Ndërlidhjet

Kuvendi priti qytetarët, por munguan deputetët


Qytetarë, profesorë dhe nxënës të shkollave të ndryshme nga Kosova, kanë vizituar të hënën Kuvendin e Kosovës me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.

Qytetarët dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, kanë theksuar se shkalla e demokracisë në Kosovë është në nivel jo të kënaqshëm.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo që monitoron punën e Kuvendit tha se vetë moskrijimi i institucioneve për më shumë se tre muaj tregon për nivelin e demokracisë në Kosovë.

“Ende jemi në stadin e hershëm të zhvillimit të demokracisë për fatin e keq. Urojmë që gradualisht të mësojmë prej demokracive të tjera dhe një ditë tjetër të flasim për një nivel tjetër të demokracisë dhe jo çfarë realisht po flasim sot”, deklaroi Selmanaj.

Me rastin e kësaj dite, Kuvendin ka hapur dyer për vizitorë, ku atyre punëtorët e kuvendit nga sekretaria ju kanë shpjeguar se si funksionon kuvendit dhe cilat janë përgjegjësit e deputetëve.

Kur, sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi është pyetur se pse nuk janë të pranishëm deputetet dhe a janë ftuar ata për t'u takuar me qytetarët, ai ka heshtur.

Por, mos prezencën e deputetëve Driton Selmanaj nga KDI-ja e ka konsideruar si një papërgjegjësi ndaj qytetarëve.

“Për çudi ata, kur vjen puna e pagave, ata po i marrin dhe kah dy muaj që ata kanë mandatin dhe kanë filluar, sepse me Kushtetutë mandati i tyre fillon datën e certifikimit. Ndërkohë që ata në kontestin e përfitimeve personale janë të gatshëm që t’i marrin ato, por kur duhet të takohen më njerëzit dhe për të reflektuar se çfarë niveli të demokracisë kemi, ata sot nuk gjejnë kohë për të ardhur këtu”, u shpreh Selmanaj.

Kosova si vend i ri i dalë nga lufta, nuk ka nevojë për zvarritjen e shumë proceseve nëpër të cilat duhet të kalojë, thotë Nezir Selmani qytetar nga Prishtina, derisa flet për vonesën e themelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit.

Ai konsideron se veprimet që kanë ndodhur në seancën e fundit konstituive, nuk kanë dhe një mesazh të mirë të qytetarët dhe më gjerë.

“Është një demokraci e brishtë te ne, nuk është demokracia e mirëfillte siç kemi menduar ne. Institucionet janë duke shkuar më ngadalë, duke u formuar. Të gjithë anëtarët e parlamentit duhet ta shikojnë interesin e masës së gjerë, se populli për atë i ka zgjedhur”, tha Selmani.

Edhe Agim Vatovci, qytetar, thotë se Kosova nuk është në një gjendje të mirë kur flitet për demokracinë.

“Nëntëdhjetepesë për qind nuk ka demokraci për arsye se ekziston nepotizmi, ekzistojnë njerëzit të cilët vijnë në pushtet automatikisht janë njerëz poltron dhe njerëz megaloman”, tha Vatovci.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kohë me parë kanë deklaruar se shkalla e demokracisë në Kosovë është në atë nivel që mund të krahasohet me demokracinë e vendeve të rajonit.

Ata kanë deklaruar po ashtu se në Kosovë ekzistojnë mekanizma që synojnë të zhvillojnë një demokraci të mirëfilltë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara datën 15 shtator e ka shpallur si datë të kur festohet Dita Ndërkombëtare e Demokracisë.

XS
SM
MD
LG