihen edhe mbiemrat e tyre, janë hulumtime që janë bërë më herët dhe kjo është e dukshme. E gjithë kjo po e ul cilësinë. Çdo herë avancohen disa persona pa meritë. Dhe, të gjitha këto, nuk i ndalon askush”, shprehet Arbeni, mjaft i mllefosur.

Ngjashëm mendon edhe kolegu i tij Razim Aziri:

“Kam studiuar jashtë Kosovës, në Tiranë. Nëse një student e ka një të afërt, vazhdon të regjistrohet në specializim në një farë mënyre çdo herë shkon me te njohur. Nëse cilësia dëshiron të rritet, nëse Kosova dëshiron të ketë cilësi në arsim, nuk duhet të ketë nepotizëm. Duhet një student që e meriton të studiojë, t’i jepet rasti dhe jo të merret dikush tjetër që ka një të afërt”.

XS
SM
MD
LG